Akademia do të jetë një rinim për arsimtarët

Akademia do të jetë një rinim për arsimtarët

Arsimtarët do t'i nënshtrohen trajnimit akademik...

Përveç formacionit pedagogjik dhe metodologjik, për ata arsimtarë që do të shprehin dëshirë që të posedojnë certifikatë të Akademisë për arsimtarë, do të duhet t'i nënshtrohet trajnimit për arsimtarë në Akademinë e arsimtarëve. Trajnimit që do ta mundësoj kjo akademi nuk do të mund t’i nënshtrohen të gjithë të punësuarit në arsim.

 

Për të aplikuar në këtë Akademi dhe për të qenë pjesë e trajnimit nevojitet që arsimtari t'i plotësoj disa kushte themelore, por këtu përjashtim bëjnë ata që veç më e ushtrojnë këtë detyrë në ndonjë shkollë fillore apo të mesme. Për këtë Akademi u hodhën teza të ndryshme, disa nga ato kishin të bëjnë me atë se vallë a do të jetë e domosdoshme nënshtrimi i saj, kurse disa të tjerë kishin të bëjnë me atë se sa e nevojshme është themelimi i një akademie arsimore. Për ta kuptuar më mirë funksionin dhe përgjegjësitë që do të ketë kjo Akademi, revista “Zaman” shpjegon hollësisht se si do të funksionoj kjo akademi dhe cili do të jetë roli i saj.

Agim Rushit 0a642

Dr. Agim Rushit, përgjegjës i sektorit për arsim të lartë në MASH “Presim të kemi arsim shumë më cilësor dhe kuadër shumë më të përgjegjshëm”

Akademia e arsimtarëve do t'i ketë organet dhe kompetencat e veta, do të emërojë ligjërues, do të formojë Komisione për provim pranues dhe Komisione për provimin përfundimtar. Organet e Akademisë së arsimtarëve do të jenë Këshilli Drejtues si organ drejtues i përbërë prej 9 anëtarëve, drejtori dhe këshilli programues si trup profesional i Akademisë. Këshilli drejtues, përpos tjerash, i sjell aktet e Akademisë, zgjedh drejtorin e akademisë, bën konstituimin e komisioneve, përcakton listën e ligjëruesve, sjell programet për provim pranues, për trajnim, për provimin përfundimtar, programin për pjesën praktike të trajnimit dhe  programin për trajnimet e specializuara (me propozim të Këshillit profesional). Kushtet për pranim të kandidatëve janë përcaktuar në Ligjin për Akademi të arsimtarëve. Ja disa nga ata: Fakultet të kryer me 240 EKTS kredi, notë mesatare (7.00 për kandidatët të cilët kanë diplomuar nga fusha e shkencave matematiko-natyrore, teknike, medicinës, kurse  nota 8-të, për ata të lëmisë shoqërore dhe humanitare). Ndërsa ata që punojnë si arsimtarë në shkolla fillore dhe të mesme, duhet të kenë të kryer vetëm fakultet. Presim që të kemi arsim shumë më cilësor, kuadër shumë më të përgjegjshëm arsimore, një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja dhe një perspektivë për shoqërinë të bazuar mbi dije.

Nga viti i ardhshëm mësuesit do të kenë të drejtën t’i nënshtrohen testimit në Akademinë e Arsimtarëve. A ka mundësi të na shpjegoni më hollësisht se si do të funksionoj kjo akademi?

