ZGJEDHJE FER DHE DEMOKRATIKE JANË JETIKE PËR MAQEDONINË

ZGJEDHJE FER DHE DEMOKRATIKE JANË JETIKE PËR MAQEDONINË

Fushata elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahet më 15 tetor nuk dallon pothuajse aspak nga ajo e cikleve të kaluara zgjedhore, në përjashtim të disa sinjaleve që japin disa liderëve politike më konservatore, siç është ai i VMRO-DPMNE, i cili përmes paraqitjeve në disa media shqiptare mundohej t'i bind votuesit shqiptarë se me përkrahjen që i kanë dhënë LSDM-së kanë bërë gabimin e jetës së tyre. Kandidatët e partive politike për kryetarë komune gjatë paraqitjeve të tyre do të ofrojnë premtime nga më të ndryshmet, përfshirë edhe ato premtime që ndoshta kurrë nuk do t'i arrijnë t'i realizojnë, ngaqë janë shumë larg shifrave dhe kapaciteteve të buxhetit komunal. Me një fjalë disa nga ato premtime nuk kanë të bëjnë aspak me pushtetin lokal.

 

Mirëpo, apeli i ambasadorit të Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar, për zgjedhje të lira dhe demokratike më 15 tetor është një hap shumë i rëndësishëm për të treguar progres në udhën drejt BE-së, para realizimit të reformave të nevojshme. Apeli i BE-së deri tek ne është që të mbajmë zgjedhje të rregullta, të lira dhe demokratike, më të mira sesa ato të dhjetorit të vitit të kaluar. Të jenë zgjedhje kredibile, larg çdo abuzimi ose keqpërdorimi që është kushti kryesor për të ecur përpara, si dhe të mos përsëriten praktikat e këqija të cikleve të kaluara.

Ajo që është shqetësuese në këto zgjedhje lokale është lirimi i Agim Krasniqit dhe Bajrush Sejdiut, pastaj ligji i amnistitë ku sipas opozitës do të lirohen nga burgu kryerësit e veprave të rënda. Kjo bëhet për qëllime politike që këta ti shfrytëzoj për vota, edhe pse shumica e analistëve janë të mendimit se arsyeja për lirimin e tyre është që të sfidoj nëntokën e VMRO-DPMNE-së në disa komuna.

Ana e mirë e gjithë kësaj turbulence parazgjedhore ndoshta është deklarata e Zaev në një program televiziv ku thotë se për herë të parë në historinë e Maqedonisë, një parti politike maqedonase do të përkrah kandidatë shqiptarë për kryetar komune në disa komuna duke i nxitur maqedonasit që jetojnë në ato komuna që të përkrahin kandidatin shqiptarë. Hapi tjetër pozitiv, për të shkrirë akullin nacionalist, është edhe hapi i VMRO-DPMNE për të futur në listën e këshilltarëve për qytetin e Shkupit një kandidat shqiptar i cili do të jetë në rolin e zëvendëskryetarit të Shkupit. Të gjithë këto hapa të ndërmarra nga partitë politike maqedonase, me theks të veçantë LSDM-ja, do të kontribuojnë në shkrirjen e akullit dhe toneve nacionaliste në vend.

Fakti që në këto zgjedhje lokale do të kemi më shumë kandidatë nga blloku shqiptarë për kryetarë komune, për shkak të numrit më të madh të partive politike shqiptare pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale, gjithçka do të zgjidhet në rrethin e dytë zgjedhor, ku vota e maqedonasve do të jetë përcaktuese, po ashtu edhe kampin politik maqedonas vota e shqiptarëve do të jetë përcaktuese. Nga ana tjetër participimi i më shumë partive politike shqiptare në këto zgjedhje lokale, por edhe në ato paraprake parlamentare, ka bërë më konkurrente dhe më sensibile këto zgjedhje. Shumica e komunave janë ende të paqarta se si do të përfundojnë dhe kush do të jetë fitues/e i zgjedhjeve në ato komuna. Mirëpo, sipas burimeve që i posedojmë lufta më e madhe pritet të zhvillohet në komunat e Çairit, Tetovës, Strugës, Dibrës Likovës, Studeniçanit dhe Zhelinës, me theks të veçantë në dy komunat e para.

Ashtu si zgjedhjet e mëparshme qoftë ato parlamentare apo lokale edhe këto të fundit do të kalojnë, mirëpo gjurmët që do të lejnë mbrapa do të jenë esenciale si për qytetarët ashtu edhe për atmosferën politike të krijuar, si dhe për faktorin ndërkombëtarë. Andaj dhe është shumë e rëndësishme, mos të them edhe jetike që këto zgjedhje mbi të gjitha të jenë të rregullta, të lira dhe demokratike.

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.