Kultura E Debatit, Një Parim Që Besoj Se Mungon Tek Shumica E Njerëzve

Kultura E Debatit, Një Parim Që Besoj Se Mungon Tek Shumica E Njerëzve

Nëse shpresojmë se në një të ardhme të afërt të kemi një gjeneratë më të ngritur dhe më të aftë, patjetër e kemi që ata t'i nxisim që të hulumtojnë, t'i analizojnë gjërat, të sigurojnë prova para dhe më pas të formojnë mendimin e tyre ose të krijojnë ide për ndonjë ngjarje ose dukuri.

Ndoshta tek ne si popull mungojnë shumë gjëra, jo për tu perfeksionuar, por thjesht vetëm për tu integruar si shoqëri. Mirëpo, kultura e debatit të shëndoshë është një nga mungesat më të mëdha që kemi edhe atë jo vetëm tek ne si shoqëri, por edhe në shumë shoqëri të tjera që ende nuk kanë arritur integritetin e nevojshëm.

Shoqëria jonë sot, fatkeqësisht është më se e ndarë në fraksione dhe grupime qoftë ato politike apo shoqërore se sa që ka qenë më parë. E keqja nuk fillon me shfaqjen e grupimeve të ndryshme, por e keqja fillon atëherë kur njerëzit pa marrë parasysh se cilës pikëpamje, mendimi apo ideologjie t'i takojnë, të mos munden të ulen dhe t'i debatojnë mendimet e tyre si njerëz të civilizuar, por në të kundërtën mbjellin urrejtje dhe mundohen të bëjnë çmos për t'i shkatërruar të tjerët që nuk mendojnë si ata, por mendojnë ndryshe. Kjo dukuri nuk sjell gjë tjetër veçse përçarje dhe shkatërrim brenda një shoqërie.

Është fatkeqësi kur njerëzit nuk mundohen t'i analizojnë gjëra në mënyrë objektive, por mundohen që të drejtat e tyre t'ua imponojnë edhe të tjerëve.

Kjo gjë ka ekzistuar vetëm në kohën parahistorike, ku njerëzit të cilët kanë menduar ndryshe dhe i kanë shprehur mendimet e tyre ndryshe nga shumica dërmuese e shoqërisë, ata menjëherë janë vënë në shënjestër të pushteti dhe janë dënuar me masat më të ashpra që janë përdorur në atë kohë.

Edhe Galileo Galilei, i cili i pari zbuloi, dhe mbi të gjitha argumentoi se bota lëviz në boshtin e vet dhe rreth Diellit, ishte njeriu më i kritikuar në botën krishtere të asaj kohe të cilët besonin se bota është e qëndrueshme dhe se nuk lëviz fare. Kundërshtimi ndaj këtij mendimi të Galileut, shkoj deri në atë nivel saqë ata e quajtën atë të devijuar dhe e vendosën në burg shtëpiak. Kishës iu deshën plot 300 vjet, që të pranoj se Galileo kishte pasur të drejtë.

Ngjarja me Galileon, tregon qartë se njeriu kurrë nuk duhet të mendoj se vetëm idetë dhe mendimi i tij është i drejtë dhe të insistoj në të, por të jetë i hapur të pranoj edhe mendimet ndryshe nga të tjerët gjithmonë duke u bazuar në fakte dhe argumentet.

Pasi ne të gjithë të pranojmë faktin se duhet të debatojmë me të tjerët dhe në vend që të angazhohemi që t'i shkatërrojmë ata për ne e rëndësishme është që ta mësojmë edhe kulturën e debatit apo rregullat e debatit. Debat nuk do të thotë ta shash, apo ta nënçmosh dikë, por debat është që t'i mbrosh mendimet duke u bazuar në argumente. Ja, kjo çështje mungon shumë tek ne, por besa edhe në shumë shoqëri të tjera. Assesi nuk angazhohemi që të hulumtojmë dhe ta gjejmë të vërtetën, por gjithmonë mundohemi që ta mbrojmë mendimin tonë, qoftë ajo edhe jo e vërtetë, por që ne e dimë si të vërtet. Kjo sjell deri në formimin e një shoqërie që krijon mendime dhe merr qëndrime vetëm me të dëgjuar, por jo edhe duke i hulumtuar gjërat. Nëse kemi një shoqëri që nuk hulumton atëherë asnjëherë nuk mund të kemi shoqëri produktive. Nëse s'kemi shoqëri produktive, nuk mund të kemi një shoqëri të integruar dhe të civilizuar. Nëse nuk kemi shoqëri të civilizuar, nuk mund të pretendojmë as për ndonjë perspektivë në një të ardhme të afërt.

Ndryshimi i zinxhirit do të filloj atëherë kur të mundohemi t'i pranojmë mendimet ndryshe të të tjerëve, dhe atëherë kur në vend të thashethemeve dhe pohimeve të pa verifikuara të fillojmë të merremi me hulumtime se si të arrijmë tek e vërteta. Nëse shpresojmë se në një të ardhme të afërt të kemi një gjeneratë më të ngritur dhe më të aftë, patjetër e kemi që ata t'i nxisim që të hulumtojnë, t'i analizojnë gjërat, të sigurojnë prova para dhe më pas të formojnë mendimin e tyre ose të krijojnë ide për ndonjë ngjarje ose dukuri.

Please publish modules in offcanvas position.