Zaevi për 'Efimerida': Të dyja vendet dhe qytetarët mund të jenë miq të sinqertë

Zaevi për 'Efimerida': Të dyja vendet dhe qytetarët mund të jenë miq të sinqertë

Për miqësi të sinqertë mes të dyja vendeve dhe dy popujve, për përfitimet pozitive nga Marrëveshja e Prespës, për proceset në Kuvendin e Maqedonisë dhe Parlamentin grek , për anëtarësimin në NATO, zgjedhjet e ardhshme presidenciale te ne, por edhe për kandidaturën për Çmimin Nobël për Paqe, flet kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në intervistë për gazetën greke “Efimerida ton sindakton”, lajmëron korrespondentja e MIA-s nga Athina.

 

Në intervistën e zgjeruar dhe të hollësishme në tre faqe, kryeministri thotë se Marrëveshja e Prespës në të ardhmen nuk mund të ndryshohet, ndërsa shfaq shpresë se zgjidhja mes Maqedonisë dhe Greqisë do të marrë dritë jeshile nga deputetët edhe në të dyja vendet, por nuk e fsheh shqetësimin e tij.

“Po, jam i shqetësuar, ashtu siç isha i shqetësuar dhe për kuvendin tonë, sepse, në fund, votojnë deputetët”, u përgjigj Zaev në lidhje me proceset në vazhdim në Parlamentin grek, njëri për ratifikimin e marrëveshjes, tjetri për ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO.

“Unë dhe miku im i mirë Aleksis sollëm vendime dhe e ndërmorëm gjithë rrezikun politik sepse besojmë se ky është vendimi i duhur për të ardhmen e vendeve tona”, thotë Zaev dhe potencon se sipas të dhënave statistikore, në 10 muajt e fundit tregtia mes të dyja vendeve është rritur për 18,.7 për qind.

Në lidhje me procesin te ne, thotë se në këtë moment nuk e di se sa deputetë do të votojnë “për”, por beson se do të jenë mbi 80. Sqaron se në vijim është procesi i dorëzimit të amendamenteve për amendamentet kushtetuese.

“Gjithsesi, procesi udhëhiqet në konsultim me Qeverinë greke, sepse është e rëndësishme që të jetë në frymën e Marrëveshjes së Prespës, me qëllim të vetëm përforcimin e miqësisë sonë”, thotë Zaev.

Kryeministri, përmes gazetës greke, dërgon porosi sri te qytetarët grekë se të gjitha vendimet të cilat sillen nga institucionet e Maqedonisë janë përgjithmonë

“Procesi në vendet tona është i pakthyeshëm. Nuk ekziston mundësi dikush ta ndërrojë Marrëveshjen e Prespës. Para së gjithash, bëhet fjalë për ligj dhe gjithashtu ky është ndryshim kushtetues. E ndryshuam Kushtetutën tonë sepse besojmë në një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë dhe për të gjithë rajonin dhe të dërgojmë porosi deri te Evropa për një Ballkan evropian. Dhe në të vërtetë, Greqia ka të drejtë të jetë vend lider i Ballkanit, komenton kryeministri i Maqedonisë në intervistën, transmeton MIA.

Në lidhje me refuzimin e presidentit të Maqedonisë që ta nënshkruajë ratifikimin e marrëveshjes, Zaev thotë se ekzistojnë mundësi alternative, por kjo që tani ka përparësi janë ndryshimet kushtetuese.

Për reagimet e opozitës edhe në Maqedoni edhe në Greqi, Zaev komenton se ato janë identike.

“Kritika të njëjta. Si të jenë vëllezër binjakë. Këtë që e di është se opozita jonë dëshiron të kalojë marrëveshja që të na kritikojë. E respektoj zotin Micotakis, si dhe çdo politikan grek. Pse mot t’i jepet shans marrëveshjes, duke e mbështetur? Megjithatë, ndoshta do ta mbështesë kërkesën për anëtarësimin tonë në NATO, pse jo? Gjithsesi ata që në fund vendosin janë qytetarët dhe vlen të japim mundësi për zgjidhje”, sqaron kryeministri i Maqedonisë dhe shton se përvoja nga e kaluara ka treguar se mungesa e marrëveshjes nuk ka sjellë asgjë pozitive, ndërsa politika nga e kaluara ka shkaktuar dëm edhe mbi të dyja vendet.

Zaevi thekson se kur Ciprasi ka ardhur në pushtet ka dërguar porosi pozitive deri te vendi ynë, ndërsa të njëjtën e ka bërë edhe ai me ndërmarrjen e funksionit të kryeministrit.

