Grusht-shteti i vetëm ku përfitues më i madh është vetë pushteti

Grusht-shteti i vetëm ku përfitues më i madh është vetë pushteti

Natën e 15 Korrikut, e mbaj në mend njëjtë sikur të ketë ndodhur sot.

Ajo natë për mua ishte nata më e gjatë në jetën time! Morra lajmin se në Turqi, kishin filluar trazira. Ushtarë dhe tanqe kishin dal nëpër rrugë drejt urrës së Bosforit. Menjëherë hapa televizorin për të përcjell se çfarë ishte duke ndodhur?! Përderisa i shikoja lajmet përmes ekraneve televizive, ndjeja një vuajtje në shpirt, një ndjenjë që sikur kurrë nuk do të shuhej.

Dhe vetëm një gjë më kalonte në mendje; “Kushdo që të ishte iniciatori i kësaj trazire të madhe, që kishte si synim përçarjen e popullit turk, por edhe gjetiu, Zoti e mallkoftë”. Kurrë nuk do t'ua bëj hallall personave që janë shkaktarët e një nisme të tillë fatkeqe.

Sepse ky grusht shtet i mallkuar nuk morri vetëm jetën e afër 250 banorëve (vetëm në natën e grushtit të shtetit, por dhjetëra të tjera pas natës së gushtit të shtetit), gjithashtu u bë shkaktar për shkatërrimin e jetëve të mijëra familjeve dhe la jetim me mijëra fëmijë të tjerë kurse miliona njerëz të tjerë mbeten me trauma të rënda.

Mirëpo, është e rëndësishme që të theksohet se gjëja më e keqe është mjegulla e turbullt e formuar gjatë gjithë kësaj kohe. Urrejtja e disa personave e shndërruar në hakmarrje. Të gjithë së bashku pa pasur as edhe një provë, por as edhe ndonjë vendim përfundimtar gjyqësorë, drejtuan gishtin kah një anë, kah Lëvizja “Hizmet”. Kjo ndodhi edhe në natën kur sapo kishte nisur grushti i shtetit, kur doli presidenti turk Erdogan, duke pohuar se kjo është një vepër e “FETO”, një emër të cilin ai ia kishte ngjitur Lëvizjes Hizmet, që para grushtit të shtetit.

Para disa ditëve, kryeministri turk Binali Yildirim në një intervistë për të përditshmen turke “Hurriyet” kishte thënë kështu, citoj; “Natën e grushtit të shtetit u ulëm dhe u konsultuam me presidentin Erdogan, ku konstatuam se grupi i vogël i ushtarëve që e kishin filluar këtë përpjekje i takon grupit “FETO”. Ky për momentin mund të ishte një konstatim i drejtë ose jo i drejtë...” Këto fjalë tregojnë se bëhet fjalë për një supozim dhe se nuk ka asnjë provë për atë se kush në të vërtetë e kishte orkestruar grushtin e shtetit dhe me çfarë arsye e kishte bërë atë.

Themeluesi i lëvizjes, mendimtari dhe ligjëruesi fetar në ekzil, Fetullah Gylen, që atë natë tha se “nuk ka lidhje me atë që ndodhi në Turqi, dhe nëse me të vërtetë në këtë përpjekje ka edhe nga ata që kanë ndjerë sado pak simpati ndaj tij, le ta dinin se me këtë vepër e kanë tradhtuar atë”, duke hedhur poshtë çdo dyshim..

Nëse shkojmë sipas formulës shumë të famshme, shkak-pasojë, atëherë duhet të shohim se kush janë humbësit dhe kush janë fituesit nga ky grusht shtet. Grushti i shtetit për Lëvizjen Hizmet në Turqi ishte një shkatërrim dhe vrasje totale. Jo vetëm që u mbyllën të gjitha institucionet arsimore, shëndetësore dhe të gjitha kompanitë e tjera private të personave që ndjenin simpati ndaj kësaj lëvizjeje.

Nga puna u përjashtuan me mijëra mësimdhënës, mjekë, gazetarë, akademik, policë e shumë të tjerë, dhe përsëri mijëra të tjerëve iu konfiskuan pasaportat duke u vënë në paraburgim, kurse një numër i madh u burgosën. Nga ana tjetër, presidenti Erdogan rriti pushtetin në vend, formoi shtetin ashtu siç donte ai vet, solli sistemin presidencial, gjithçka shkoi siç donte ai. Do të thotë se fituesi i vetëm nga e gjithë kjo tollovi ishte vetëm presidenti turk dhe njerëzit për rreth tij. Këtë e dëshmojnë edhe vet fjalët e prsidentit turk Erdogan, natën pasi ndodhi grushti i shtetit, ku thotë kështu, citoj; “Kjo që ndodhi, për ne është një mirësi nga Zoti”. 

Si përfundim edhe njëherë dua të theksoj se në Turqi akoma nuk janë zbardhur shumë pikëpyetje, shumë dilema në lidhje me grushtin e shtetit dhe se për tu bërë kjo duhet të formohet një trup i pavarur gjyqësorë.

Ndoshta mënyra më e mirë do të ishte nëse formohej një trup gjyqësore ndërkombëtarë për ta zbardhur çështjen e grushtit të shtetit, sepse me të vërtet njerëzit kanë nevojë dhe është e drejta e tyre që të informohen në mënyrë të drejtë. I lutem Zotit që sa më shpejtë të gjenden organizatorët e vërtetë të kësaj vepre të shëmtuar që solli shumë vuajtje për tërë popullatën turke dhe më gjerë.

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.