Prioritet i ministrisë mbetet ruajtja e ambientit dhe ndërtimi i stacioneve të filtrimit

Prioritetet e ministrisë mbeten ruajtja e ambientit dhe ndërtimi i stacioneve të filtrimit

Intervistë me ish ministrinë e Ekologjisë, Nurhan Izairi

Jugohromit iu vazhdua leja edhe  për dy vite, por me kusht që çdo 6 muaj të avancon vënien e filtrave, mirëpo sot e kësaj dite ata nuk i janë përmbajtur vendimit të qeverisë.

Besoj se shumë shpejt do të ketë një zgjedhje për Jugohromin dhe nëse nuk i përmbahet marrëveshjes atëherë ka gjasa që t'i merret leja.

Nëse i shikojmë lokalitetet tona, pra qytetet tona para 20-30 viteve kanë pasur një strukturë shumë më ndryshe se që kanë tani. Hartimi i planeve urbanistike të analizuara mirë kanë ndikuar edhe në ndotjen e ajrit ambiental.

Rrymimi i ajrit, pozita gjeografike e lokaliteteve është shumë me rëndësi. Nëse vendos blloqe të larta atëherë nuk ka vend që rrymimet e ajrit të qarkullojnë lirshëm. Për shembull, nëse e shikojmë Shkupin, nga një distancë pak më të lartë do të shohim se çfarë barriera janë ndërtuar. Ndër indikatorët kryesorë të ndotjes janë komunikacioni, kaosi urbanistik, planifikimi urbanistik, mungesa e hapësirave të gjelbërta etj.

Ne nuk kemi vetëm ndotjen e ajrit, por kemi edhe ndotjen e ujit, ndotjen e tokës e cila ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut. Që nga viti i kaluar jemi duke bërë një studim dhe këto muaj do të dalim me rezultate konkrete për dy qytete që vitet e fundit janë më të ndotura, pra për qytetin e Shkupit dhe të Tetovës. Do të dalim me rezultate konkrete dhe pas kësaj më nuk do të ketë hapësirë për spekulime sepse gjithçka do të dihet konkret se kush dhe sa ndikon në ndotje.

Ministria ka një buxhet për investime në ambientin jetësorë, ky është buxhet vetanak i ministrisë ku ne investojmë në projekte të ndryshme për ambiente jetësore. Mendoj se deri në vitin 2020 të gjitha vendbanime urbane shqiptare do të jenë të pajisura me kanalizime dhe stacione të filtrimit, si dhe do të jenë të pajisura me ujë industrial. Ndërsa të gjitha vendbanimet rurale shqiptare do të pajisen me projekte për kanalizim. Sipas ligjit për ambient, kompanitë energjetike që nuk janë të harmonizuara, siç është kombinati i Manastirit dhe Oslomejës, e kanë për obligim të harmonizohen deri në vitin 2019. Indikatorët kryesorë të ajrit ambiental janë komunikacioni, amvisëria dhe industria, e cila ka një përqindje të ndikimit siç është edhe ndërtimtaria që ndikon me pluhura etj.

Sa i plotëson maqedonia kushtet e Protokollit të Kiotos?

Ne si shtet Protokollin e Kiotos e kemi nënshkruar që nga viti 2005, ku kemi miratuar edhe një strategji me mekanizmat se si do duhet të dilet nga kjo situatë, dhe me obligimet se si duhet të ballafaqohemi me këtë problem. Përveç kësaj shumë me rëndësi edhe çështja e konferencës së Parisit, që e përfshinë periudhën deri në vitin 2020. Ne jemi shumë më optimist që shteti do ketë benefite duke pasur parasysh se ndër emituesit më të mëdhenj dhe indikatorët më të mëdhenj të ndryshimeve klimatike janë energjetika dhe transporti. Konferenca e Parisit është vazhdimësi e konferencës së Kiotos, ku shtetet sikur vendi jonë  që nuk janë anëtare të BE-së do të kenë mundësi që të tërheqin fonde dhe benificione të ndryshme. Pavarësisht se nuk jemi ndikuesit kryesorë në ndotjen globale ne  do të jemi përfitues nga kjo, duke përmirësuar ato kapacitete që kemi. Ne si kapacitet kemi prodhimin e rrymës energjike nga thëngjilli e cila  prodhohet në kombinatet e Manastirit dhe Osllomejës. Ne presim që shumë shpejt  të kemi vendosjen e filtrave dhe të ashtuquajtura masash për parandalimin e ndotjes.

Jugohromi njihet si ndotësi më i madh në rajonin e Tetovës, a mund të presim që ti merret licenca?