“Këto (porosi) kanë përgatitur një atmosferë minimale në kabinetet tona, ndërsa para së gjithash te ministrat Koxias dhe Dimitrov që të ulen dhe të fillojnë bisedime. Pastaj, në Davos, me Aleksisin e mbështetëm dhe e inkurajuam procesin, atje sinqerisht i hapëm zemrat, për dy orë u bëmë miq shumë të mirë dhe shpesh bisedojmë për atë sa i duam vendet tona, për atë se besojmë se miqësia e re do të sjellë vetëm rezultate pozitive dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët e të dyja shteteve”, sqaron Zaevi dhe shton se ata kanë qenë të vetëdijshëm se e gjithë kjo mund të ketë çmim në karrierat e tyre personale dhe politike, por janë munduar të jenë më të ndryshëm nga paraardhësit e tyre.

I pyetur për reagimet ruse, kryeministri i Maqedonisë thotë se ne jemi një vend i vogël, por miqësor i cili dëshiron t’i përforcojë marrëdhëniet edhe me Rusinë, por sqaron se mbi 80 për qind e qytetarëve janë për integrim euro-atlantik. Mendon se anëtarësimi në NATO do të sjell paqe dhe garanci për paqe në Ballkan.

“Ne jemi një vend i qetë dhe miqësor. Dëshirojmë përmes anëtarësimit tonë në NATO të sjellim paqe. Dëshirojmë që këtë paqe ta zgjerojmë për vendin tonë, për tërë rajonin, duke marrë pjesë në misione paqësore në tërë botën për luftën kundër terrorizmit, radikalizimit dhe ekstremizmit”, thotë Zaev dhe shton se në këtë moment, Maqedonia është një vrimë e zezë e Ballkanit sepse të gjitha vendet e rajonit tani më janë anëtare të NATO-s.

Kryeministri i Maqedonisë thotë se përmes një mënyrë miqësore, me rrezik të madh politik, por në interes të vendeve, mund edhe Serbia edhe Kosova të gjejnë zgjidhje siç këtë e kanë bërë Maqedonia dhe Greqia dhe shton se “kemi zbuluar një mjet i cili mund të shfrytëzohet nga tërë bota”.

“Me kujdes të madh e sollëm çdo vendim që të mos fyhet asnjëra palë. Kjo është mënyrë miqësore. Kjo mund të shfrytëzohet si shembull, jo vetëm nga Serbia dhe Kosova, por edhe nga rajonet tjera në botë”, thotë Zaev.

Lidhur me Çmimin Nobël të paqes, kur ai dhe kryeministri grek u propozuan, Zaev në një intervistë zbulon se i ka shkruar një mesazh Ciprasit se është nder i madh, Ciprasi i është përgjigjur se “çmimi më i madh për ne është miqësia jonë dhe ardhmëria më e mirë për vendet tona dhe qytetarët tanë”.

Thotë se është i gëzuar sepse ka një mik të ri dhe shpreson se në të ardhmen me Ciprasin do të takohen në Shkup ose në Athinë, “çdoherë me shpresë dhe bindje se dy vendet dhe qytetarët mund të jenë miq të sinqertë”.

“Do të bëj gjithçka që pas votimin t’ia tregoj Greqisë, në mënyrë praktike, përparësitë e marrëveshjes. Mandati im përfundon në vitin 2020. Pjesën më të madhe të mandatit tim do ta kushtoj për t’u treguar qytetarëve grekë se ekzistojnë vetëm pika pozitive”, thekson kryeministri Zaev në intervistë për “Efimerida ton sindakton”, transmeton MIA:

Zaevi sqaron se nuk do të kandidohet për president sepse nuk dëshiron ta humbë gëzimin e momentit kur do të implementohet marrëveshja. Thotë se “presidenti i ardhshëm duhet t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët, sepse ky i tanishmi, me tërë respektin, një politikan demokratik, nuk i realizoi pritjet në tërësi”.

Zaevi në intervistën e zgjeruar në tre faqe, duke folur për kryeministrin grek thotë se është “miku i tij Aleksis”, ndërsa e përmend dhe e thekson miqësinë midis dy vendeve dhe dy popujve që në mënyrë shtesë do të përforcohet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës dhe do të sjell dobi dhe përfitime edhe për të dyja palët. Sqaron se mes tij dhe Ciprasit ka besim.

Please publish modules in offcanvas position.