Shpresoj të kemi një shtet që do t'i mbroj interesat e të gjithë qytetarëve

Shpresoj të kemi një shtet që do t'i mbroj interesat e të gjithë qytetarëve

Pas shumë bisedimeve, takimeve dhe taktikave të partive politike për të arritur një marrëveshje për formimin e një koalicioni të mundshëm qeveritar dhe përfundimin e krizës politike në vend, partitë politike shqiptare përfundimisht ranë dakord që nënshkrimet e tyre për formimin e qeverisë t’ia japin liderit të LSDM-së, Zoran Zaevit.

Edhe pse përflitej se brenda strukturave të BDI-së ka zëra të ndryshme, përfshirë këtu edhe një koalicion të mundshëm me VMRO DPMNE-në, i cili ishte një opsion shumë i mundshëm deri në ditën e fundit të negociatave mes të dyja palëve, kjo dështoi. BDI në analizat brenda strukturës partiake dhe me partitë politike opozitare, edhe pse në tryezë mungonte Lëvizja Besa, vendosi që mos të hyj në koalicion me VMRO DPMNE-në, por mundësinë për ta formuar qeverinë kësaj radhe t'ia jep LSDM-së, duke menduar se në këtë mënyrë do të arrihen pritjet e kamotshme të qytetarëve në vend.

Vlen të theksohet se rol të rëndësishëm për marrjen e një vendimi të tillë të BDI-së, dhe partive tjera politike shqiptare ishte edhe platforma e përbashkët shqiptare. Partitë politike shqiptare që nga fillimi, gjegjësisht para se të nisnin negociatat për koalicion të mundshëm me ndonjërën parti maqedonase bënë të ditur se nuk do të heqin dorë nga realizimi i platformës, si një ndër kushtet themelore për të cilët u pajtuan në Tiranë dhe në Prishtinë. Kurse, kushti më i rëndësishëm nga të gjitha të tjerat nga platforma e përbashkët dhe e pazëvendësueshmja ishte ndryshimi i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në tërë territorin e vendit.

Po në këtë pikë, pas negociatave me të dy partitë politike maqedonase, gjegjësisht VMRO DPMNE dhe LSDM, portale të ndryshme bënin lajme se kinse VMRO DPMNE, kishte ofruar kushte më të mira për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në vend, por arsyeja e mos arritjes së një marrëveshjeje mes të dyja palëve ka qenë mos pranimi i PSP-së nga ana e VMRO-së.

Teuta Arifi në programin për debat politik, 360 shkallë, e mbajtur më 27 shkurt të vitit 2017, theksoi se problemi i mos arritjes së gjuhës së përbashkët me VMRO- DPMNE-në, nuk ka qenë dy gjuhësia, por PSP-ja dhe reformat në gjyqësi. Sipas disa burimeve jozyrtare, VMRO DPMNE kishte ofruar kushte shumë më të mira për përdorimin e gjuhës shqipe, mirëpo kishte refuzuar vazhdimësinë e PSP-së dhe bërjen e reformave në gjyqësi, dy gjëra të cilët gjithashtu ishin një nga kushtet e platformës së përbashkët.

Si përfundim, partia politike maqedonase e dyta me më shumë vota në vend, arriti t'i marr 67 nënshkrime dhe me ato nënshkrime kryetari i LSDM, Zoran Zaev, shkoi te kabineti i presidentit, Gjogje Ivanov, për t'ia kërkuar mandatin për formimin e qeverisë, për të cilin disa javë më parë vetë ai kishte thënë se partia politike që do të siguronte shumicën e deputetëve, zyrtarisht do t'ia dorëzonte mandatin për formimin e qeverisë. Mirëpo, presidenti Ivanov në vend që t'ia dorëzonte mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, të cilin sipas nenit 90 të Kushtetutës të R. së Maqedonisë e kishte të obliguar, ai refuzoi t'ia jep mandatin kryetarit të LSDM, Zoran Zaev, i cili kishte siguruar shumicën parlamentare me pretekst se platforma shqiptare ishte përpunuar në një shtet të huaj dhe se prishte karakterin unitar të shtetit.

Në ndërkohë, VMRO DPMNE, partia politike i cili u ul në tavolinë të bisedoj me BDI-në edhe pse BDI-ja doli përpara tyre me të njëjtat kërkesa sikur të Zaevit, pas deklaratës së Ivanov dolën me qëndrim të njëjtë si i Ivanovit se kinse platforma e partive politike shqiptare e cënon sovranitetin e shtetit. Mirëpo edhe pas shumë pengesave për formimin e qeverisë dhe që përfundimisht të respektohet vullneti i popullit, ka ende shpresa se shumica parlamentare mund të tuboj parlamentin dhe të votoj qeverinë.

Shpresoj se me formimin e një qeverie stabile, për një kohë të shkurtër shteti do të stabilizohet. E rëndësishmja është që vendi ynë të kthehet në një shtet ku secili qytetar do të mund t'i besoj dhe t'i mbështet, dhe i cili do të mbroj të drejtat e çdo qytetarit të tij në vend dhe jashtë, pa marrë parasysh përkatësinë e tij kombëtare apo fetare.

Please publish modules in offcanvas position.