Si mund të minimizohet importi i mishit?

Si mund të minimizohet importi i mishit?

Rreth 35% ose 1/3 e mishit që e konsumojmë, gjegjësisht 1/3 e mishit që gjendet nëpër mishtore të ndryshme është mish i importuar nga jashtë. Kjo shifër nuk është për t’u nënçmuar ngase jo vetëm që i bën njerëzit të mendojnë dy herë para se të shkojnë të blejnë mish në mishtore, por gjithashtu na bën të mendojmë se si mund të kompensohet, gjegjësisht të mbyllet një zbrazëtirë e tillë.

Maqedonia në ish Jugosllavi, gjithmonë ka qenë më e njohur nga aspekti i klimës së përshtatshme gjë që e ka bërë një vend i dalluar në fushën e bujqësisë dhe të blegtorisë. Republikat që e kanë përbërë këtë shtet që atëherë kanë qenë të njohur me disa karakteristika të tyre. Kjo gjë përmendet edhe sot e kësaj dite në bisedat që bëhen për sistemin dhe rëndësinë e republikave të asaj kohe. Për shembull kur të përmendet Sllovenia, menjëherë na aludon në teknologjinë dhe produktet kualitative në këtë lëmi, Kroacia ka aluduar në turizëm, kurse Maqedonia është njohur për një vend me klimë të favorshme dhe me produkte bujqësore si dhe me një blegtori të zhvilluar. Jo vetëm aq, por sot e kësaj dite këtë e dëshmojnë edhe tentimet e brendimit të produkteve bujqësore siç është grosha e Tetovës, ajvari, gjithashtu edhe hapja e fabrikës të brendit më të madh turk të qumështit i cili një sasi shumë të madhe të qumështit e importon nga jashtë.

Parashtrohet pyetja se si ka mundësi një vend kaq shumë i përshtatshëm për bujqësi dhe blegtori të sheh nevojën e importimit të mishit dhe qumështit nga jashtë? Si mund të mbyllet një zbrazëtirë kaq e madhe në këtë sferë. Vallë a mund të minimizohet kjo gjë nëse qeveria në bashkëpunim me Unionin Evropian, duke i përdorur fondet që kanë të bëjnë në këtë drejtim do të mundet që ta minimizonte por edhe të mos ndjente nevojë për import të mishit dhe të qumështit nga jashtë?

Unë jam i mendimit se një mundësi e tillë ekziston dhe se Maqedonia, ndoshta mund të shndërrohet edhe në një vend që do të mund edhe të eksportoj mish dhe qumësht si dhe produktet e tyre. Ajo që është e nevojshme ka të bëjë me faktin se krijimit të politikave të mirëfillta, që do t’i nxis njerëzit që jetojnë nëpër vende rurale që të merren me bujqësi, blegtori, të japin subvencione që pak nga pak të fillojnë të merren me blegtori dhe ndoshta me kohë të formohen edhe ferma, gjë që do të ndihmonte shumë në minimizimin e importit por edhe shumë faktorë negative në vend, dhe në këtë mënyrë konsumatorët do të ndjeheshin më të rehatshëm jo vetëm gjatë blerjes por edhe gjatë konsumimit të mishit.

Një zgjidhje tjetër ndoshta do të ishte edhe bashkëpunimi i zyrës së agjencisë Hallall me institucionet përkatëse, gjë që do t’i mundësonte agjencisë të bëj kontrollimin e mishit të importuar dhe të vë vulën Hallall nëse mishi është i prerë në përputhshmëri me kushtet e të qenit hallall.

Mirëpo, vendi ynë momentalisht është shumë i preokupuar me aktualitete që nuk i sjellin asnjë dobi, por që vetëm e harxhon energjinë e njerëzve në gjëra që nuk janë aspak produktive për shoqërinë. Sikur e gjithë energjia dhe potenciali të harxhohej në projekte produktive ndoshta nuk do të kishte hapësirë të merremi me gjëra jo produktive dhe kriza politike.

Please publish modules in offcanvas position.