Rryma, Një Çështje Serioze Që Kërkon Zgjidhje Urgjente

Rryma, Një Çështje Serioze Që Kërkon Zgjidhje Urgjente

Maqedonia Me Taksat Më Të Larta Për Energjinë

Rryma elektrike është një çështje shumë e ndjeshme për popullin tonë, sidomos në rrethana kur një një familje vetëm një anëtar është i punësuar, apo në disa familje ku nuk ka asnjë të punësuar. Këto familje jetojnë me një pagë që e marrin nga fondi i sigurisë, si dhe fal ndihmës që disa familjeve i vijnë nga të afërmit e tyre të cilët gjenden me punë të përkohshme jashtë vendit. Është fakt se mërgimtarët në Maqedoni, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në mbajtjen në këmbë të shumë familjeve në vend, por gjithashtu japin edhe një mbështetje të madhe në buxhetin e vendit, ku sipas disa analistëve ekonomik të hyrat e mërgimtarëve në vend përbëjnë diku 50% të GDP-së. Me pak fjalë, mërgimtarët janë ata që shpëtojnë vendin nga çdo lloj devalvimi monetar, nga krizat dhe pakënaqësitë e tjera. Në këtë rast ata ndikojnë edhe në zbutjen e buxheteve familjare për shkak të harxhimeve të tepërta shtëpiake që janë.

Mirëpo, rritja e çmimit të rrymës elektrike kohëve të fundit dukshëm ka rënduar gjendjen e shumë familjeve të cilët edhe përkundër ndihmës nga jashtë nuk arrijnë të rimëkëmbin ekonominë e tyre. Ndoshta, ndër më të shumtit që pësojnë janë familjet që jo vetëm që s'kanë të ardhura nga jashtë, por nuk kanë as edhe një të punësuar në familje gjë që e bën shumë të vështirë mbijetesën e tyre.

Nga 30 Qershori të këtij viti pritet që në Maqedoni të vijnë edhe 150 konsumatorë të rinj, të cilët do ta distribuojnë energjinë elektrike në vend dhe sipas qarqeve të afërta relevante, çmimet nuk do të lirohen, por përkundrazi do të shtrenjtohen edhe më shumë. Kjo rritje e çmimeve do ta rëndoj edhe më shumë situatën në vend, sidomos në një situatë të tillë krize në të cilën ndodhemi ne dhe i gjithë rajoni.

Sipas analizave dhe statistikave zyrtare të Entit Statistikorë të BE-së, EUROSTAT, Maqedonia nuk radhitet në shtetet me rrymë më të shtrenjtë në Evropë, mirëpo radhitet në shtetet me tatime dhe taksa më të shtrenjta në rajon pas Malit të Zi, jo vetëm në rajon, por edhe me taksa dhe tatime më të shtrenjta edhe nga shumë shtete anëtare të BE-së. Tatimet dhe taksat që paguajnë qytetarët për kWh nga 50% që kishte qenë vitin e kaluar, kishte rënë në 47.6%, por në krahasim me shtetet në rajon dhe shumë shtete anëtare të BE-së, përsëri është një përqindje e madhe. Është interesant se rrymën më të lirë në rajon dhe në gjithë BE-në, si dhe tatimet dhe taksat më të lira i paguajnë qytetarët e Serbisë dhe të Kosovës.

Problemi me energjinë elektrike është një problem shumë i madh e cila me kalimin e kohës, me rritjen e nevojës kjo krizë akoma më tepër do të thellohet. Energjia është një çështje thelbësore që e gjithë bota është çuar në këmbë për të kërkuar dhe për t'i gjetur një zgjidhje. Për energji janë shtruar, shtrohen dhe do të shtrohen edhe në të ardhmen shumë projekte, mbahen konferenca të ndryshme dhe harxhohen shuma të mëdha të parave për të gjetur alternativa në fushën e energjisë. Në esencë, çështja e rrymës elektrike është një çështje shumë serioze në të gjithë botën dhe jo vetëm në vendin tonë. Shtetet kërkojnë alternativa dhe mundësi të reja për ta tejkaluar këtë problem. Ndoshta kjo do të jetë një sfidë e madhe edhe për vendin tonë. Patjetër duhet që të kërkojmë alternativa të reja, nga njëra anë të rrisim kapacitetin e energjisë elektrike dhe nga ana tjetër ta zëvendësojmë atë me diçka tjetër që do ta zbus ndikimin e madh të rrymës që ka në jetën tonë të përditshme.

Në një mënyrë, apo në një mënyrë tjetër, zgjidhja e problemit të rrymës si dhe ulja e çmimit është një çështje shumë vitale për popullin tonë. Përndryshe, pakënaqësitë tek njerëzit do të vazhdojnë të thellohen dhe të shfaqen në mënyrë edhe më të ashpër. Sepse çmimet prej 100 deri në 200 euro në një shtet si puna jonë ku rrogat janë ashiqare të vogla, dhe kjo dëshmon se këtë nuk mund ta përballojnë shumica e qytetarëve dhe familjeve. Paramendoni nëse rryma do të shtrenjtohej edhe më shumë, në drejtim të cilës janë edhe paralajmërimet. Një gjë e tillë nuk do hamendje se do të sjell pakënaqësi shtesë tek qytetarët. Të shpresojmë se qeveria do të gjej zgjidhje për tejkalimin e një situate të tillë jo të leverdishme për vendin.

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.