Dalja E Britanisë Së Madhe Nga Be-Ja Do Të Gëzoj Shumë Burrështetas

Dalja E Britanisë Së Madhe Nga Be-Ja Do Të Gëzoj Shumë Burrështetas

Dalja e Mbretërisë së Bashkuara nga BE-ja, do të përdoret si alibi nga ana e shumë liderëve shtetërorë, me të cilën do ta arsyetojnë veten e tyre dhe do të mundohen t'i bindin qytetarët e tyre se BE-ja tani më është duke u shpërbërë, dhe me këtë do të mundohen ta luajnë kartën e tyre të vjetër.

Disa tashmë kishin filluar të supozojnë për rezultatin e referendumit para se të publikohen rezultatet, kurse disa të tjerë kënaqësinë e tyre për shkak të një vendimi të tillë të britanikëve filluan që ta shprehin nëpërmjet rrjeteve të ndryshme sociale.

Tani më është e qartë se kjo do t’ua lehtësoj punën shumë shteteve tjera që edhe ashtu nuk donin të jenë pjesë e BE-së, por që këtë e artikulonin vetëm për tu treguar qytetarëve të të tyre , votuesve potencial se janë duke punuar në drejtim të BE-së, por që BE-ja nuk do t'i pranoj ata me arsyetime të shumta, qoftë kjo marrëdhënie jo të mira bilaterale apo çështje fetare. Mirëpo, një gjë është e qartë se këto shtete akoma nuk kanë bërë asnjë reformë të cilën e kërkonte BE-ja, edhe ata pak reforma çka i kanë bërë i kanë bërë vetëm për të treguar se një e tillë e ekziston, por nëse do ta vlerësonim funksionalitetin e saj do të vërenim se asgjë nuk funksionon ashtu siç duhet. Nëse do të hidhnim sytë tek gjyqësori do të vërenim se gjyqësori nuk është aspak i pavarur, nëse do të hidhnim një vështrim tek mediet e këtyre shteteve do të vërenim se media është shndërruar në bori të një personi, dhe se mediet opozitare çdo ditë e më shumë po shuhen, nëse do të hidhnim sy në administratën e shtetit do të vërenim se janë shndërruar në një ngjyrëshe dhe shumë e shumë anomali të ndryshme që janë në kundërshtim me reformat që i kërko BE-ja.

Pasi t'i vlerësojmë të gjitha këto, lehtë mund të vijmë në përfundim se këto shtete në fakt nuk kanë merita për të qenë pjesë e BE-së, por prapë se prapë BE-ja për ta ka sjell shumë përfitime, por jo edhe popullit të këtyre shteteve. Mirëpo, tek popullata e rëndomte zyrtarët shtetëror kanë krijuar një frikë se kinse BE-ja nuk është ashtu siç duket, dhe nëse edhe ne bëhemi pjesë e saj do të përfundojmë si puna e Greqisë apo edhe të disa vendeve tjera që përjetuan tërmete të lehta ekonomike. Vetëm se janë duke e harruar një fakt, ndoshta Greqia e përjetoj një krizë të thellë ekonomike, por nga ana tjetër BE-ja nuk e la që të fundoset, duke i ardhur në ndihmë Greqisë Nëse e njëjta gjë ndodh me një shtet që është jashtë BE-së, ai shtet mund të shkatërrohet totalisht. Lidhja e bashkimit bëri që këto shtetet akoma të qëndrojnë në këmbë. Siç thotë edhe proverba popullore se një degë mund të thyhet shumë lehtë, por nëse i merr dhjetë të tillë e ke më vështirë për t'i thyer. Shkurtimisht, bashkimi sjell fuqi kurse vetmia sjell vetëm dobësi dhe asgjë tjetër. Jo dhe kot ata që janë të bashkuar demonstrojnë më shumë fuqi se ato që janë të vetmuar.

Ashtu që dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja ndoshta do të ndikojë në BE-në sado pak, por jam i mendimit se më së shumti do të ndikoj në Britaninë e Madhe, e cila do të largohet nga një fuqi që vjen si pasoj e bashkimit. Kjo nuk do të thotë se Britania e Madhe do të jetë e vetmuar sepse aleatët i ka të fuqishme, por një gjë është e qartë s'do të ndjehet aq e fuqishme saqë ndjehej kur ishte brenda bashkimit. Tani më është e qartë se vendimi i BREXIT nuk do të ketë dobi as për Britaninë e as për BE-në, por do të sjell dobi për disa burrështetas që do ta përdorin këtë gjë si arsyetim për veprat e tyre antidemokratike.

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.