Gazeta jonë nuk fshihet nga opinioni publik, jemi në shërbim të qytetarëve

Gazeta jonë nuk fshihet nga opinioni publik, jemi në shërbim të qytetarëve

Para disa ditëve ndodhi një akt tragjikomik nga ana e disa portaleve që veprojnë në vend me mision të caktuar dhe të gatuar nga jashtë, por që nuk kanë as emër e as mbiemër, e as adresë se ku dhe prej nga janë duke vepruar.

Këto portale, gazetën dhe revistën tonë i quajtën “terroristë”. Nëse do të flitnim për terrorizëm atëherë për lexuesit tanë duhet t'i bëjmë të qartë disa gjëra.

Fillimisht organizatat terroriste duhet të jenë enigmë për opinionin e gjerë. Gjegjësisht, ata nuk kanë as adresë, as emër dhe mbiemër, e as që dihet se kush i udhëheq dhe nga udhëhiqen. Por, qëllimi i tyre është vetëm të shkaktojnë dëme, trazira dhe huti në mesin e qytetarëve përmes teorisë shkatërruese, “gjuaje me baltë, nëse balta nuk ngjitet, të paktën i ngel njolla”, gjë që kanë si synim të shkatërrojnë të gjitha vlerat njerëzore duke përdorur çdo mjet destruktiv.

Nëse kthehemi tek ne si medie, ne kemi emër, mbiemër dhe adresë. Jemi duke botuar një gazetë javore dhe një revistë mujore. Portalet tona që shërbejnë dhe publikohen në katër gjuhë, janë me emër, mbiemër dhe adresë. Kjo gjë tregon se ne nuk kemi çfarë të fshehim nga opinioni publik.

Kush do lirisht mund ta lexoj dhe të jap mendim për produktin që e prodhojmë. Nëse një produkt që prodhohet nuk ka emër dhe adresë do të thotë se ai produkt ka hyrë në të zezë. Nëse personat që e bëjnë atë mundohen ta fshehin identitetin e tyre, kjo nënkupton se janë duke bërë krim.

Sepse në rrethanat normale, nëse personi nuk do ta ndjej veten fajtor me atë që ka bërë, nuk ka arsye pse ta fsheh identitetin e tij. Mirëpo, fatkeqësisht disa portale në vend përmes rrjetit social që është duke u përdorur më së shumti në vend, janë duke bërë shpifje në nivel që nuk është parë deri tani, flasin në emër të fesë ndërsa po të shikosh portalet e tyre nudizmi është në majë.

Faktikisht ata publikojnë pamje që me fe janë të ndaluara, bëjnë shpifje, gënjejnë dhe i bëjnë të gjitha të këqijat, kurse nga ana tjetër lëshojnë video incizime të ndryshme të hoxhallarëve, japin lajme të ndërtimit të xhamive, bëjnë propagandë të një partie që bashkëvepron me ta, kurse pasojat i ngelin popullit.

Çfarë synojnë këto qarqe të arrijnë me këtë gjë? Këto qarqe në Maqedoni kanë dy synime. E para është që të përmbushin dëshirat e financuesve të tyre. Siç janë të vetëdijshëm edhe shumica e qytetarëve këto qarqe janë duke punuar për një mision të caktuar në vend dhe mundohen t'i përmbushin kërkesat e tyre. Sepse, përndryshe ju prehet kordoni kërthizor me të cilën ushqehen.

Kurse e dyta është që të bëjnë propagandën e një partie politike në vend, të cilët kanë të njëjtën mision sikur portalet në fjalë. Këto si synim kanë të shkatërrojnë gjithçka që u del përpara pa marrë parasysh se si dhe me çfarë mjeti e bëjnë këtë gjë. Nëse ka nevojë, janë në gjendje të eliminojnë edhe njerëzit e pafajshëm.

Njerëz që janë kujdesur të mos shkelin qoftë edhe një milingonë në tokë, e lëre të bëjnë ndonjë akt të shëmtuar siç janë duke pohuar këta “portale” me mision të caktuar, akt “terrorizmi”.

Si përfundim dua t’ju bëj me dije se asgjë në këtë botë nuk ndodh më shumë se ajo që e lejon i Gjithëfuqishmi. Çdo gjë, ashtu siç e ka një fillim, ka edhe një fund.

Këto ditë të errëta me mjegull, jam i bindshëm se një ditë do të kalojnë dhe gjithçka do të bëhet shumë e qartë dhe e kthjellët. Mirëpo, atë ditë ajo që do të ngel në mendjet tona do të jenë këto sjellje të pahijshme të personave që dikur i kemi njohur më ndryshe, kurse sot janë krejtësisht njerëz tjerë.

Këto vepra të pahijshme të këtyre njerëzve dhe e gjithë kjo zili nëse bëhen vetëm për të arritur diçka në këtë botë, atëherë nuk kam se çfarë t'ju them, ndoshta këndej do të fitojnë atë që duan, por mos harroni se filmi nuk përfundon vetëm me kaq, por ka edhe një pjesë tjetër që është shumë më e rëndësishme se pjesa e parë. Kurse, mënyra se si ata sillen dhe veprojnë nuk është një mënyrë që atyre u premton një vazhdim të mirë të filmit.

e-max.it: your social media marketing partner

Please publish modules in offcanvas position.