Viti 2018, le të jetë viti i shpresave!

Viti 2018, le të jetë viti i shpresave!

Le të jetë ky një vit i shpresave për tërë popullatën tonë, pa marrë parasysh kombin, fenë apo ideologjisë që i takon. Drejtësi për të gjithë, qetësi për të gjithë.

Kryetari i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker, në një prezantim të tij para anëtarëve të Parlamentit Evropian paralajmëroi zgjerimin e Bashkimit Evropian deri në vitin 2025, gjë që ishte një lajm i mirë për shtetet e Ballkanit Perëndimor, pjesë e së cilës jemi edhe ne. Në anën tjetër përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini, para disa ditëve në një darkë pune me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, tha se viti 2018 do të jetë një mundësi e pakthyeshme për shtetet e Ballkanit Perëndimor në rrugën për t'iu bashkangjitur BE-së. Gjithashtu, në takimin e fundit të Kryeministrit Zaev me Komisionarin e BE-së për Politikat Ndër fqinjësore dhe Negociatat për Zgjerim Johannes Hahn dhe me Kryetarin e Komisionit Evropian Jean Claude Jauncker, ky i fundit tha se punët e qeverisë së Maqedonisë janë duke shkuar në drejtim të duhur, dhe se besojnë që qeveria do të vazhdojë t'i realizoj reformat e nevojshme.

Po ashtu viti 2018, për vendin tonë do të jetë edhe një mundësi e madhe për tu anëtarësuar në Aleancën Veri-Atlantike. Ajo që nevojitet të bëjmë ne dhe që konsiderohet si e vetmja pengesë për t'ju bashkangjitur kësaj familjeje të madhe është krijimi i marrëdhënieve të mira me shtetet përreth dhe tejkalimi i pengesës më të madhe që është zgjidhja e çështjes së emrit. Nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara (KB) apo të deleguarin dhe ndërmjetësuesin Mathew Nimettz, jo më shumë se dy javë më parë, startuan edhe negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit të vendit, një çështje që nuk po gjen zgjidhje më shumë se dy dekada. Pas takimit disa orësh të negociatorëve të të dyja palëve Vasko Naumovski dhe asaj greke Adamantios Vassilakis me ndërmjetësuesin Mathe Nimmetz, ky i fundit doli me deklaratë se takimi për dallim nga viti i kaluar është zhvilluar në një atmosferë shumë më të mirë dhe se ka një disponim nga të dyja palët për ta zgjedhur çështjen e emrit të Maqedonisë që kontestohet nga Greqia.

Të gjitha zhvillimet e fundit na bëjnë të ndjehemi të lumtur dhe të shpresojmë se viti 2018, do të jetë një vit në të cilën vendi do të shënoj progres të theksuar dhe do të bëj hapa të konsiderueshme për t'iu bashkuar familjes së madhe euroatlantike. Ky vit gjithashtu do të jetë vendimtar në realizimin e të gjitha reformave të duhura të cilët janë kyçe për marrjen e rekomandimit për fillimin e negociatave për inkuadrim në BE. Ajo çka na bën të gëzohemi edhe më shumë është hyrja e shtetit në një fazë normale ku mbi të gjitha pritet që të mbisundojë e drejta individuale, ku i pafajshmi me të vërtet do të konsiderohet si pafajshëm, dhe i fajshmi do të jep llogari para institucioneve përkatëse. Një vit që lotët e personave të pafajshëm do të kthehen në gëzim, kurse abuzuesit dhe ato që shkelën mbi trupat e të pafajshmëve për të arritur në qëllimet e tyre tinëzare do të dalin para drejtësisë dhe do të japin llogari. Këtë vit burgjet të mos jenë të mbushur më me njerëz që janë futur me argumente të sajuara dhe të përpunuara në laboratorë të ndryshëm, por shpresojmë që drejtësia do të vrapoj pas kriminelëve dhe abuzuesve të vërtetë të drejtësisë. Le të jetë ky një vit i shpresave për tërë popullatën tonë, pa marrë parasysh kombin, fenë apo ideologjisë që i takon. Drejtësi për të gjithë, qetësi për të gjithë.

Please publish modules in offcanvas position.