22 vjet pavarësi, 22 vjet varësi

22 vjet pavarësi, 22 vjet varësi

Edhe pse u bënë 22 vjet nga pavarësia e vendit, akoma nuk mund të themi për ne shqiptarët, si komb i dytë me madhësi në këtë shtet, se kemi arritur synimin tonë.

Qëllimi ynë, një popull si gjithë të tjerët në botë, nuk konsiston me diçka të jashtëzakonshme apo të pa arritshme, por thjesht me një kërkesë që të kemi të drejta të barabarta, në mënyrë që këtu, në vendin ku jetojmë, ta ndjejmë atë si të tonin dhe t’i dalim krah në çdo fushë.

Them se nuk është një gjë e pa arritshme, sepse kemi shembuj bashkëjetese në shumë vende të botës. E vetmja gjë që mungon është vullneti politik dhe projektet konkrete për ta arritur këtë gjë. Për të sendërtuar këtë “ëndërr” në realitet, fillimisht duhet që ta rikthejmë besimin mes dy kombeve më të mëdhenj që jetojnë në një territor. Duhet t’u bëjmë me dije se ne nuk kemi asnjë qëllim tjetër, përveç se të jetojmë, duke i shijuar të drejtat e barabarta. Në këtë mënyrë, do të jetojmë në harmoni dhe do të mundohemi bashkërisht t’i lartësojmë vlerat e këtij vendi.

22 vjet

Është shumë thjeshtë. Janë vetëm dy alternativa, ose do të jetojmë në paqe dhe në harmoni me njëri-tjetrin, ose çdo herë do të përballemi me konflikte të ndryshme. Kurse, konfliktet nuk krijohen për tjetër gjë, përveç se për një qëllim të caktuar, që një grup i interesave të përbashkëta të sundojë mbi të tjerët. Dua të them se, me një harmoni në jetë të përbashkët fitojnë të gjithë, kurse në konflikte fiton vetëm një grup i caktuar. Kjo nuk ka të bëjë aspak me një popull. Edhe një herë do ta nënvizoj fjalën e lartpërmendur: fiton vetëm një grup i caktuar! Kjo është edhe arsyeja e krijimit të konflikteve në botë, ku gjithmonë i arrin qëllimet e veta vetëm një grup i caktuar. Prej këtu, mesazhi që duhet të nxirret është se, bashkë, çdoherë do të jemi më të fuqishëm. Këtu nuk kemi çfarë të humbim, as ne si popull, por as edhe kombi tjetër me shumicë në vend. Mirëpo, nëse i vlerësojmë gjërat me logjikë të shëndoshë, do të shohim se e kemi patjetër të kemi marrëdhënie të mira, sepse ne jetojmë në një “shtëpi”. Ndoshta në dhoma të ndryshme, por të gjithë jetojmë nën një çati dhe e kemi patjetër të kemi edhe marrëdhënie të mira, sepse ne gjithmonë apo në çdo moment vijmë ballë për ballë me njëri-tjetrin. Ndonjëherë, në ndërtesën ku jetojmë, ndonjëherë në treg, ndonjëherë me ndonjë rast tjetër, mirëpo patjetër që diku do të takohemi, nuk mund të ikim nga njëri-tjetri.

Me aq sa jemi duke i vërejtur rrethanat dhe ecurinë e ngjarjeve, do të vërejmë se edhe pas 22 vjetëve nuk kemi bërë mjaft hapa në këtë drejtim. Gjendja e përgjithshme në këtë vend nuk është më ndryshe nga ajo e para 22 vjetëve. Edhe pse në udhëheqësi kemi pasur gjithmonë përfaqësues tonë, ata nuk kanë arritur që të tregojnë diplomacinë e duhur, për ta arritur qëllimin tonë si komb. Por, ashtu siç jemi të gjithë dëshmitarë, shpesh kemi shkuar që të drejtat tona t’i kërkojmë përmes konflikteve. Mirëpo, siç mund të vërejmë, konfliktet nuk na kanë sjellë asgjë më shumë, por na kanë futur në rrethin vicioz. Kjo, ndoshta ka ndodhur, ngaqë gjithmonë kemi pritur që partitë politike t’i zgjidhin këto probleme. Mirëpo, problemi nuk është kaq i thjeshtë, kërkon një pjesëmarrje më të gjerë. Këtu duhet të kyçemi që të gjithë dhe të mundohemi të kërkojmë një zgjidhje, të shpalojmë projekte të ndryshme. Nuk duhet të jemi të varur prej të tjerëve dhe të presim zgjidhje të gatshme, por të kërkojmë rrugë se si mund t’i ndihmojmë edhe ne një procesi që do të jetë në të mirën e gjithë vendit. Unë mendoj që çdo person në këtë vend mund të kontribuojë në këtë drejtim. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të ulemi dhe të mendojmë se çfarë mund të kontribuojë secili prej nesh në këtë proces nga aspekti individual. Nëse çdonjëri vepron në këtë mënyrë, jam shumë i sigurt se gjithçka do të ndryshojë në të mirën tonë.