Restaurimi i një kështjelle të dëmtuar prej shekujsh

Restaurimi i një kështjelle të dëmtuar prej shekujsh

Fillimisht duhet theksuar se restaurimi, krahasuar me dëmtimin, është njëmijë herë më i vështirë.

Sepse për kryerjen e restaurimit të diçkaje është e domosdoshme që të jenë të pranishme të gjitha pjesët e saj, si përbërësit e brendshëm, ashtu edhe ata të jashtëm. Kurse për ta prishur është e mjaftueshme qoftë edhe mungesa e vetëm njërës prej tyre. Për shembull, nëse do të marrim si shembull namazin, në mënyrë që ai të kryhet pa asnjë të metë, është e domosdoshme që të ndiqen dhe respektohet të gjitha veprimet dhe kriteret e tij. Mirëpo, nëse shkelet qoftë edhe një e vetme prej tyre, atëherë ky namaz është i mangët. Bie fjala, sikur të mos kesh abdes apo të mos thërrasësh tekbirin e hapjes apo të mos jesh kthyer nga kibleja, edhe po t’i kesh kryer dhe plotësuar përsosmërisht të gjitha veprimet dhe kriteret e tjera të namazit, atëherë ai do të jetë sërish i pavlefshëm. Madje pranimi i namazit prej Allahut (xh.xh.), të pasurit e tij vlerë në jetën e përtejme dhe kthimi i tij në një mik të mirë e të ngushtë në varr janë të lidhura ngushtësisht me përkushtimin dhe përjetimin emocional dhe shpirtëror gjatë kryerjes së tij. Pra një mangësi në këtë kriter të brendshëm të tij do të pengonte në realizimin e tij të plotë, edhe sikur të ishin plotësuar tërësisht të gjitha kushtet e jashtme. Kjo është e vlefshme edhe për llojet e tjera të adhurimit.

Ndërtimi dhe restaurimi

Po njësoj mund të merrni e ta shqyrtoni këtë çështje edhe nga pikëpamja e ndërtimit dhe restaurimit të një ndërtese. Mendoni pak që arkitekt Sinani (që u prehtë në paqen e Xhenetit), i cili ishte një gjeni arti, e ka ndërtuar xhaminë e Selimijes brenda një harku kohor tejet të shkurtër prej gjashtë vjetësh.

Kurse punimet e restaurimit të saj pas krisjeve dhe dëmtimeve të shumta që i ishin shkaktuar prej topave bullgarë pushtimit të Edirnesë nga ana e tyre patën zgjatur diku te tetë-nëntë vjet. Kështu, siç e shikoni ndërtimit dhe restaurimit të xhamisë së Selimijes i qe nevojitur një kohë goxha e gjatë, por dëmtimit të saj si pasojë e tronditjeve të shkaktuara nga topat e hedhur nuk i qe nevojitur një kohë fare e shkurtër.

Ndikimin e restaurimit dhe dëmtimit mund ta vëreni edhe në organizmin e njeriut. Nganjëherë, një helm të cilin mund ta merrni nëpërmjet ndonjë ushqimi mund të nisë t’ju kontrollojë ju deri edhe neuronet e trurit, duke jua ngatërruar me njëra-tjetrën kohën e gjumit me kohën e të qëndruarit zgjuar. Për rrjedhojë, në mënyrë që të mund t’i riktheheni shëndetit të mëparshëm dhe të shpëtoni prej ndikimit të atij helmi në trupin tuaj, ka për t’ju dashur një kohë goxha e gjatë.

