Më 6 gusht, të këtij viti ndodhi përmbytja më e madhe në historinë e Shkupit, por edhe në historinë e Maqedonisë. Në këtë përmbytje mbi 20 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë ngelën pa shtëpi apo pa kulm mbi kokë.
Dëme të shumta materiale pësuan mbi 3500 shtëpi vetëm në fshatin Hasanbeg, por edhe në fshatrat tjerë numri i shtëpive që u dëmtuan nuk ishte i vogël.. E gjithë kjo solli një katastrofë të madhe që për t'i shëruar këto plagë do të merr një kohë shumë të gjatë. Ndoshta disa nga ato do të jenë edhe të pashëruara.
Si gjithmonë edhe kësaj radhe qytetarët u dolën në krahë banorëve që pësuan nga katastrofa. Nga qytetarët e rëndomtë që shkonin çdo ditë për t'i ndihmuar banorët e Hasanbegut për t'i pastruar oborret e mbushura plot me baltë dhe me plehra të ndryshme si dhe shumë gjëra të tjera kishte nga të gjitha kategoritë, të rinj, të moshuar, fëmijë etj.. Kjo katastrofë natyrore kishte arritur për shkak të shpejtësisë së madhe të ujit, që sipas disa ekspertëve uji kishte arritur shpejtësinë prej 150 deri 200 km në orë, ndërsa lartësia e ujit vende vende kishte arritur nga 1,5 deri 2 metra.
Përveç vullnetarëve që nuk mungonin çdo ditë, në këtë valë të ndihmave morën pjesë edhe shumë shoqata joqeveritare si dhe qendra për menaxhimin me krizën. Të gjithë, në pikëpamje të parë mundoheshin që t'ju ndihmojnë banorëve që u goditën nga katastrofa, por nga ana tjetër banorët të cilët merreshin me hallet e veta ishin të bezdisur nga keqpërdorimi i tyre. Ngase për shumicën e shoqatave kjo ishte një mundësi që burimeve të tyre nga ku financohen t'ju tregojnë se këto njerëz kanë pësuar shumë nga një katastrofë e madhe dhe kanë nevojë për ndihmën e tyre, një mundësi kjo që edhe vetë ata të përfitojnë nga këto mjete financiare. Ka pasur raste që disa që shihen në krye të disa shoqatave i kanë veshur çizmet dhe kanë marrë në dorë lopatën vetëm sa për ta bërë një foto dhe ta publikoj atë në rrjetet sociale një mesazh për financuesit e tyre. Unë vet isha dëshmitarë i një kolone të një shoqate humanitare. Njëra nga veturat e kësaj kolone (konvoji) u ndal në mes të rrugës, përderisa unë dhe shumë vetura të tjerë prisnim në nxehtin më të madh, tensioni në mesin e njerëzve u rrit dhe boritë filluan që të bënin zhurmë. Nga vetura doli një person me kamerë në dorë dhe menjëherë filloi që t'i intervistoj njerëzit. U kuptua që ishte duke xhiruar për shoqatën. Më pas filluan të plasonin video të ndryshme nëpër rrjete të ndryshme sociale duke treguar se si janë duke u dërguar ndihma banorëve në Hasanbeg. Kishte edhe të tillë që pasi përfunduan punimet me një bujë të madhe u larguan nga vendi duke aluduar se ja ne ishim ata që Ju ndihmuam juve.
Të gjithë këto më bënë të mendoj se si njeriu e kishte humbur ndërgjegjen dhe se sa larg realitetit dhe sinqeritetit jemi. Të gjithë, përfshirë edhe ata që pohojnë se këtë punë e bëjnë për të fituar kënaqësinë e Zotit, ndihmat në Hasanbeg i bënin material për propagandë. Me të vërtet jemi bërë për mjerim.
Përveç disa vullnetarëve që ishin prezent gati se çdo ditë, por që asnjëri nuk ua dëgjoi zërin. Kishte edhe disa të tjerë që kinse kishin shkuar që të punojnë si vullnetarë, por që çdo ditë ishin para kamerave për tua plotësuar interesat disa partive politike që pretendojnë të jenë pjesë e qeverisë me çdo kusht, përfshirë këtu edhe propagandat se ne jemi pranë popullit, e ku janë ata që i zgjodhët Ju? Me të vërtetë jemi bërë për mjerim. Zoti na shpëtoftë nga dyfytyrësia dhe nga hipokrizia. I lutem Zotit që të na bëj të gjithë të sinqertë dhe të gjitha mirësitë t'i bëjmë vetëm për hir të njerëzimit dhe për të fituar kënaqësinë e Zotit dhe për asgjë tjetër.
Edhe një herë dua që t'i shpreh ngushëllimet e mia familjarëve që i kanë humbur të afërmit e tyre në këtë përmbytje katastrofale. Kurse atyre që humbën shtëpitë dhe që pësuan dëme materiale shpresoj që t'u kompensohen të gjitha dëmet materiale dhe të rimëkëmben sa më shpejtë, para se të filloj ftohti, gjegjësisht para se të hyjmë në stinën dimërore. Gjithashtu shpresoj se njerëzimi një ditë përsëri do të futet në formën e tij të duhur, ashtu siç e dëshiron Krijuesi i tij. Deri atëherë, i lutem Krijuesit të Gjithësisë që të na jep mendje të kthjellët dhe ndërgjegje të pastër!