Borissov para PE-së: E patë dje, një plumb në Kosovë dhe situata në Ballkan ndryshon radikalisht

Borissov para PE-së: E patë dje, një plumb në Kosovë dhe situata në Ballkan ndryshon radikalisht

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, sot ka paralajmëruar Bashkimin Evropian mbi nevojën për t’i ofruar perspektivë të pranimit shteteve të Ballkanit Perëndimor pasi kësisoj, sipas tij, do të ruhet siguria në rajon, nga ku varet edhe siguria e Evropës.

 

Në adresimin e tij para Parlamentit Evropian, si kryesues i Presidencës së BE-së në këtë gjashtëmujor, Borissov ka përmendur edhe vrasjen djeshme të liderit të Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, në veri të Mitrovicës.

Si pasojë e kësaj vrasjeje, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërpreu dialogun që pritej të riniste në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë i sponsoruar nga BE e që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“E keni parë se çfarë ndodhi dje. Një plumb dhe situata ndryshon në mënyrë radikale”, ka theksuar Borissov, raporton Koha.net.

Kryeministri bullgar, që e njeh mirë Ballkanin, i bëri thirrje BE-së që të “tregojë me sinqeritet” nëse vendet që aspirojnë anëtarësimin në bllok të mund të shpresojnë në të dhe, nëse po, çfarë duhet të bëjnë për të kompletuar këtë proces.

“Nëse nuk e dërgon këtë mesazh të qartë, BE rrezikon të përballet me një fluks të gjerë të luftëtarëve të huaj në Ballkan dhe radikalizim të besimit islam në rajon. Po ashtu lë hapësirë edhe për vendet tjera, siç janë Arabia Saudite, Rusia e Kina të përfitojnë nga ky rast dhe të forcojnë ndikimin e tyre”, shtoi ai.

“Nëse nuk u ndihmojmë atyre, vende tjera do t’u dalin në ndihmë. Është koha e duhur për të thënë se perspektiva evropiane është e hapur”, deklaroi Borissov.

Deputetët e Parlamentit Evropian mirëpritën qëllimin e Presidencës bullgare për t’u koncentruar në perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për të ardhmen e të rinjve në Evropë.

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.