Dallgë thellësie

Ja kështu ka qenë pre e dëmtimesh të rënda edhe populli ynë përgjatë këtyre dy-tre shekujve të fundit, duke bërë që çdo anë e mjedisit tonë të kthehet në një muranë të rrëzuar. Ja se si e përshkruan këtë gjendje Abdulhak Hamidi në një poezi të tijën: “Ah, s’mbeti më as vend as njeri i dashur, / zemra më mbeti e flamosur, / dhe Zija Pashai thotë: “Pse u dogjëm ne në këtë lojë, / Se humbjen e morëm, po s’e di ç’fituam.” Kurse Mehmet Akifi e portretizon me këto vargje gjendjen: “Mos! Na gënjeu besim i pesë a dhjetë mohuesve; / ramë në një gjumë që në Xhehenem na e nxuarr!” Kështu që, mëkëmbja edhe njëherë e një shoqërie që i ka ikur feja prej duarsh, që i është rrënuar besimi dhe vlerat i janë rrëgjuar njëra pas tjetrës dhe përmirësimi kërkon një përpjekje më se serioze.

Ringritja e kësaj statuje copëzat e bekuara të së cilës janë krisur, janë copëtuar dhe janë përhapur sa andej këndej dhe rikthimi i saj në identitetin e mëparshëm është e kushtëzuar në përpjekjet e njerëzve të horizonteve të epërme, të cilët dinë si të sakrifikojnë prej çdo lumturie materiale a metafizike.

Sepse siç përmendet edhe në një poezi në gjuhën arabe, “gradat arrihen sipas shkallës së vështirësisë së kaluar.” Nëse do të përpiqemi që ta kuptojmë pak më mirë këtë thënie, atëherë do të shohim se mund të nxjerrim edhe një përmbajtje të këtillë: që të mund të arrish ngritje si materiale, ashtu edhe shpirtërore, në mënyrë që të arrish veç majat dhe të qëndrosh veç në to, për t’i kurorëzuar veç me fitore të gjitha përpjekjet, duhet që vullneti dhe përpjekjet e bëra të shfaqen dhe të realizohen përherë veçse në vendin e duhur dhe me qëllimin e duhur. Nuk duhet harruar kurrë se asnjë lëvizje që nuk vjen si pasojë e një dallge që e merr forcën prej thellësie nuk premton asgjë për të ardhmen dhe nuk është e qëndrueshme përsa i përket përmirësimit të gjendjes së njerëzimit apo rilindjes edhe njëherë të tij. Ka sa e sa lëvizje që nisin me dukje nga më ekstravagantet, të cilat bëjnë vetëm tri hapa dhe mbeten në vend, u thyhet beli dhe, sikur të ishin nga një ëndërr e dhimbshme, humbasin si të ishin fryt i vetëm një përhumbjeje kalimtare. Po, përgatitja e një mjedisi sa më të përshtatshëm përsa i përket përmirësimit të gjendjes së shoqërisë dhe kapërcimit të një varg pengesash që mund të dalin përpara mund të realizohet edhe me ndihmën e iniciativën e drejtuesve apo politikanëve. Ata, me mbështetjen e tyre, mund të bëhen shkas që heronjtë e restaurimit të përparojnë më shpesh në kauzën e tyre dhe, kësisoj, do të kenë merituar edhe vlerësimin dhe duartrokitjet e merituara të popullit të tyre.

Mirëpo puna e mirëfilltë që duhet bërë në emër të restaurimit është trajtimi i imtësishëm i çështjes dhe shpjegimi siç duhet për çdo hallkë të shoqërisë.

Kështu duhet thënë edhe njëherë ‘Bismil’lah’ dhe të fillojë prej abc-së së punës; duhet ta kuptojë se restaurimi i një shoqërie duhet të kalojë njëherë nëpërmjet restaurimit të individit. Nuk do harruar se pa u përmirësuar njëherë të gjitha njësitë e një shoqërie është e pamundur që të restaurohet shoqëria.