Akademia për arsimtarë do të jetë një institucion publik për pranimin dhe aftësimin profesional, përmes trajnimeve të arsimtarëve nga shkollat shtetërore dhe ato private, si dhe institucioni kompetent për licencimin e arsimtarëve për ushtrimin e profesionit të mësimdhënies. Veprimtarinë e vet në drejtim të aftësimit profesional të mësimdhënësve me qëllim të krijimit të një kuadri cilësor të mësimdhënësve, ky institucion do ta realizojë përmes formave të ndryshme të organizimit dhe përmes programeve të caktuare dhe adekuate të trajnimit. Përpos organizimit të këtyre formave të aftësimit, Akademia do të organizojë dhe realizojë konferenca  brenda  vendit dhe ato ndërkombëtare, tryeza të rrumbullakëta, seminare, programe për vizita profesionale dhe forma tjera të trajnimit dhe aftësimit profesional. Nuk do të mungojnë bashkëpunimet në fushën e trajnimeve me organizata, asociacione, fondacione dhe me institucione si motra nga vendi dhe jashtë të specializuara për trajnime të mësimdhënësve. Do të ketë bibliotekën e vet, do të merret me veprimtari botuese për nevojat e veta, do të bashkëpunojë me fakultetet pedagogjike dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë për përgatitjen e studentëve për pranim në Akademi. Po ashtu  do të merret edhe me projekte hulumtuese dhe veprimtari tjera që janë të rëndësishme për përparimin dhe aftësimin e trajnimeve në arsim. Akademia do të propozojë kodeksin për arsimtarë. Programi për trajnim paraqet nxënie të organizuara të aftësive, shkathtësive, dituri praktike dhe teorike, ngritja e aftësive të gjertanishme në një stad më të lartë, të cilat janë më se të nevojshme për kryerjen e punës që ushtrojnë në mënyrë të pavarur, profesionale dhe me përgjegjësi. Pas kryerjes së trajnimit, arsimtarët i nënshtrohen testimit dhe suksesi i treguar pozitiv i pajis ata me licencë. Licenca do të jetë një garanci se mësimdhënësi dhe të tjerët do të pajisen me dituri praktike dhe teorike që arsimtarin e çojnë drejt arritjes së qëllimit efikas dhe profesional për realizimin me sukses të punës edukativo-arsimore.

Në opinion shumica e profesorëve janë skeptik në objektivitetin e kësaj akademie? Cila do ishte përgjigjja juaj si ministri për këto zëra?

Skepticizmi ka kuptim vetëm për atë kategori të mësimdhënësve që vështirë i përshtaten ndryshimeve që sjell jo vetëm  koha, por edhe zhvillimi i theksuar tekniko-teknologjik.

Në kohën e sotme, në çdo bisedë private, në çdo debat intelektualësh, në shumë mediume dhe takime të ndryshme, gjithnjë e më shumë theksohet nevoja për ndërmarrjen e hapave për përmirësimin e praktikës shkollore, respektivisht për përmirësimin e procesit të mësimdhënies dhe për aftësimin e mësimdhënësve. Në arsim nuk ka vend për skeptikët, sidomos për atë kategori të arsimtarëve që nuk kryejnë me nder dhe përgjegjësi misionin e tyre të edukatorit dhe mësuesit. Akademitë e tilla janë praktika tani më të njohura, qoftë edhe të jenë në forma të ndryshme që kanë një qëllim të vetëm ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësim nxënie.

Cilat kritere duhet t’i plotësoj arsimtari që të aplikoj në këtë akademi?

Kushtet për pranim në trajnim të kandidatëve janë të përcaktuar në Ligjin për Akademi të arsimtarëve. Do theksoj vetëm disa: fakultet të kryer me 240 EKTS kredi, notë mesatare (7.00 për kandidatët të cilët kanë diplomuar nga fusha e shkencave matematiko-natyrore, teknike, medicinës, kurse 8 për ata të lëmisë shoqërore dhe humanitare).

Çfarë privilegje do të kenë arsimtarët të cilët do ta përfundojnë këtë akademi?
Akademia e arsimtarëve nuk është formuar për të krijuar privilegje. Misioni i mësuesit është i shenjtë dhe si i tillë kjo akademi do ta për detyrë të kthejë vlerën, respektin dhe pozicionin që dikur kishin arsimtarët gjithkund në shoqëri. Por, njëkohësisht do të ndikojë të rris edhe përgjegjësinë te kjo kategori e punëtorëve, jo vetëm ndaj nxënësve, familjes, por edhe ndaj shoqërisë në tërësi. Licencimi i arsimtarëve do t'i vë ata në një kategori të të punësuarve që do t'i shijojnë edhe të mirat tjera materiale.

Këtë të drejtë do ta kenë vetëm ata që kanë përvojë pune mbi 5 vite edhe atë vetëm ata që i plotësojnë kriteret. Kjo metodë mund të shkaktojë pakënaqësi në radhët e mësimdhënësve nga që ka një numër të konsiderueshëm
i tyre me vite të tëra punojnë pa vendime pune.

