Pozita Duhet Të Konsiderohet Si Përgjegjësi E Jo Si Avantazh

Pozita Duhet Të Konsiderohet Si Përgjegjësi E Jo Si Avantazh

POZITA DHE PËRGJEGJËSIA

Përse disa njerëz mendojnë shumë se si të bëhen të parët, udhëheqës, prijës, madje për këtë gjë ata bëjnë vetëflijime, por nuk ngurojnë të flijojnë edhe të tjerët. Për të arritur qëllimet e tyre ata veten e nënshtrojnë ndaj rreziqeve materiale dhe shpirtërore. Disa nga ata që marrin pjesë në garat për tu zgjedhur, për të eliminuar kundërshtarët e dikujt ata ndonjëherë shkojnë aq larg sa që nuk ngurojnë të "shkatërrojnë" armikun potencial.

Mendoj se ndër shkaqet kryesore është përfitimi dhe avantazhet e pozitës për përfitime materiale. Për fat të keq njerëzit e tillë të mahnitur nga pozita dhe dëshira për të fituar nuk mendojnë aspak për aspektin shpirtëror dhe për atë se çka humbin si dhe për përgjegjësinë që marrin përsipër.

Arsyetimet e tyre shpesh janë, leri ore humbjet shpirtërore shiko fitimin dhe avantazhet ndaj njerëzve tjerë!..

Kjo do të thotë se për ata më me rëndësi është vetëm fitimi pa marrë parasysh rreziqet dhe mënyrat se si të vihet deri te fitimi. Ata nuk mendojnë as për përgjegjësitë që i sjell ajo pozitë ndërsa për vdekjen dhe për atë që pason pastaj as që duan të dëgjojnë.

Nëse doni urdhëroni e të shqyrtojmë disa probleme për të cilat mendoj se do të ju shtyjnë të mendoni edhe rreth përgjegjësive që i ka të jesh i pari.

Mendoj se do të kuptoni se përpos profitit dhe avantazheve ka edhe humbje dhe përgjegjësi aq të mëdha dhe trishtuese...

Nga librat e haditheve gjejmë edhe hadithe të cilat flasin për dhënien e llogarisë në ditën e Mahsherit. Ndërsa në ditën e mahsherit të gjithë njerëzit do të presin të lirë të japin llogari, një grup tjetër njerëzish do të jenë më tepër të shqetësuar për llogarinë e tyre dhe do ti kenë duart e lidhura për koke...

Vallë kush janë këta njerëz që me duar të lidhura për koke presin të japin llogari?

Ata janë të parët dhe udhëheqësit... qoftë se kanë qenë edhe udhëheqës të një grupi shumë të vogël. Mjafton të kenë pasur dikë nën urdhrin e tyre...

Do të thotë se përderisa njerëzit tjerë do të presin të japin llogarinë e veprave të tyre personale një grup tjetër presin të japin edhe llogarinë e njerëzve të cilët i kanë udhëhequr. Por çka është më e keqja, ata do të qëndrojnë me duar të lidhura për kokën e tyre. Nëse i japin me sukses llogaritë do tu zgjidhen duart, por nëse nuk mund t’i japin ashtu si duhet atëherë me duar të lidhura do të hidhen atje ku duhet të japin llogarinë në mënyrë tjetër... Si duket ky ka qenë shkaku që shumë dijetarë të mëdhenj myslimanë nuk kanë pranuar pozitën udhëheqëse.

Abdullah bin el Mübareku kur ishte në vizitë të vendeve të shenjta me Kalifin Mansur në një rast i pa haxhinjtë të cilët qanin me lot përderisa luteshin për falje, ai kalifit i thotë: O i pari i myslimanëve! A i sheh se si po qajnë ?

Po! i thotë Kalifi.

Të gjithë ata qajnë dhe kërkojnë lehtësim për ditën kur do të duhet të japin llogaritë e tyre. Ata do të japin vetëm llogaritë personale, por ju e dini se përpos llogarisë personale do të japish edhe llogari për ata që i ke nën sundimin tënd. Si mendon vallë a duhet që edhe t’i të qash dhe të kërkosh falje dhe lehtësim për llogaritë tuaja?!

El Mubareku vazhdoi dhe tha:

Ti je i pari je udhëheqës, prandaj ju jeni përgjegjës para Allahut xh.sh. edhe padrejtësitë, për keqtrajtimet dhe për varfërinë e tyre...

Tashmë radhën për të qarë e kishte Kalifi, ai e dinte përgjegjësinë e barrës që kishte mbi supe. Kalifi tha: O Abdullah sikur gjithmonë të ishe me mua dhe të ma kujtosh përgjegjësinë time!

Prandaj njeriu kur vendos që të merr ndonjë detyrë me përgjegjësi nuk duhet të shikon vetëm anën pozitive dhe përfitimin nga pozita, por ai më tepër duhet të kujdeset për anën tjetër për përgjegjësitë që i ka ajo pozitë. Duhet të ketë kujdes që në ditën e llogarive të mos ngelë me duar të lidhura për koke...

Këto ishin disa këshilla për ata që duan të bëhen udhëheqës sidomos udhëheqës që në duart e tyre do të kenë fatin e popullit. Të kujdesen për përgjegjësitë që i ka pozita. E imja ishte t’ju përkujtojë, ndërsa Ju përsëri jeni të lirë të caktoni se si të veproni!!!

Please publish modules in offcanvas position.