Restaurues që kanë hequr dorë prej çdo kënaqësie materiale dhe shpirtërore

Që njerëzit që janë fiksuar pas një risistemimi dhe restaurimi të këtyre përmasave të mund t’ia arrijnë synimit të tyre, duhet që ata të veprojnë gjatë gjithë jetës me shpirtin e dedikimit të vetes kësaj pune. Sepse projektet më të mëdha të njerëzimit nuk kanë arritur të përmbyllen me sukses veteëm sepse njerëzit i kanë lidhur këto ëndrra me interesat e tyre personale, apo familjare. Jo vetëm që nuk kanë pasur sukses, por edhe ia kanë ndotur emrin atij qëllimi të epërm dhe janë përjetuar humbje pas humbjesh në një rrugë që duhet të çonte veç drejt fitores. Sepse, me qasjen e Bediuzamanit, nëse një çështje e rëndësishme politike, administrative apo një organizim i madh është e ndërtuar mbi interesa, atëherë është e kuptueshme që njerëzit që gjenden në të do të sillen si egërsira. Kësisoj njëri do të fillojë të përbaltë tjetrin, tjetri tjetrin, e kështu me radhë. Sepse kur brenda një pune zë të hyjë interesi, masat fillojnë të kapërfyten me njëra-tjetrën dhe, për rrjedhojë, nuk arrihet kurrfarë përmirësimi në emër të shoqërisë. Vetëm të tjerët që nuk veprojnë si ju do të kenë sukses dhe ju nuk do të mund të shpëtoni dot kurrën e kurrës prej të qenit të kontrolluar prej të tjerëve.

Rruga e vetme për t’u çliruar prej kontrollit të të tjerëve është të punuarit përgjatë gjithë jetës pa u ndalur për as edhe një çast të vetëm, pa pasur kurrfarë pritmërie, por vetëm për hir të kënaqësisë së Allahut dhe për hir të popullit.

Njerëzit që bartin një ideal për të jetësuar duhet të ngarendin përherë veçse pas planesh dhe projektesh të mëdha. Ata duhet të kenë planet dhe projektet e tyre edhe për brezat e rinj që do të vijnë pas pesëdhjetë-gjashtëdhjetë vjetësh. Përderisa Allahu (xh.sh.) i ka falur njeriut aftësi dhe kapacitete për të mos mbetur pre e dimensioneve të ngushta, njerëzit duhet të dinë t’i përdorin ato më së miri, duke mos ia thyer aftësive të tij hovin për zhvillim duke e burgosur veten brenda një hapësire të ngushtë që të merr frymën. Ata nuk duhet të thonë asnjëherë “kaq mjafton” për punët dhe veprimtaritë që do të kryejë në rrugën e së drejtës. Përkundrazi, duhet të kërkojë rrugë të reja zgjerimi në të katër anët e btotës, duke hapur shtigje të reja në çdo etapë.
Nuk dua kurrsesi që të keqkuptohet, sepse një botëkuptim i tillë nuk ka të bëjë fare me pushtimin e botës apo rrëzimin e disa perandorive dhe ngritjen e të rejave në vend të tyre. Përkundrazi, qëllimi i vërtetë i këtij pikësynimi është ndërtimi i një lidhjeje të fortë, të ngrohtë dhe të shëndoshë fqinjësie mes popujve të ndryshëm, duke marrë, nga njëra anë, prej tyre ç’është e mirë për t’u marrë, ndërsa nga ana tjetër të mund t’u flasim zemrave të tyre disa vlera njerëzore dhe mendime që ne përfaqësojmë dhe të cilat e kapërcejnë çdo lloj humanizmi. Sepse ne e dimë mjaft mirë, se nëse nuk arrihet dot ndërtimi i një fqinjësie të këtillë në mbarë botën e sotme, e cila globalizohet dhe zvogëlohet ndjeshëm nga dita në ditë dhe nuk nisim të bëhemi njësh me njëri-tjetrin, kjo botë mund të kthehet në një ferr të pajetueshëm. Sepse kështu do të mbizotërojë vetëm udhëheqja e atyre që janë fiksuar pas dhunës dhe që i thurin të gjitha planet dhe i hartojnë të gjitha programet duke marrë jetë njerëzish apo duke u zënë vendin njerëzve që u marrin jetën, apo zullumqarëve që i kundërvënë njerëzit me njëri-tjetrin vetëm e vetëm për të ruajtur vazhdimësinë e tiranisë së tyre. Mirëpo është tejet e rëndësishme dhe nuk duhet harruar, se kjo botë e moshuar nuk mund ta durojë dot më një armiqësi që buron prej një mllefi dhe urrejtjeje të tillë dhe armëve shfarosëse që janë rezultati më i natyrshëm i saj. Nëse nuk ngrihen ura të reja dialogu, dashurie dhe mirëkuptimi për t’i kapërcyer këto dallgë të forta urrejtjeje, atëherë përjetimi i ndodhive të frikshme dhe rënia e kiametit për mbarë njerëzimin kanë për të qenë të pashmangshme.

