Finalizimi I Listës Votuese Pas Përfundimit Të Kontrollit Në Terren

Finalizimi I Listës Votuese Pas Përfundimit Të Kontrollit Në Terren

Intervistë me zëvendës kryetarin e Komisionit Shtetërorë Zgjedhorë, Rexhep Prekopuca

Sa ka arritur KSHZ, që të finalizoje listën votuese?

Nëse mendoni për aktivitetet e KSHZ-së, në lidhje me kontrollimet e kryqëzuara dhe kontrollimin në terren, mund t’ju them se ne kemi përfunduar me kryqëzimin e të dhënave dhe tani jemi në fazën para fillimit të kontrollimit në terren. Deri më tani kemi prëfunduar trajnimet e të punësuarve nëpër njësitë dhe zyrat rajonale, ndërsa ata do të bëjnë trajnimin e anketuesve. Po ashtu, kemi siguruar të gjitha aspektet tjera logjistike në dobi të këtij procesi. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është në përfundim e sipër të përgatitjeve dhe besojmë se do të fillojmë kontrollimet në terren me 26 ose 27 mars dhe t’i mbarojmë me 3 prill.

Flitet edhe për numrat fiktiv të votuesve. Në fakt për çfarë bëhet fjalë?

Nuk e di nga e keni ju këtë informatë se nga rezultatet e kryqëzimit kanë dalur votues fiktiv. Ne, nëpërmjet kryqëzimeve, varësisht nga pyetjet, vetëm kemi detektuar shënime jokonzistente, që do të thotë se baza e regjistrimit të tyre, në një farë mënyre, mund të jetë e dyshimtë, por jo definitive. Me kontrollimet administrative edhe në terren, ne do të mundohemi të sqarojmë edhe më tutje shënimet e tilla. Numri i përgjithshëm i personave, të cilët do të përfshihen në kontrollimin administrativ dhe në terren janë 188.820. Prej tyre 89.383 do të kontrollohen në terren, ndërsa 107.660 do të kontrollohen në mënyrë administrative. Me këtë rast, duhet të sqaroj se disa persona që kontrollohen në mënyrë administrative, në të njëtjën kohë kontrollohen në dy organe përkatëse , dhe disa persona që kontrollohen në terren do të kontrollohen sipas bazave të ndryshme.

A mund të presim që numri i votuese të zvogëlohet nga lista zgjedhore e vitit 2014?

Kjo varet nga rezultatet e kontrollimeve dhe nga puna e institucioneve, sepse Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në të shumtën e rasteve do të veprojë në bazë të akteve juridike të këtyre institucioneve.

Flitet për një numër të konsiderueshëm të personave që kanë më shumë se një numër amë. Në bazë të argumenteve që posedoni Ju sa është ky numër?

Deri më tani, ne nuk kemi hasur në persona të tillë. Ju duhet të keni parasysh se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk është organ hetues. Po ashtu, ne si organ nuk jemi kompetent të japim dokument të identifikimit dhe të lëshojmë numra amë. Nëse ka ndonjë keqpërdorim të tillë, duhet të veprojnë organet e hetuesisë.

Komisioni shtetëror i zgjedhjeve nuk bën përpilimin e listave zgjedhore. Të dhënat në listën zgjedhore KSHZ-ja i merr nga Ministria e punëve të brendshme, dhe ne tani jemi duke i kontrolluar këto të dhëna.

A mund të ketë ndryshime të kufijve në 6 zonat zgjedhore?

Ne, si Komision Shtetëror i Zgjedhjeve, i jemi drejtuar Ministrisë së drejtësisë për të iniciuar ndryshim në Kodin zgjedhor, me qëllim të barazimit të numrit të zgjedhësve në secilën njësi zgjedhore kjo në përputhje me Ligjin.

Në anën tjetër shtetasit e Republikës së Maqedonisë që përkohësisht punojnë ose qëndrojnë jasht vendit, kanë të drejtë vote dhe ata janë në Listën zgjedhore.

Sa është numri i vendimeve që janë kontestuar nga zv ministrat plotësues dhe më pas kanë arritur tek KSHZ për shqyrtim?

Deri te përbërja e re e Komisionit Shtetëror Zgjedhor ka ardhur vetëm një kërkesë nga ministri plotësues në ministrinë e punëve të brendshme, që kishte të bënte me disa çështje kadrovike dhe ne, si Komision kemi marrë vendim në lidhje me këtë. Është e vrëtetë se ka patur një kërkesë edhe nga zëvendësministri plotësues në Ministrinë e financave në lidhje me huamarrjet, por kjo kërkesë është shqyrtuar nga përbërja e mëparshme e Komisionit. Në lidhje me kompetencat e KSHZ, ai thotë se KSHZ-ja, sikurse deri më tani, punon dhe vepron për të siguruar të gjitha kushtet për mbarëvajtje të procesit zgjedhor. Kuptohet se kompetencat e shtuara do të ndihmojnë edhe më tej në këtë drejtim.Po ashtu KSHZ ka hapur një link për të mundësuar qytetarëve që të bëjnë verifikimin se janë apo jo në listën votuese.Një mundësi e tillë iu ofrua qytetarëve për herë të parë. Duhet të theksohet se, sipas Ligjit, ne kemi qenë të obliguar të publikojmë listën zgjedhore me emër, mbiemër dhe adresë, por jo edhe mundësinë për paraqitjen e intervenimeve të qytetarëve. Këtë e bëmë me qëllim të përfshirjes edhe të qytetarëve në këtë proces. Numri i përgjithshëm i informatave nga ana e qytetarëve është 6795. Fatkeqësisht, nga numri që deri më tani kemi përpunuar 99% të këtyre informatave dalin si të pasakta. Gjegjësisht nga 7 denoncime se personat nuk kanë 18 vjet, asnjë nuk është i saktë; nga 39 denoncime se personat nuk kanë aftësi legale, asnjë nuk është i saktë; nga 257 denoncime se personat nuk kanë shtetësi, vetëm 2 janë të sakta, edhe atë personat kanë kërkuar të heqin shtetësinë pas 1 dhjetorit të vitit 2015, ndërsa të dhënat e publikuara në aplikacionin në internet janë deri me 1 dhjetor të vitit 2015.

Please publish modules in offcanvas position.