Rëndësia e të qenit mësues dhe njëkohësisht edukatorë

Rëndësia e të qenit mësues dhe njëkohësisht edukatorë

"Shumë njerëz mund të jenë mësues, por numri i edukatorëve është shumë i kufizuar." M. F. Gylen

Ndryshimi midis këtyre koncepteve qëndron në atë që edhe mësuesi, edhe edukatori përcjellin dije dhe mjeshtëri, por edukatori është ai i cili ka aftësinë t'i ndihmojë nxënësit e tij në krijimin e personalitetit, të ushqejë mendimin dhe reflektimin tek ai, t'i forcojë karakterin dhe t'i bëjë të mundur atij të përvetësojë cilësitë e vetë-disiplinimit, tolerancës dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Ata të cilët japin mësim thjesht për të marrë rrogën e pa u interesuar për formimin e karakterit të nxënësit cilësohen si "të verbërit që u prijnë të verbërve."

Ndikimi i mësuesit mbi individin është shumë më i madh se ndikimi i prindërve apo i shoqërisë. Në një shkollë të mirë, mësuesi është ai që mbjell e që ruan farën e pastër e të pafajshme. Sikurse është përgjegjësia e tij që të kujdeset për mirësinë e mbrojtjen, ashtu është detyrë e tij edhe të bëhet shembull me sjelljen e vet ndaj evenimenteve të ndryshme e ndaj gjetjes së qëllimit në jetë prej individëve. Mësuesi, ai që vuan me vuajtjen e nxënësit dhe që gëzohet me gëzimin e tij, hyn lirshëm në zemrën e tij dhe lë vija të pashuara gjatë gjithë jetës, me dituritë e urtinë që reflekton, është padyshim edukatori më i pazëvendësueshëm. Nxënësit mund t’i bëhet shembull i mirë dhe udhërrëfyes i saktë vetëm një mësues që kuptohet që në vështrim se e ka perceptuar të vërtetën dhe që e ka kaluar çdo dituri më parë nga prizmi i ndjenjave të veta.

Një kujdes i veçantë duhet treguar me kritikat ndaj nxënësit, duke bërë të pamundurën për ruajtjen e dinjitetit të tij në shoqëri. Gjatë kritikave është e rëndësishme të flitet në vija të përgjithshme, pa i rënë ndesh një personi të veçantë. Nëse kjo mënyrë nuk funksionon, nxënësi duhet këshilluar në veçanti e me shumë kujdes, pa e thyer karakterin e tij. Çdo vepër e mirë duhet ilustruar me heronj pozitivë, të cilët janë tërheqës për botën e nxënësit, kurse veprat negative duhet të konkretizohen në luftën që kanë bërë heronjtë pozitivë karshi tyre. Mësuesi duhet të bëjë çmos të mishërojë në karakterin e nxënësit idealet e larta, duke ruajtur patjetër një ekuilibër mes dashurisë, frikës dhe edukimit. Dhe më e rëndësishmja, mësuesi duhet ta ndiejë në zemrën e vet gjithçka që i përcjell nxënësit; ai duhet të ketë siguri në diturinë e tij dhe duhet të mbartë në vetvete detyrimisht çdo ndjenjë e virtyt pozitiv që i këshillon nxënësit, duke u bërë fillimisht shembull me mënyrën e vet të jetesës.

Një shkollë e cila përqafon sinqerisht çdo vlerë njerëzore, që shpaloset drejt së ardhmes dhe është si një fole engjëjsh, funksionon si një laborator ku njeriu përpunohet derisa arrin të njohë thesarin e vet të vërtetë, ndërsa mësuesi, me intelekt të lartë e të kthjellët, me zemrën e mbushur tërë besim dhe moralin me virtytet më të larta, është udhërrëfyesi i nxënësve të tillë, maestroja i vërtetë i këtij laboratori, ku gjenerohen brezat e së nesërmes dhe garancia e mirëfilltë e së ardhmes tonë.

Please publish modules in offcanvas position.