Kush Do Ta Shpëtoj Shtetin Nga Kaosi?

Kush Do Ta Shpëtoj Shtetin Nga Kaosi?

Maqedonia para kolapsit-partitë politike pa oferta për zgjidhje

Vendi, momentalisht gjendet në një qorrsokak dhe assesi nuk mund të gjendet një formulë për të dal nga kjo krizë. Edhe pse koalicioni qeveritar pohon se kriza filloi me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, realisht kjo krizë e thellë politike filloi shumë më herët, pasi opozita maqedonase gjegjësisht LSDM, filloi protestat para parlamentit kurse qeverinë e konsideroi si jo-legjitime dhe duke refuzuar të jetë pjesë e parlamentit. Pas një kohe të gjatë të refuzimeve për të qenë pjesë e parlamentit, LSDM doli në shesh me një sërë përgjimesh të cilët i quajti si bomba të cilat përmbanin një sërë parregullsi dhe vepra penale, për të cilët partia opozitare kërkonte llogari. Ky akt i partisë opozitare maqedonase shkaktoi një huti më të madhe dhe më shumë e thelloi krizën në vend.

Bëhej fjalë për një krizë, për të cilën partitë politike assesi nuk mundeshin të gjejnë një zgjidhje të përbashkët. Për të mos u thelluar kriza politike dhe për të mos dal gjithçka prej kontrolli, LSDM zyrtarisht ftoi përfshirjen e ndërkombëtarëve për gjetjen e një zgjidhjeje para se situata të del jashtë kontrollit. Me përfshirjen e ndërkombëtarëve, katër partitë politike më mëdha në vend u obliguan që ta nënshkruajnë Marrëveshjen e Përzhinos, e cila me garancinë e ndërkombëtarëve vlerësohej si e vetmja zgjidhje për ta tejkaluar gjendjen e krizës. Nga kjo marrëveshje lindi edhe Prokuroria Publike Speciale si i vetmi institucion i pavarur në vend. Mirëpo, vendimet e kësaj prokurorie nuk ishin në pajtim me partinë më të madhe në qeveri, ngaqë kjo parti ishte ajo që pësonte më së shumti nga vendimet e saja dhe kjo bëri që Gjykata Kushtetuese të del me një vendim kontravers, duke ia kthyer presidentit të shtetit kompetencat e vitit 1993, e cila në vitin 2009 u anulua nga vet partia qeveritare, VMRO-DMNE. Me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, presidenti i shtetit kishte të drejtën të fal cilin do person pa marrë parasysh se çfarë krimi kishte kryer. Vendimi i Gjykatës pas një kohe të shkurtër i dha edhe frutat e para me të cilën presidenti Gjorge Ivanov fali shumë figura politike të dyshuar për krime.

E gjithë kjo krijoi një situatë kaotike në vend, duke e futur vendin në një krizë edhe më të thellë politike, ekonomike. Një krizë e cila e stagnoi gjithë situatën në vend. Kjo gjë çoi deri në deklarata shumë serioze të ndërkombëtarëve. Për shembull, Komisari i BE-së për zgjerimin Johannes Hahn paralajmëroi Maqedoninë se në rast se nuk respektohet Marrëveshja e arritur e Përzhinos, vendi do të izolohet ndërkombëtarisht. Ky ishte paralajmërimi më i ashpër të ndonjë funksionari të BE-së që ia kishte bërë një shteti.

Ndërkohë, kritikat për involvimin e ndërkombëtarëve në politikën e vendit dita ditë bëheshin edhe më të ashpra. Partitë e koalicionit qeveritarë filluan të shprehnin shqetësimet e tyre për një ndërhyrje me një interes të jashtëm.

Faktikisht vendi gjendet në një situatë jofunksionale nga e cila secila parti mundohet të përfitoj dhe ta kthej këtë gjendje në interes të tyre. Mirëpo, nga e gjithë kjo ndoshta ekzistonte një e vërtetë, e ajo është se ndoshta ky është i vetmi i rast në të cilën ndërkombëtarët në mënyrë direkte involvohen në politikën e brendshme të një shteti. Kjo nuk ishte një praktikë e parë më herët që ndërkombëtarët të përfshihen direkt në politikat e një vendi. Involvime indirekte ndoshta kanë ekzistuar, por jo edhe në mënyrë direkte. Mirëpo situata e krijuar në vend, me një fjalë i detyroi ndërkombëtarët që të inkuadrohen dhe të gjejnë një zgjidhje për dalje nga situata e krijuar.

Kurse nga ana tjetër partia qeveritare mundohet si e si të gjej një rrugëdalje për të mos pësuar nga e gjithë kjo situatë. Sipas tyre zgjidhje e vetme janë zgjedhjet e 5 qershorit. Ndërkombëtarët dhe LSDM-ja insistojnë se pa arritje të marrëveshjes edhe atë pik për pike nuk mund të ketë zgjedhje demokratike. Shteti momentalisht është jo funksionale dhe është një pikëpyetje e madhe se si do të përfundoj kriza, dhe se si do te hyj në binarët e duhur, një gjendje e cila do ta kthej besueshmërinë qytetarëve tek institucionet e shtetit. Gjë që ndoshta deri tani kurrë nuk ka ekzistuar.

Please publish modules in offcanvas position.