Qeveria reformatore shpresë edhe për ata që nuk janë në liri

Qeveria reformatore shpresë edhe për ata që nuk janë në liri

Pas një krize të stërzgjatur dhe shumë të lodhshme, herë me frikë e herë me shpresë, herë me trazira e herë me fjalë të ëmbla se do të vijnë ditë edhe më të mira për të gjithë qytetarët e R. së Maqedonisë, përfundimisht u formua edhe qeveria e re reformatore, për të cilën të gjithë shpresojmë se më në fund do ta vë shtetin në binare.

Edhe pse me shumë peripeci dhe pengesa, pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare fillimisht u zgjodh kryetari i parë shqiptar i kuvendit, pra kryetari i parë që nga pavarësia e vendit në vitin 1991 e këndej dhe pak ditë më vonë u formua edhe qeveria e re.

Kjo qeveri është shpresë për shumë qytetarë të R. së Maqedonisë, pa marrë parasysh kombin, fenë apo ideologjinë e tyre, gjithashtu duhet të jetë fundi i të gjithë atyre që kanë pasur si synim vetëm të keqen e këtij shteti duke ëndërruar dhe planifikuar skenare të errëta dhe shkatërruese për popullin që nuk kanë të njëjtin mendim sikur të tyren. Madje kishte edhe interferenca të ndryshme e të fshehta të cilët akoma nuk janë zbardhur komplet. U përshkruan shumë skenare se si mund të përfundoj e gjithë ajo situatë e frikshme në vend që mund të merrte edhe përmasa të papara, por që fatmirësisht përfundoi ashtu siç është.

Kjo periudhë dhe ky proces edhe pse shumë i gjatë, popullit ndoshta u dha një mësim të mirë për atë se kush me të vërtetë ia do të mirën këtij populli dhe kush jo, kush me cilin u radhit dhe kush prej cilit kërkonte medet. Populli shumë mirë e pa se si ata që pretendonin të jenë të pastër dhe vigjilent dhe që gjatë gjithë kohës vraponin pas “kriminelëve”, në fakt u radhitën në të njëjtën saf me kriminelët e vërtetë. Gjithashtu populli i pa edhe ata që erdhën bashkë për të formuar një qeveri që do t'ua kthente shpresat qytetarëve në vend për një ditë më të mirë dhe më të ndritshme. Tani më është shumë e qartë se prej tani e tutje kush me cilin do të vallëzoj.

Kjo qeveri reformatore, nuk është shpresë vetëm për ato që janë në liri, por që veten e tyre e ndjenin sikur tu ishte marrë liria nga dora, por gjithashtu është shpresë edhe për të burgosurit të rasteve të montuara. Dashtë Zoti, përfundimisht drejtësia do të mbisundojë dhe të gjithë të pafajshmit do të lirohen. Shpresojmë se kjo qeveri do t'i zbardh edhe të gjitha rastet që kurrë nuk u arritën të zbardhen në qeveritë e mëhershme, siç është vdekja misterioze e gazetarit si dhe rastet e Monstrës, Sopotit, rasti i fundit i 27 Prillit, ku u sulmuan dhe u rrahën deputetët, aq sa kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, gati se nuk kishte humbur jetën. Të gjitha këto, nga njëra anë janë shpresat e qytetarëve se përfundimisht do të marrin fund, dhe nga ana tjetër disa nga sfidat shumë të rënda me të cilët do të ballafaqohet qeveria e re. Normal, se edhe një nga pritjet e qytetarëve të Maqedonisë është që të përmirësohet standardi jetësor. Nëse kjo qeveri arrin që t'i zgjidh të gjithë problemet që i numëruam më lartë, atëherë lirisht mund të themi se Maqedoninë me të vërtet e presin ditë të mira.

Dëshirat dhe shpresat tona janë që vendi ynë kurrë të mos përjetoj ditë të errëta dhe të zymta, dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë të ndjejnë veten po aq vendas dhe autoktonë sa gjithë të tjerët. Skenaret e errëta dhe fjalori përçarës nuk i sjell mirësi asnjë grupi, kombi, feje apo ideologjie në vend. Por, ato vetëm mund ta çojnë vendin në humnerë dhe asgjë tjetër. Ngel të shohim se çfarë do të na i sjell kjo strukturë e re qeveritare sidomos në 100 ditët e para e cila vetes i referohet si një qeveri reformatore, e cila për synim ka të shpie vendin drejt integrimit në BE dhe në NATO, atje dhe ku është hedhur themeli i demokracisë, i barazisë qytetare dhe i drejtës individuale.

e-max.it: your social media marketing partner

Please publish modules in offcanvas position.