Ahireti ose jeta e përtejme është domosdoshmëri e emrave Kerim (BUJAR) dhe Rrahim (SHPËRBLYES) të Zotit

Ahireti ose jeta e përtejme është domosdoshmëri e emrave Kerim (BUJAR) dhe Rrahim (SHPËRBLYES) të Zotit

Ndaj më të dobëtëve dhe më nevojtarëve tregohet kujdesi më i mirë e më i përsosur.

Shohim se gjallesat më të brishta, se qeniet pa duar e pa këmbë ushqehen me shumë lehtësi.

Po qe se do të liheshin mënjanë ndërhyrjet e gabuara të njerëzve që e përdorin vullnetin e tyre jo për të ndrequr, por për të prishur punë, vëzhgojmë se ndaj qenieve më të dobëta e më të pafuqishme tregohet kujdes në mënyrën më të mirë.

Ja pra, mundësimi i një qelize për ta vazhduar jetën, ushqimi me metodën më të përsosur i fetusit në mitrën e nënës, kalimi i fëmijës që vjen në botë, në duart e nënës dhe plotësimi me kujdesin më të madh i të gjitha nevojave të tij, ushqyerja mjaft përsosmërisht e peshqve në fund të detit dhe e krimbave brenda frutit, dërgimi i furnizimit dhe i ushqimit gjer te pemët dhe të sëmurët e paralizuar që s’lëvizin dot nga vendi, si dhe mijëra shembuj konkretë si këta, e përforcojnë specifikën që e parashtruam më lart si ide abstrakte.

Me anë të të gjitha këtyre e kuptojmë se në gjithësi është një Individualitet Kerim (bujar) dhe Rrahim (shpërblyes) që sundon e urdhëron.

Po, Zoti tregohet kaq mirësi-bërës dhe bujar në tërë gjithësinë, Ai kërkon vazhdimisht të bëjë mirësi dhe bujari. Krahas dëshirës për të bërë bujari dhe mirësi, duhet edhe që ata të cilëve do t’u bëhet bujaria dhe mirësia, të ekzistojnë si trup. Meqë në këtë botë, njerëzve të dobët, të pafuqishëm dhe, në të njëjtën kohë, të vdekshëm, u bëhet kaq shumë mirësi dhe bujari, mëshira dhe bujaria e Zotit e bën të nevojshme vazhdimin e kësaj mëshire dhe bujarie.

Mirëpo njeriu në këtë botë, për një kokërr rrush që ha, ha një mijë shpulla! Shijon, por nuk ngopet. Në gojë i shfaqet shija, kurse në zemër klithma dhe vajtimi. Gjërat që i japin atij kënaqësi, ikin pa e pyetur, madje pa e përshëndetur fare, si rinia, forca, fuqia dhe mirësi e dhunti të tjera të shkatërrueshme.

Atëherë, Zoti që i dhuron mirësi njeriut këtu, nuk do ta shndërrojë dhuntinë në ndëshkim, kënaqësinë në mundim dhe dashurinë në armiqësi duke ia prerë njeriut aty për aty mirësitë dhe dhuntitë. Mirëpo, po të mos jenë të gjitha këto të përjetshme, dhuntia bëhet ndëshkim, kënaqësia bëhet mundim dhe dashuria kthehet në armiqësi. Në është kështu, atëherë ka një botë të përjetshme ku mirësitë dhe dhuntitë do të vazhdojnë dhe patjetër do të ketë!

Ruajtja E Të Dhënave Në Këtë Botë Është Argument Se Ringjallja Dhe Jeta E Pasme Do Të Ndodhin

Në këtë gjithësi e në këtë botë sundon një ruajtje e përsosur e të dhënave. Natyra dhe përbërja e njeriut ruhen në një qelizë të quajtur spermatozoid. E ardhmja e njeriut gjer në hollësitë më të imta të karakterit të tij ruhen në kromozome. Po qe se përpiqeni ta ndryshoni numrin e kromozomeve te njeriu, atëherë do t’ia ndryshonit natyrën dhe përbërjen. Siç dihet, struktura shpirtërore (psikike) e njeriut, karakteri, bota e brendshme formësohen me anë të kromozomeve. Po qe se numri i tyre që është 46, do të ndryshohej në 44 ose 48, njeriu do të kthehej në një qenie krejt tjetër. Siç shihet, qenie tejet të vogla si kromozomet vendosin, si shkaqe dhe pretekste, se ç’ka për t’u bërë njeriu. Kjo do të thotë se Zoti u ka dhënë atyre të drejtën e përcaktueshmërisë dhe e vë në veprim e i jep vazhdueshmëri një rregulli të caktuar. Dhe ne vëzhgojmë sesi këtu sundon një ndodhi cilësore matematike.