Si mendoni t’i zgjidhni këta çështje?

Vendimi i punës për arsimtarët është i rregulluar me ligjin për arsimin fillor dhe të mesëm. Çdo individ që është në marrëdhënie të rregullt pune dy vite pa ndërprerje e plotëson kushtin për vendim pune. Dhe kjo praktikë tani më është etabluar dhe nuk hasë në ndonjë problem. Këtë e siguron ligji. Nuk e kam të njohur frikën që proklamohet se gjoja kjo do jetë një grusht për arsimtarët. Unë mendoj se kjo do ishte një rinim për arsimtarët, për arsimin në përgjithësi. Do jetë një hap para për hapnim cilësor drejt një arsimi cilësor dhe të përgjegjshëm.

Mësimdhënësit e rinj do të duhet t’i nënshtrohen testimit psikologjik. Çfarë nëse nuk e kalojnë këtë testim dhe sa herë do të ketë mundësi një mësimdhënës të aplikoj për këtë lloj të testimit?

Testimi është reflektim i cilësisë që posedon individi. Testimi bën prerje në mes të kategorive të individëve që i kërkon tregu arsimor (shkollat) dhe të atyre që vendin nuk e kanë në mjediset e tilla. Kjo është “sakrificë” e kuptueshme dhe normale.

Sipas Juve dhe në bazë të praktikave të deritanishme në reformat arsimore, çfarë efekti mund të prodhojë ky lloj vlerësimi?

Do të reflektojë arsim shumë më cilësor, kuadër shumë më të përgjegjshëm arsimor, një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja dhe një perspektivë për shoqërinë të bazuar mbi dije.


Fadil Lushi, Udhëheqës i njësisë ndër komunale në Tetovë, të Byrosë për zhvillimin e arsimit dhe njëkohësisht këshilltar pedagogjik për mësimin klasor.

AKADEMIA E ARSIMTARËVE DO TË PËRMIRËSOJË  CILËSINË NË ARSIMIN FILLOR DHE TË MESËM

Reformat qeveritare në fushën e arsimit përveç provimit shtetërorë, që kontestohet nga numri më i madh i profesorëve universitarë, parashikojnë edhe disa reforma në arsimin fillor midis të cilave është edhe formimi i Akademisë së Arsimtarëve. Sipas ligjit në komision do ta ketë një përfaqësues i zgjedhur nga ministria, një përfaqësues i zgjedhur nga sindikata, një nga Inspektorati i Arsimit, një nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, një nga fakulteti dhe një përfaqësues  nga jashtë. Dhe, vallë po pyesim a janë këta anëtarë më të kualifikuar se profesorët e fakulteteve?. Kriteret e shumta që po kërkohen dhe  mendojmë se shumica e arsimtarëve të cilët e kanë mbaruar para shumë viteve, përsëri janë të detyruar të njohin një gjuhë të huaj që do ta verifikojnë me një dokument jo më të vjetër se 5 vjet. Do të presim dhe të shohim se sa do të jetë e pavarur kjo Akademi e cila shpresojmë të risë cilësinë e arsimit në vendin tonë.

Fadil Lushi 1d4a8

A mendoni se trajnimi i arsimtarëve pas diplomimit është i nevojshëm?

Akademia (për arsimtarë) ka për qëllim të merret me trajnimin apo përsosjen profesionale të arsimtarëve të interesuar të cilët punojnë në shkollat fillore dhe të mesme, qofshin ato shkolla publike apo private. Të gjithë arsimtarët të cilët janë të interesuarit për tu regjistruar në këtë Akademi, paraprakisht duhet të plotësojnë disa kushte. Kushti i parë është që ata të kenë të kryer arsimimin superior gjegjësisht fakultetin, të kenë notë mesatare 7, edhe atë nga  lëmia e shkencave natyrore, teknike dhe shkencave mjekësore, njëjtë  sikurse  arsimtarët që kanë të kryer shkencat humanitare me notë mesatare 8. Këta duhet  të jenë të punësuar në procesin arsimorë, njëkohësisht të njohin një gjuhë të huaj dhe të plotësojnë edhe disa  kushte tjera. Të gjithë kandidatët të cilët do të paraqiten në këtë konkurs, paraprakisht do t’i nënshtrohen provimit pranues,  i cili provim do ndahet në dy pjesë: provim me shkrim dhe gojarisht. Nëse kandidati nuk e kalon pjesën e parë, nuk ka të drejtë ta vazhdoj provimin pranues. Pas kësaj pjese kandidati i nënshtrohet edhe dy testeve. Testi i integritetit dhe testi i personalitetit.

