ACITAD dhe MIBA do të jenë promotorë të biznesit shqiptarë

ACITAD dhe MIBA do të jenë promotorë të biznesit shqiptarë

Përshtypjet nga takimi mbarëkombëtarë në Tiranë

Para disa ditëve, bashkë me disa kolegë nga Shkupi morëm pjesë në takimin mbarëkombëtarë që u organizua nga ana e odës ekonomike ACITAD në Tiranë. Në këtë takim morën pjesë një numër i konsiderueshëm i biznesmenëve dhe industrialistë nga Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi si dhe 200 biznesmenë nga Shqipëria, anëtarë të odës ekonomike ACITAD. Takimi u konsiderua si shumë i frytshëm për pjesëmarrësit, gjë që mund të shihej edhe në fytyrat e pjesëmarrësve. Pas përfundimit të takimeve biznesmenët në mes veti (B2B) patëm mundësinë që të takohen edhe me disa pjesëmarrës nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët këtë takim e vlerësuan si takim historik, kurse pjesëmarrësit në këtë takim i vlerësuan si të nivelit të lartë. Nga jashtë qartë mund të shihej se pjesëmarrësit ishin të lumtur sidomos nga takimet e realizuara dhe nga programi që e ofroi oda ekonomike ACITAD.

Në këtë takim mori pjesë edhe oda ekonomike e sapoformuar në vendin tonë, pra Oda Ekonomike e Industrialistëve dhe të Biznesmenëve të Maqedonisë (MIBA), me mbi 90 anëtarët e saj. Lirisht mund të themi se ishte një ndër odat me më shumë përfaqësues të jashtëm në këtë takim. Takimet u zhvilluan në hotelin më të famshëm të Tiranës, Hotel International of Tirana, kurse mbyllja u realizua në hotelin më të famshëm botërorë, Hotel “Sheraton”. Gjithçka ishte në nivel, ndërsa e vetmja gjë që do të jetë e pashlyer është bashkëpunimi që do të realizohet mes biznesmenëve të shteteve fqinje ku shumicën e përbënin biznesmenët shqiptarë të Ballkanit. Siç theksuam edhe më lartë oda ekonomike MIBA, si një odë e posa formuar luajti rolin më të rëndësishëm në këtë takim. Takimi në Tiranë, ndoshta ishte edhe një sfidë për këtë odë të re që në një të ardhme shumë të afërt të njëjtën gjë ta realizoj edhe në vendin tonë.

Në fund, para përfundimit të programit për përfaqësuesit e bizneseve shqiptare në trojet e tyre u ndanë edhe çmime. Çmimin për përfaqësues të biznesmenëve shqiptarë nga Maqedonia e fitoi z. Menderes Kuçi, kurse çmime iu ndanë edhe biznesmenëve nga Kosova dhe Mali i Zi. Edhe pse në program nuk morri pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për shkak të vizitës që e kishte në Hon Kong, zv/Kryeministri Niko Peleshi dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ishin shumë pozitiv dhe me plot shpresë, duke dhënë një shtytje se bizneset shqiptare me bashkëpunim mbarëkombëtar mund ta arrijnë nivelin e dëshiruar. Deklaratat e tilla mendoj se shërbyen për motivimin biznesmenëve që në të ardhmen, edhe pse ende hidhen hapat e parë të kemi një biznes të përbashkët mbarëkombëtar.

Si përfundim desha t’i them edhe disa fjalë për dhomën tregtare ACITAD dhe aktivitetet e saja. Dhoma Shqiptare e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit – ACITAD është themeluar në Tiranë në shkurt të vitit 2012, dhe si qëllim ka krijimin e elitës së biznesit shqiptar dhe forcimin e raportit të shtresës së biznesit me shoqërinë dhe vlerat e saj. Vizioni i shoqatës është jehona e biznesmenëve dhe sipërmarrësve shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe prezantimi i tyre sa më dinjitoz në mbarë botën. Qëllimi i krijimit të kësaj ode është zhvillimi i energjive pozitive në sektorët e ndryshëm të ekonomisë, posaçërisht midis anëtarëve të shoqatës dhe promovimin, zhvillimit personal, profesional dhe social të anëtarëve të shoqatës, si dhe angazhimin e tyre në projekte kërkimore-zhvilluese duke i mbështetur ata në përputhje me legjislacionin drejt sektorëve strategjik. Prioritet më i rëndësishëm i ACITAD është ndjenja e solidaritetit dhe përgjegjësive sociale, në rishpërndarjen e përfitimeve të elitës së biznesit në mbarë shoqërinë. ACITAD mbështet krijimin e një kulture pozitive të ndihmës së ndërsjellë midis anëtarëve si dhe angazhimin e tyre në promovimin e vlerave të shoqërisë.

Please publish modules in offcanvas position.