Si rrjedhojë, ne duhet të zgjedhim përherë rregullin, restaurimin, vëllazërinë dhe dhënien jetë të tjerëve. Edhe sikur të marrim kërcënime me vdekje të njëpasnjëshme për shkak të ecjes në këtë rrugë, ne duhet t’i presim ato me një vetëdorëzim të plotë tek Allahu (xh.sh.), duke ditur përherë si të përballemi me buzëqeshje me çdo ndodhi që na tregon fytyrën e saj të murrëtyer. Sa herë që të nevojitet, ne duhet të dimë se si të jetojmë të privuar prej kënaqësive dhe dëshirave tonë për jetën, nëse bëhet fjalë për shpëtimin e mbarë njerëzimit. Veç kësaj, duhet të kujdesemi që të mos i përdorim për hir të ndonjë interesi tonin ato mundësi që Allahu (xh.sh.) mund të na ketë falur që ne t’i përdorur për t’u shërbyer njerëzve. Sepse veprimi njerëzve që i kanë ngarkuar vetes detyrën e ringjalljes së botës së tërë në kërkim të interesave personalë është një sjellje e shëmtuar dhe aspak për t’u dashur, të cilës nuk mund t’i atribuohet dot kurrfarë vlere njerëzore. Aq sa mund të thuhet se duhet ta konsiderojmë si të paturpshme edhe pritjen e Xhenetit gjatë rrugëtimit në këtë rrugë. Duhet të bëjmë çmos për ta zgjuar edhe te brezat e sotëm këtë ndjenjë. Sepse ata që do të mund t’ia ndryshojnë çehren kësaj bote do të jenë ata njerëz që rrallë e të pazëvendësueshëm që do të përfaqësojnë veç këtë ndjenjë dhe botëkuptim.

Dashuria: çelësi sekret i zemrave

Edhe vuajtja është një prej dinamikave më të rëndësishme përsa i përket nxjerrjes së projekteve të reja për restaurimin dhe përmirësimin e gjendjes së sotme të njeriut dhe realizimit të tyre. Me lejen dhe ndihmesën e Allahut (xh.xh.), njeriu që arrin ta zotërojë atë, nuk ka për t’u zhgënjyer asnjëherë për arritjen e rezultateve të pritura. Prandaj ejani të mblidhemi dhe t’i kërkojmë Allahut (xh.sh.) që të na falë pak vuajtje. Vuajtje për të menduar për popullin tonë... vuajtje për të menduar për gjendjen e botës islame, të cilës i është vënë kulari në qafë... T’i përgjërohemi Allahut: “O Zot, hidhmë mua vuajtje në zemër sikur të ishe duke më hedhur ndonjë shigjetë!” Në çdo gjë që bëjmë, edhe kur ulemi, edhe kur ngrihemi, edhe kur ecim etj. të mendojmë veç për problemet që kanë pllakosur fatin e njeriut dhe të përpiqemi që t’u gjejmë atyre zgjidhje.

Sado që feja ngrihet mbi kriterin e lehtësimit, detyrat që i presin arkitektët e mendimit janë shumë të rënda. Siç është shprehur edhe një poet, atyre u duhet të realizojnë një performancë të atillë, sa që t’u duket sikur truri do t’u dalë nga çasti në çast prej hundëve. Sepse ka sa e sa njerëz që presin që veç të dalë një fjalë prej gojës së tyre, që u vënë veshin për çdo gjë dhe që veprojnë paksa edhe me psikologjinë e turmës. Ndaj duhet që ata të mendojnë më parë për jetësimin e të tjerëve se sa për jetën e vet dhe ta thurin çdo çast të jetës rreth boshtit të këtij ideali. Steka e synimeve duhet të jetë gjithnjë sa më e lartë, duke e trajtuar këtë si një çështje që ngërthen mbarë njerëzimin brenda saj. Nëse nuk arrini të ndërtoni diçka të re në emër të qëllimit tuaj të epër në çdo vend, në këtë botë të globalizuar, nuk do të mund të jeni dot atje ku doni të jeni dhe as nuk do ta realizoni dot restaurimin e dëshiruar. Sepse bëjnë çmos pastaj, që t’jua nxjerrin hundësh vendin që synoni të arrini. Nga kjo pikëpamje, populli ynë është i detyruar që të veprojë si një popull i mbarë botës.