Jugohromi dhe kompanitë e tjera, që sipas ligjit për ambient nuk i kanë marr lejet e duhura deri në vitin 2014 nga  ministria jonë, këto kompani janë të obliguara të marrin leje ose të përgatisin dokumentacionet e nevojshme për zgjatjen e afateve. Në rast se nuk i kanë plotësuar kushtet, atëherë mund tu merret leja  ose të ketë prolongim të afateve. Makstilit dhe Jugohromit ju dha afat që t'i plotësojnë kushtet mirëpo Makstili, nuk arriti dhe e mbylli deri në vënien e filtrave, ndërsa Jugorhromi vazhdoi me punë. Jugohromit iu vazhdua afati edhe për dy vite, por me kusht që çdo 6 muaj të avancoj në vënien e filtrave, mirëpo sot e kësaj dite ato nuk e kanë plotësuar këtë kusht. Ne si ministri kemi dhënë mendim se nuk duhet t’i jepet leja, por qeveria me një debat brenda për brenda ka vendosur që t’i jepet edhe një shans. Mundësia që i është dhënë, më tepër është mbështetur te aspekti social, pasi kishte 1250 të punësuar. Tani Jugohromit iu reduktua në gjysmë kapaciteti i punës, nga 100 mega vat në 25 mega vat. Por kushti i prolongimit ishte që të mos largon nga puna asnjë punëtorë nga mbi 1 mijë të punësuar që i posedon. Sipas informatave të fundit që i posedoj, Jugohromi e ka redaktuar prodhimin për shkaqe teknike të tregut. Mirëpo, nuk i qëndroi besnik marrëveshjes dhe ka larguar nga puna rreth 700 të punësuar. Besoj se shumë shpejt do të ketë një zgjedhje për Jugohromin dhe nëse nuk i përmbahet marrëveshjes atëherë ka gjasa që ti merret leja.

Sa ndikim mund të ketë instalimi i Gazifikimit, në parandalimin e ndotjes së ajrit?

Qeveria ka filluar masat për gazifikimin. Në disa rajone të vendit kemi filluar me installimin e gazsjellësit. Siç e dimë faza e para e installimit të gazifikimit ka mbaruar  në rajonin e Maqedonisë Perëndimore. Kjo e përfshin Shkupin, Tetovën, Gostivarin dhe Kërçovën. Në gjysmën e dytë të këtij viti do të vazhdoj të ndërtohet  dhe të  hapet procedura për koncesionim edhe të sistemit sekondar dhe tercial për qytetet si Tetova, Gostivari, Kërçova etj. Kjo është shumë me rëndësi dhe e domosdoshme në përmirësimin e ajrit. Industria dhe amvisëria do të lidhen në këtë sistem dhe do ta përdorin atë për nevojat e tyre.

Si shkon  procedura për lëshimin e lejeve ekologjike të integruara?

Sipas ligjit për ambient, ministrisë i takon një ndër dikasteret më të decentralizuara në nivelin lokal dhe jemi përgjegjës për kapacitetet të cilat japin leje A të integruar, ndërsa për leje B dhe elaborate janë përgjegjës institucionet lokale. Për afërsisht janë bërë 150 aplikime për leje, ndërsa  deri tani janë dhënë mbi 120. Ndërsa për ato që kanë ngelë jemi në fazën e përfundimit, varësisht nga veprimtaria që bëhet sepse  aty është i definuar kapaciteti dhe kriteret që duhen t'i përmbushin. Komunat të cilat janë të përgatitura me institucione dhe inspektorate mund të japin leje, ndërsa ato që nuk janë e përcjellin lejen tek ne dhe ne e përgatisim. Pasi të merret leja, pastaj për çdo ndryshim duhet t’i plotësoj të gjitha kushtet që do ti’ kërkohen. Inspektorati republikan në bazë të lejes bën matje apostafate se a ka shkelje të ndotjes së tokës, ujit, ajrit etj.

Sa deponi kemi në vendin tonë dhe si shkon puna nëpër ato deponi? Deri ku ka arritur procedura për ndërtimin e deponive rajonale në Republikën e Maqedonisë?

Interviste me ministrin e ambientit dhe planifikimit hapesinor Nurhan Izairi 65446Në nivel shtetërorë ekzistojnë diku 54 deponi komunale, por jo me standard dhe kritere të duhura. Në nivel të shtetit është vetëm një deponi e Drisllës, e cila i ka të plotësuar standardet. Në Pollog kemi deponin Rusino e cila nuk i plotëson standardet. Në kuadër të qyteteve ekzistojnë mbi 1000 deponi të egra ku qytetarët i hedhin mbeturinat. Kemi filluar të punojmë me IPA fonde që ta zgjedhim problemin e deponive. Në dy rajone, si në Lindje dhe Jug-Lindje me IPA fondet projektet po zhvillohen me një rritëm të mirë.  Për zgjedhjen e çështjes së  deponive kemi punuar plane për menaxhimin me mbeturina, kurse faza e dytë parasheh mbylljen e disa deponive të egra dhe  hapjen e disa deponive të përkohshme. Planifikohet që brenda 3 viteve të vendoset se çfarë forme të deponisë do të kemi. Shumë shpejt do e miratojmë planin për menaxhimin e mbeturinave në  rajonin e Pollogut, që do e miraton ministria në bashkëpunim me komunat. Studimi do të jetë në disa variante, se cila do të jetë forma e trajtimit të mbeturinave. Këtë vit planifikojmë që të fillojmë të projektojmë edhe 4 deponi në rajone të ndryshme të shtetit.

