Ballkani në mes lindjes dhe perëndimit

Ballkani në mes lindjes dhe perëndimit

Ballkani, posedon një pozitë gjeostrategjike e cila shërben si kufi mes Perëndimit dhe Lindjes.

Kjo pozitë, Ballkanin e bën që gjithmonë të jetë në ndikimin e njërës apo të tjetrës. Analizuar nga natyra e popujve që jetojnë në Ballkan dhe lidhjet që i kanë me shtetet përreth, shumë qartë mund të kuptohet se Lindja me shekuj të tërë ka pasur më tepër ndikim në rajonin e Ballkanit se sa Perëndimi.

Mirëpo, me zhvillimin e shteteve të Evropës, sidomos nga shekulli XIX e këndej, sidomos nga aspekti i ekonomisë dhe prodhimtarisë, edhe interesimi i Ballkanit për Evropën gradualisht ka shënuar rritje. Në Ballkan shtetet gjithmonë kanë qenë në konflikt me njërin-tjetrin dhe assesi nuk ka arritur që të tregojnë zhvillim më progresiv në asnjë fushë të jetës. Fatkeqësisht tërë energjinë e kemi harxhuar në luftë kundër njërit-tjetrit, në vend që atë energji ta harxhonim për t’i realizuar interesat e përbashkëta. Si përfundim, për të arritur të mbijetojnë si komb dhe si shoqëri, popujt e Ballkanit gjithmonë kanë pasur nevojë për një përkrahe më të madhe.

Aktualisht popujt në Ballkan, janë duke i riafirmuar lidhjet e tyre, qoftë ajo me Lindjen apo me Perëndimin. Me kalimin e kohës, hap pas hapi bëhet e qartë se cili shtet në Ballkan, në cilin drejtim do të pozicionohet. Mirëpo, një gjë është e qartë se shqiptarët tashmë e kanë të qartë drejtim e tyre kah Perëndimi.

Kurse, nga ana tjetër popujt sllave janë duke kaluar nëpërmjet një testi të rëndë. Kjo mund të shihej qartë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi, situata në Kosovë rreth formimit të ushtrisë, vizita e përfaqësueses së lartë të BE-së Federica Mogherini në Serbi, zgjedhjet e fundit në Bullgari, zhvillimet e fundit politike në vend etj.

Mirëpo, këto zhvillime për gadishullin Ballkanik nuk janë një risi. Por, kjo është një traditë e kamotshme për Ballkanin, që nga fillimet e shekullit V, me vet ardhjen e sllavëve në këtë gadishull e deri në ditët e sodit. Në librin e historisë e shkruar nga historiani britanik Nevill Forbes në vitin 1915, shumë qartë bëhet e ditur se Ballkani gjithmonë ka qenë nën ndikimin e Perëndimit dhe Lindjes. Në këtë libër të historisë të titulluar “Ballkani”, Forbes tregon se si Perëndimi (Austria) dhe Rusia kanë qenë në luftë të vazhdueshme për t'i shtrirë ndikimet e tyre në Ballkan përmes njerëzve të tyre.

E gjithë kjo situatë e bën të qartë fotografinë e rajonit të Ballkanit, edhe për një kohë më të gjatë. Përderisa Ballkani, nuk është i aftë që të jetë i pavarur me politikat e saja nga ndikimet e jashtme, dhe përderisa popujt e Ballkanit nuk e harxhojnë tërë energjinë e tyre mbi idetë konstruktive dhe jo destruktive, siç është gjendja aktuale, fati ynë gjithmonë do të jetë e tillë dhe kurrë nuk do të kemi mundësi që të shmangemi nga prangat e të qenit nën ndikimin e ndonjë fuqie të jashtme. Mirëpo, për ta arritur këtë gjë, mbi të gjitha kemi nevojë për institucione dhe administrata të pavarura. Dhe mbi të gjitha edhe për fuqitë e ndara (të pavarura) nga pushteti.

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.