Njeriu nuk humbet, nuk shkon kot, nuk asgjësohet. Ai nuk është sot njeri, nesër kafshë e pasnesër bimë! Njeriu si thelbi dhe koncentrati i gjithësisë, ruhet në një qenie tejet të vogël që mund të shihet vetëm me mikroskop. Kështu njeriu lind si njeri, jeton si njeri, vdes si njeri dhe, më në fund, do të ringjallet prapë si njeri dhe do të japë llogari.

Druri i pishës është vendosur në farën e vogël të pishës dhe ruhet atje që një ditë të rritet e të bëhet një pishë e lartë që të matet me qiejt!

Nga themeluesit e fizikës së atomit, S. James, thotë: “Ai që e ka krijuar gjithësinë, është, pa dyshim, matematicieni më i përkryer!” Me këto fjalë ai aludon për kriteret matematike që sundojnë në gjithësi. Në asnjë ngjarje, dukuri, kahje dhe lëvizje nuk vërehet ndonjë antagonizëm me kriteret matematike që ekzistojnë në gjithësi.

Në fakt, të gjitha këto na tregojnë neve për emrin e Tij Mukaddir (vlerësues, përcaktues, detyrues). Por Jean dhe ata që mendojnë si ai, edhe emrat e tjerë i fusin nën hijen e emrit Mukaddir. Ne, si sunitë, në një aspekt, e pranojmë këtë. Ndërsa në një kornizë sundon një emër, emrat e tjerë e bëjnë të ndjehet ekzistencën e tyre nën hijen e emrit sundues. Kështu, kur i shohim materien dhe dukuritë për sa u përket përcaktimit, kritereve, analogjisë, sundimit të matematikës dhe pranisë së një gjendjeje që t’i merr sytë, para së gjithash shohim në tërë shkëlqimin dhe madhështinë e vet emrin Mukaddir të Allahut!

Thamë se çdo gjë ruhet. Janë kromozomet ato që e ruajnë natyrën dhe përbërjen bazë edhe të bimëve. Më tej, ashtu siç ruhen të dhënat mbi njeriun te spermatozoidi dhe të dhënat mbi bimën te fara, edhe të gjithë tingujt dhe zërat ruhen në kozmos dhe në trupa të ndryshëm. Siç shënohen zërat në shiritin magnetik apo në forma dhe mënyra të reja që zbulohen dhe praktikohen çdo ditë, edhe zërat, lëvizjet dhe veprimet tona shënohen në trupa në forma dhe mënyra të ndryshme që ne sot nuk i dimë, por që nesër do të dëshmojnë në favor ose në dëmin tonë!

Në një provë të kryer nga një shkencëtar është vërejtur kjo gjë. Nën një pemë, aty ku është kryer një krim, sjellin me radhë personat që dyshohen se e kanë kryer krimin. Gjersa sjellin kriminelin e vërtetë, te pema nuk vërehet asnjë lëvizje, kurse kur nën pemë futet krimineli vetë, pema fillon të lëvizë dhe kështu gjendet se kush është fajtori. Siç duket, në pemë, degë e gjethe janë fiksuar mbresat e lëna nga rrezatimi i posaçëm i personit dhe janë pikërisht ato që e vënë pemën në lëvizje duke e denoncuar fajtorin!

Pas fiksimit shkencor të faktit se lëvizjet dhe dukuritë më të thjeshta shënohen, mund ta shohim çështjen në aspektin që i përket njeriut. Ruajtësi i cili e ruan njeriun te spermatozoidi, pemën te fara dhe pulën te veza, nuk do ta asgjësojë me vdekje njeriun që është epiqendra e gjithësisë dhe përfaqësuesi i Tij në tokë, por si farën e hedhur në tokë, do ta ruajë për ta ringjallur në një botë tjetër duke i dhuruar atje një formë jete të denjë për të!

Please publish modules in offcanvas position.