Çfarë efekti mund të prodhojë kjo akademi?

Të gjithë kandidatët të cilët do përfundojnë trajnimet në këtë Akademi do të pajisen me dy lloje licencash, 1. Arsimtar-mentor dhe 2. Arsimtar-këshilltar. Të gjithë arsimtarët do të marrin 3000 denarë shtesë rrogë. Akademia ka të drejtë t’ ua marr licencat secilit kandidat nëse hetohen pa rregullsi gjatë organizimit të aktiviteteve në kuadër të procesit edukativo-arsimor, si dhe në kuadër të bashkëpunimit të tij me arsimtarët tjerë.

A mendoni se akademia do të ndikoj në cilësinë e arsimit?

Qëllimi i themelimit të Akademisë konsiston në përsosjen profesionale të çdo arsimtari, i cili paraprakisht i plotëson kushtet për tu regjistruar në akademi. Themelimi i akademisë padyshim se do të ndikojë në ngritjen profesionale të kandidatëve dhe njëkohësisht do rris cilësinë në zbatimin e programeve mësimore në arsimi fillorë nëntëvjeçar dhe atij të mesëm.


Intervistë me Fatmir Sulejmanin, i cili ka punuar mbi 10 vjet si këshilltar i pavarur pedagogjik i lëndës Gjuhë shqipe dhe letërsi në Byronë për zhvillimin e arsimit. Aktualisht, ai ushtron detyrën e dekanit
të Fakultetit të filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ligjëron lëndën e Metodikës së mësimdhënies së Gjuhës shqipe dhe letërsisë.

Fatmir Sulejmani 16d17

Arsimtarët që i plotësojnë kushtet do t’i nënshtrohet testimit nga viti ardhshëm…

Jam në dijeni për këtë gjë, po e di gjithashtu se për t’u bërë kjo duhet paraprakisht të bëhen shumë punë. Para së gjithash mendoj në ngritjen e Akademisë, në kuadrot që do të punësohen aty, në autoritetin e tyre profesional e moral, në autoritetin e atyre që do të bëjnë përzgjedhjen e kuadrove të akademisë dhe në një mori gjërash të tjera që mund të merren me mend. Kjo, sepse pretendimet janë të formohet një institucion i mirëfilltë, veprimtaria e të cilit do të jetë në nivelin e duhur, në funksion të përmirësimit të gjendjes aktuale në sferën e arsimit, në të mirë të arritjes së standardeve evropiane…

Testimit të akademisë do t’i nënshtrohen vetëm ata që kanë 5 vite përvojë pune...

Sa për vete, kam disa rezerva lidhur me nevojën e një institucioni supervizor që do të testojë diplomat e fituara paraprakisht nga ana e mësuesve të ardhshëm. Përse të mos rritej rigoroziteti në institucionet arsimore ku studiojnë mësuesit, me çka do të pushonte nevoja për kontrolle plotësuese të validitetit të diplomave, dijeve dhe shkathtësive konkrete të kuadrove. Por, nëse vërtet do të bëhet dhe do të nisë të funksionojë akademia, puna e testimit mund të rezultojë e arsyeshme. Si në sferat tjera të jetës edhe arsimtarët fillestarë kanë nevojë që një periudhë të caktuar të profesionalizohen në masë të duhur, të piqen si mësues dhe kuadro në duart e të cilëve lëmë fëmijët tanë, lëmë ardhmërinë e shoqërisë… Probleme do të ketë vetëm nëse rregullat e lojës nuk do të vlejnë për të gjithë njësoj, sepse gjërat që i irritojnë më së shumti njerëzit lidhen me padrejtësitë dhe mungesën e transparencës së institucioneve.

