“Stambolli është Kajro, Kajroja është Stamboll”

“Stambolli është Kajro, Kajroja është Stamboll”

Para disa ditëve, kryeministri i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, qëndroi në Kosovë, ku u takua me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Vizita e kryeministrit të Turqisë në Kosovë ishte një ngjarje e madhe, ngaqë për herë të parë këto tre kryeministra të këtyre tre vendeve miqësore takoheshin me qëllim të thellimit të bashkëpunimit mes këtyre vendeve mike. Deri këtu ishte gjithçka në rregull. Mirëpo, pas fjalimit që e mbajti kryeministri turk në Prizren, disa qarqe intelektuale shqiptare, pastaj edhe ato serbe, secila në mënyrën e vet, shprehën indinjatën e tyre për fjalët e cituara nga konteksti i fjalimit të kryeministrit turk. Në të vërtetë, fjalët ishin keqkuptuar nga këto qarqe, të cilat injoruan simbolikën e shprehjes së miqësisë së afërt, që është një retorikë normale gjatë fjalimeve në këto raste.

Kjo gjë ma përkujtoi një ngjarje që kishte ndodhur vitin e kaluar në një ndeshje futbolli mes një skuadre të rrethit të Gostivarit dhe një klubi tjetër të Shkupit të etnitetit maqedonas. Ndeshja luhej në stadiumin e Vrapçishtit, mirëpo ndryshe nga ditët e tjera, fansat e këtij klubi kishin shkruar një pankartë, që një klub i futbollit të Ligës së parë në Turqi, gjegjësisht fansat e klubit të futbollit Fenerbahçe i përdorin ato fjalë si moto të tyre që nga themelimi: “Këtu është Kadikoji, s’ka rrugëdalje nga ky vend”. Kadikoji është vendi ku gjendet stadiumi i Fenerbahçes. Për Turqinë, këto fjalë janë shumë normale dhe nuk nxisin asnjë reagim. Mirëpo, pankarta e hapur në Vrapçisht, ku figuronte: “Këtu është Vrapçishti, s’ka rrugëdalje nga ky vend”, kishte hapur shumë reagime në qarqet mediatike maqedonase. Në disa media bile kishin shkruar se fansat e klubit të futbollit të Vrapçishtit na kërcënuan se s’do të na lënë të dalim gjallë, se do të na rrahin etj. etj. Ato fjalë që në Turqi nuk jepnin asnjë reagim, në Maqedoni dhanë reagime të papritura.

Tani të kthehemi tek fjalët e kryeministrit turk, të cilat u bënë shkaktarë që të bëheshin shumë reagime si në qarqet e ndryshme tek shqiptarët, ashtu edhe në ato serbe. Kryeministri Erdogan, në fjalimin e tij u shpreh kështu: “Kosova është Turqi, kurse Turqia është Kosovë”. Kjo fjali mund të transmetohet në shumë mënyra, nëse përkthimi i saj bëhet fjalë për fjalë. Në fakt, kryeministri turk këto fjalë i përdor shumë edhe në mitingjet në Turqi. Për shembull, kur i përmend qytetet, Stambolli është Kajro dhe Kajroja është Stamboll. Me këto fjalë, ai do të thotë se qytetarët e Stambollit dhe të Kajros janë vëllezër. Dhe se për ne aq sa janë të rëndësishëm banorët e Stambollit po aq janë edhe banorët e Kajros. Besoj se të njëjtën gjë ka dashur të shpreh edhe me fjalët që i shqiptoi në Kosovë. Mirëpo, siç theksova edhe më lartë, nëse këto fjalë i përkthejmë fjalë për fjale, mund të keqkuptohen. Ndoshta, disa fjalë që mund të keqkuptohen nuk duhet as të përdoren, ose nëse përdoren do të duhet që të sqarohen mirë. Këto fjalë i kishin keqkuptuar edhe serbët në kundër-protestat ku pohonin se Kosova u takon atyre. Mirëpo, një gjë duhet ta kemi të qartë. Kosova është vetëm e Kosovës dhe nuk i takon askujt tjetër. Asnjë njeri me mendje të shëndoshë, sidomos në shek. XXI, nuk mund ta pohojë të kundërtën, sepse një gjë e tillë do të ishte vetëm një çmenduri. Tanimë ekzistojnë veç shtete të pavarura. Çdo shtet e udhëheq dhe do ta udhëheqin banorët që jetojnë në të dhe askush tjetër. Perandoritë tani më një shekull, plot 100 vjet, kanë marrë fund. Këtë gjë duhet të gjithë ta kenë të qartë. Mjaft më me ato mendime të perënduara nga sistemi komunist. Le të jetojë çdo njeri ashtu siç do dhe ku të dojë. Nëse duam demokraci, atëherë duhet të mësojmë që të respektojmë njëri-tjetrin.

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.