Sa jeni të kënaqur nga menaxhimi dhe ruajtja e resurseve të ujit?

Nuk mund të them se jam i kënaqur dhe siç e shihni ne po bëjmë investime në këtë sferë për përmirësimin e së njëjtës. Në kuadër të menaxhimit të Unionit Evropian ne kemi mjete në dispozicion të cilat i shfrytëzojmë për përmirësimin e kësaj situate. Kemi arritur të bëjmë zgjedhjen e shumë problemeve që i kanë pasur qytetet urbane dhe shumë komuna rurale të cilët kanë pasur probleme me ujin e pijshëm. Punimet i kemi filluar në pjesët të cilët kanë qenë më shumë të tanguara, duke filluar nga Likova, Tetova e deri në Gostivar. Sipas një përllogaritjeje në nivel shtetërorë të studimit tonë në bashkëpunim me shtetin britanik kemi arritur në  rezultatin final se për rregullimin e kësaj situate na nevojiten rreth 900 milion euro. Vitin e kaluar dhe këtë vit ne kemi në dispozicion rreth 100 milion euro, të cilët do të investohen për përmirësimin e ujërave të zeza. Me ndihmën e shtetit zviceran, jemi duke i ndërtuar disa stacione filtrimi. Tani planifikojmë që ta lëshojmë filtrimin e ujit në komunën e Vrapçishtit, komunën e Tetovësë dhe të Likovës. Por kjo procedurë do të zgjas disa vite. Ato që nuk kanë pasur plan për ujë dhe kanalizim kemi bërë marrëveshje që t’i financojmë edhe ato projekte. Sipas informimit tim komuna e Haraçinës ka përgatitur  një plan , e cila më vonë do të hyj në programin tonë .

Cilat projekte priten të fillojnë në Maqedoninë PerËndimore?

Këtë vit do fillojmë të ndërtojmë stacionin e filtrimit të ujërave të zeza për qytetin e Tetovës, dhe për ndërtimin e kanalizimit për disa fshatra rreth Tetovës. Ndërtimi i këtij projekti kompleks pritet të zgjatë rreth 3 vite. Këtë vit ne nënshkruam plan projekt për kanalizim në komunën e Vrapçishtit, projekt që do të financohet nga vet ministria. Sipas marrëveshjes të gjitha planet në komunën e Vrapçishtit do të hartohen brenda 6 muajve.

Shumë kompani po bëjnë gërmime sidomos në vende malore. Çfarë kushte duhet të respektojnë këta kompani dhe a i përmbahen mendimeve që jepen nga ana e ministrisë tuaj?

Lejen për koncesion e marrin nga ministria e Ekonomisë, ndërsa tek ne marrin vetëm mendim se a janë në zonën e mbrojtur  dhe ne nuk mund t’i ndalojmë. Atje ku ka impakte negative ne japim mendim negativ. Ka ndodhur që ne  kemi dhanë mendim negativ edhe atëherë kur e kanë prishur edhe peizazhin dhe pamjen e atij lokacioni.

Pastrimi i shtretërve të lumenjve në rajonin e Tetovës sipas përmbytjeve është bërë i domosdoshëm. Kemi ndonjë rezultat konkret nga kjo?

Me rastin e vërshimeve që patëm vitin që shkoi intervenuam shpejt dhe rezultatet ishin evidente. Ne kemi menaxhuar me një sasi të naftës që është dhënë, të cilën e kemi ndarë për të gjitha komunat që kanë bërë aplikimin tek ne, dhe në vitin 2015 ka përfunduar shpërndarja e tërë e sasisë së naftës. Sipas të dhënave që posedoj, shumica e komunave e kanë bërë pastrimin e lumenjve. Kuptohet se kjo kërkon punë permanente dhe mirëmbajtja është shumë me rëndësi, por evitimi i rrezikut që ka qenë nga përmbytjet vitin e kaluar, tashmë është shmangur, vendet kyçe në këtë rajon janë të pastruara.

Është sjell ligji për menaxhim me pajisjet elektrike dhe elektronike dhe me mbeturinat elektrike dhe elektronike. Cilat janë përvojat e deritanishme me implementim e këtij ligji?

Është sjell ligji për menaxhim me paketimin dhe mbeturinat e paketimit për pajisje elektrike dhe elektronike si dhe për bateri dhe akumulator. Ne jemi në fazën e parë të implementimit dhe funksionojmë nëpërmjet operatorëve kolektiv për pajisje elektrike dhe elektronike. Jemi akoma në  fazën e pajisjeve të cilat i plotësojnë kushtet sipas ligjeve për marrjen e lejeve adekuate për menaxhim me këto mjete. Deri tani nuk jam i kënaqur, por duhet të punohet në bazë të ligjeve dhe janë të definuara qëllimet se çka duhet ata të arrijnë. Shpresoj që me angazhimin e të gjithëve do të shkojmë me hapa të sigurt dhe do ta përshpejtojmë ritmin.

Please publish modules in offcanvas position.