Dy palë luftojnë e treta fiton

Dy palë luftojnë e treta fiton

Kriza politike në vend ka filluar shumë kohë më parë , mirëpo kjo u tensionua sidomos pas shpërthimit të bombave, përgjimeve të disa funksionarëve të lartë në qeveri, përfshirë këtu edhe vet kryeministrin që u largua para disa javëve Nikolla Gruevski.

Kjo ndodhi pasi opozita maqedonase LSDM, katër mandate me radhë nuk arriti që t'i fitoj zgjedhjet parlamentare. Mirëpo, nga ana tjetër avantazhi i saj ishte fakti që kishte përkrahësit e saj, kuadro të formuara me dekada të tëra në institucionet shtetërore, të cilët i përcillnin me vëmendje ngjarjet në shtet. Me ndihmën e këtyre kuadrove LSDM arriti që t'i nxjerr në pah padrejtësitë e partisë në qeveri dhe shkeljet e tyre ligjore. Këtë e bëri duke i publikuar përgjimet ku spikate afera e mitmarrjes, korrupsionit, lobimit, materiale këto që i kishte siguruar prej personave ish të punësuar në shërbimin sekret aludohej në kuadro të vjetër të LSDM-së, të cilët në të njëjtën kohë u arratisën jashtë shtetit. Kryetari i partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev, 4 muaj të plota gati se çdo javë e “shpërthente nga një bombë”, siç i quante ai. Pas rritjes së tensioneve dhe krizës politike në vend dhe pas takimeve të shumta që i realizuan liderët e të dyja partive me ambasadorët e jashtëm për të gjetur zgjidhje për krizën e krijuar politike, përfaqësuesit e jashtëm gjegjësisht përfaqësuesit e BE-së, me theks të veçantë Komisionari Johannes Hahn dhe ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Jess Baily personalisht u angazhuan për ta zgjedhur krizën politike në vend e cila ndodh në kohën kur Mali i Zi tashmë kishte marrë ftesë për inkuadrim në NATO, ndërsa Maqedonia nuk përmendej fare.

Pas takimeve të shpeshta të përfaqësuesve të jashtëm me liderët e katër partive politike më të mëdha në Maqedoni, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, të cilët u pajtuan që të nënshkruajnë marrëveshjen e Përzhinos, e cila garantonte zgjedhje të parakohshme parlamentare, zgjedhje të lira , fer dhe demokratike, garantonte pastrimin e listave zgjedhore, përzgjedhjen e prokurorit special, ndryshimin e ligjit të medieve, formimin e qeverisë teknike si dhe dorëheqjen e kryeministrit të vendit 100 ditë para zgjedhjeve. Për ta vënë marrëveshjen në funksion u formuan grupet punuese nën mbikëqyrjen e ndërmjetësuesit evropian Peter Van Houten. Edhe pse herë pas here kishte dështime gjithçka shkoi siç ishte paraparë deri në dorëheqjen e kryeministrit të Nikolla Gruevski, i cili bëri të ditur se dorëheqja e tij do të vlej vetëm 100 ditë para zgjedhjeve dhe pas kësaj ai filloi edhe fushatën zgjedhore. Ndërkohë LSDM-ja deklaroi se përderisa nuk pastrohen listat e votuesve dhe nuk përmbushen pikat e parashikuara me marrëveshjen e Përzhinos nuk do të marr pjesë në zgjedhjet e prillit. Kjo deklaratë e LSDM-së si dhe mungesa e vullnetit për ta kaluar ligjin e medieve e parashikuar sipas marrëveshjes së Përzhinos, në skenën politike solli mosmarrëveshje të reja të cilat pritet që të tejkalohen me ardhjen e Hahnit në muajin Shkurt.

Tani parashtrohet pyetja se vallë do të arrij Hahn ta zgjidh stagnimin aktual politik si dhe t’i bind palët për një datë të përbashkët për realizimin e zgjedhjeve parlamentare në vend. Nëse Hahn në muajin Shkurt arrin që të fus përsëri në binare situatën kur dihet se VMRO-DPMNE, vjen me kërkesa të reja edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes nga e njëjta parti, atëherë BE-ja edhe një herë do të tregoj peshën e saj në rajonin e Ballkanit. Në fakt kur dy luftojnë i treti fiton. Jo që LSDM-ja ka një pasqyre më të mirë nëse e analizojmë të kaluarën e saj. Të njëjtat metoda në të kaluarën i ka përdorur vet kjo parti. Mirëpo, pas humbjes së kredibilitetit, dhe në anën tjetër politika nacionaliste e rivalit të saj që dukshëm pati ndikim tek populli maqedonas solli deri te ajo që LSDM-ja t'i humb zgjedhjet një pas një, më vonë duke i përdorë edhe metodat e mëhershme të partisë opozitare. Këtë gjë e detektuan kuadrot e vjetër të LSDM-së dhe e shpalosën para publikut. Situata e vetë-krijuar nga ana e të dy strukturave politike solli një ndeshje me njërin-tjetrin dhe si përfundim e rriti peshën dhe rolin e përfaqësuesve të jashtëm dhe sidomos të BE-së në vend. Mirëpo sa efikase do të jetë ky proces për fatin e Maqedonisë, dhe sa do të arrij BE-ja ta tërheq Maqedoninë në binaret e saj duke e bërë një nga anëtarët e familjes së saj mbetet të shohim se si do të zhvillohen dhe cilët do të jenë skenarët e ardhshëm të politikës në vend.

Please publish modules in offcanvas position.