Shtetet etnike, realitet apo iluzion

Shtetet etnike, realitet apo iluzion

Jetojmë në një botë të njëjtë dhe të vetëm, por me shumë dallime dhe me ndarje imagjinare. Deri sa para një shekulli nuk kanë ekzistuar territore sipas perceptimeve kombëtare, me fillimin e shekullit XX fillojnë të formohen shtetet kombëtare.

Mirëpo, asnjëra nga shtetet e formuara nuk janë të pastra etnikisht, sepse një shtet i tillë as nuk mund të imagjinohet. Sipas hulumtimeve të Euro-statit, vetëm në vitin 2008, 30 për qind e popullatës në Francë janë ardhacakë. Nga kjo përqindje, vetëm 11 për qind janë të lindur në Francë, kurse përqindja tjetër u takon atyre që nuk janë të lindur në Francë, por posedojnë nënshtetësi franceze. Edhe në Britani gjendja nuk është aspak ndryshe, 25 për qind e të porsalindurve në Angli janë nga nënat jo-angleze, thotë profesori i demografisë pranë Universitetit Oksford, David Coleman.

Raporti të cilin e përcjell Coleman është marrë nga hulumtimet e realizuara në organizatën akademike “Migration Observatory”. Situata është e njëjtë gati si në të gjitha shtetet evropiane dhe gjithashtu edhe në SHBA. Prej këtu mund të kuptojmë se shtetet në baza etnike janë vetëm një iluzion, përderisa realiteti thotë krejt ndryshe.

Në një botë ku jetojnë me miliarda njerëz dhe që patjetër është të komunikohet me njëri-tjetrin, një botë e ndarë është e pa imagjinuar. Ndoshta mund të vendosen vija (kufij) të imagjinuara, por realiteti përsëri nuk mund të ndryshojë. Asnjëherë nuk mund të ketë shtete etnikisht të pastra. Mund të ketë emërtime në baza etnike, por assesi nuk mund të ketë vende etnikisht të pastra. Atëherë shtrohet pyetja, se pse njerëzit tentojnë të formojnë një botë të tillë dhe çfarë janë dobitë e këtyre shteteve?

Shtetet etnike janë të formuara për të mbrojtur interesat e vetëm një kombi, duke anashkaluar interesat e kombeve të tjera. Kurse kjo gjë i shndërron popujt e atyre shteteve në njerëz vetjakë, koprracë dhe mbi të gjitha frikacakë. Bëhen vetjakë ngaqë janë të izoluar në foletë e tyre dhe jo vetëm që nuk i mendojnë të tjerët, por në vete posedojnë një frikë të atillë se gjithçka që vjen nga jashtë është e rrezikshme për ta. Kjo i ngjanë një përralle, ku pleqtë e një fshati me qëllim që të mbrohen nga risitë që mund të vijnë nga bota e jashtme, duke menduar se mund të sjellin rrezik për fshatarët, krijojnë një bishë të imagjinuar. Asnjëri nuk guxon të hyjë në pyll për shkak të bishës. Ata që tentojnë të hynë në pyll, vriten nga ana e pleqve. Kjo gjë vazhdon deri atëherë kur njëri prej tyre, më në fund, arrin ta kalojë pyllin dhe ta kuptojë të vërtetën. E gjithë kjo vjen nga një perceptim shumë i gabuar, që i kanë njerëzit në mendjet e tyre. Ndoshta kjo është edhe një kompleks i gjithë njerëzimit. Ne i ndajmë shoqëritë sipas kombit dhe fesë së tyre. Mirëpo, sipas mendimit tim, njerëzit duhet të ndahen në dy grupe, në ata që bëjnë vepra të mira dhe në ata që s’bëjnë vepra të mira.

Territoret, vendet dhe njerëzit e tjerë nuk duhet të na frikësojnë. Përkundrazi, njohja me njerëz dhe me kultura të reja vetëm na e plotësojnë bagazhin tonë dhe nuk marrin asgjë prej nesh. Këtë realitet, edhe pse me vështirësi, tashmë është duke e pranuar edhe vetë Perëndimi. Këto janë shtetet që deri dje njerëzit i kanë klasifikuar sipas racës së bardhë dhe të zezë, si psh. anglezë të bardhë (vendas) dhe të tjerë. Mirëpo, as ata nuk kanë arritur që të ngelen etnikisht të pastër si popuj. Dhe, raportet apo përqindja e njerëzve që vijnë nga jashtë tashmë është duke u shtuar çdo ditë e më shumë. Sipas disa raporteve, në disa qytete të Anglisë, në vitin 2066 pritet të ketë më shumë të huaj se sa vendas. E gjithë kjo na tregon qartë se kjo botë nuk mund të ndahet me vija imagjinare në shtete të pastra etnike, ngaqë një ndarje e tillë është kundra natyrës njerëzore. Thjesht, bota nuk është krijuar që njerëzit të jetojnë të ndarë. Mirëpo, as dallimet nuk duhet të shihen si një rrezik, por, përkundrazi, ato duhet të perceptohen si pasuri.

Please publish modules in offcanvas position.