E ndërsa e bën këtë nuk duhet të devijojë asnjëherë prej butësisë dhe paqes, por të hyjnë në zemra veç me gjuhën e dashurisë. Sepse gjuha e dashurisë është një çelës i mistershëm që nuk ka portë që të mos e hapë dot. Nëse arrini ta përdorni siç duhet këtë gjuhë, atëherë mund të hapni çdo portë, duke u futur edhe në kraharorët më inatçorë. Siç e thotë edhe një fjalë e urtë turke, gjuha e ëmbël e nxjerr edhe gjarprin nga vrima. Përderisa me zërin e fyellit mund të vihen për të kërcyer edhe kobrat, ma merr mendja se veprimi i përzemërt dhe që buron nga shpirti ka për t’i shkrirë disa ndjenja urrejtjeje; siç e shpreh edhe Kurani Famëlartë, do të nisin t’jua hapin zemrat edhe ata njerëz që ju i konsideroni si armiq.

Ajo ç’kanë dhënë deri tani është referenca më e mirë për atë ç’do të japin në të ardhmen

Edhe pse brezat e sotëm mund të mos e kenë kuptuar sa duhet këtë çështje, kjo përpjekje restaurimi që do të tregojnë zemrat besimtare bart domethënien e përmirësimit të gjendjes së mbarë rruzullit tokësor. Edhe njerëzit e para tridhjetë e kusur viteve, ata vetësakrifikues të dashurisë që qenë përhapur në të katër anët e botës, as që e konceptonin dot se do të mund ta sillnin sot botën në këtë gjendje. Mirëpo ata që tregohen sot sadopak të kuptueshëm arrijnë t’i vlerësojnë dhe t’i duartrokasin shërbimet e atyre njerëzve që kanë shkuar në afërsisht njëqind e shtatëdhjetë vende të ndryshme të botës dhe bëjnë një punë që e kapërcen atë të ambasadorëve. Kështu mund të mos kuptohet dot edhe gjendja e pas tridhjetë viteve të tjera. Nëse ruhet ajo qashtërsi dhe ai sinqeritet i fillimit, nëse në shpirtrat e njerëzve nuk do të ketë bjerrje dhe mbahet i gjallë shpirti i sakrificës, mospritmërisë dhe vetëdedikimit, atëherë është e pashmangshme që rruzulli të ringjallet edhe njëherë.

Dhe nuk do harruar kurrsesi se shërbimet dhe sukseset që Allahu (xh.sh.) u ka bërë të mundura disa njerëzve për shekuj me radhë në të shkuarën janë referenca më e mirë dhe më e besueshme për shërbimet që do t’u mundësojë dhe suksesin që do t’u falë njerëzve në të ardhmen. Nuk ekziston kurrfarë pengese që të mos lejojë përsëritjen edhe sot të atyre gjërave të bukura që kanë ndodhur në të shkuarën. E rëndësishme është që ne të shpërfaqim një performancë të ngjashme me atë të sahabëve tanë të nderuar, të mund ta kemi formuar edhe ne veten njësoj siç e patën formuar ata; të jemi gjithnjë aktivë dhe të rinj në shpirt, të pavjetëruar dhe të pampirë, të prodhojmë vazhdimisht projekte të reja dhe t’i përdorim sa më mirë të gjitha mundësitë që na janë falur.

e-max.it: your social media marketing partner

Please publish modules in offcanvas position.