A mund të shkaktojë pakënaqësi kjo gjë?

Këtë nuk mund ta dijë kush, para se të nisë me punë akademia e shumëpërfolur. Nëse do të bëhet dhe nëse do të funksionojë ajo, ne do të jemi dëshmitarë të asaj që do të ndodhë në praktikë dhe do të kemi mundësi të gjykojmë për gjërat që gjithsesi do të jenë të dukshme dhe konkrete.

Sa do të jenë të besueshëm testet?

Edhe përgjigja e kësaj pyetjeje hy në sferën e hipotetikes dhe mua nuk më pëlqen të merrem me këso gjërash. Dua të besoj se ata që e kanë nisur këtë projekt nuk do ta bëjnë këtë sa për sy e faqe. Jam i bindur se qëllimet janë të mira dhe në favor të mbarëvajtjes së punëve në sferën e ndjeshme dhe të rëndësishme të arsimit. Nëse ka diçka që më bën skeptik ajo është mungesa e fokusimit të shtetit në problemin e quajtur ARSIM përgjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë tranzicioni. Këtu mbase e kanë burimin të gjithë skepticizmat…

A do të jetë e pavarur akademia?

Edhe kjo pyetje është e hershme për t’u parashtruar, po ju si gazetarë keni të drejtë të pyesni, sepse përvojat ballkanike me përzierjet e politikës aty ku e ka dhe ku nuk e ka vendin na kanë bërë apriori tepër dyshues në gjithçka. Natyrisht, ky sindromë dyshimi nuk është i mirë për shoqërinë tonë, sepse kur nis diçka është më e hairit që njerëzit të kenë besim në sukseset që do të pasojnë prej asaj nisme… Personalisht: dua të besoj në pavarësinë e akademisë.

A do të ndikojë negativisht tek arsimtarët që duhet të presin 5 vite për t’iu nënshtruar provimit të akademisë?

Mund të ndikojë, po mund dhe të mirëpritet, ose, të paktën, të pranohet si diçka normale. Kështu ngjet në shumë sfera të ndjeshme të jetës. Merreni si shembull punën e mjekëve të rinj, të cilëve u duhen shumë më tepër vite studimesh dhe shumë më tepër kohë se profesioneve të tjera për të arritur te mundësia e ushtrimit të profesionit. Edhe puna e mësuesisë është po aq komplekse dhe mendoj se duhet bërë diçka për t’u shkëputur prej gjendjes jo fort të lakmueshme të krijuar gjatë 25 viteve të fundit, fillimisht me degradimin e padrejtë të personalitetit të mësuesit…, për çka mund të bisedohet me një tjetër rast si ky.

Përse duhet t’i nënshtrohen mësuesit e rinj testimit psikologjik?

Në parim nuk shoh këtu kurgjë të keqe, me kusht nëse testi nuk është në funksion të keqpërdorimeve eventuale. Mbase një testimi të tillë duhet t’i nënshtrohet çdo mësues, sepse ata punojnë me materje të gjallë. Siç thashë, ne lëmë në duart e tyre më të shenjtit që kemi: fëmijët, nipërit dhe mbesat tona. Ua japim në gjendje plastelini dhe ata kanë mundësi t’i modifikojnë ashtu si e do puna dhe ashtu siç presim prej tyre, por mund edhe të bëjnë loll-lloj monstrash prej fëmijëve tanë, nëse vetë janë me probleme të patolerueshme për një profesion të tillë. Pra, unë jam për teste të mirëfillta dhe qëllimmira psikologjike, që do të bëhen në kohën e duhur: atëherë kur mësuesit e ardhshëm regjistrojnë studimet, apo para se të pranohen në punë. Por unë jam edhe për një kontroll tjetër, që do të lidhej me shëndetin shpirtëror të secilit mësimdhënës, me çka do të eliminohej mundësia e edukimit dhe formimit të personaliteteve të së ardhmes jashtë frymës etnike dhe universale, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Për ta bërë këtë nuk duhet ta shpikim ujin e nxehtë, po të marrim si shembull përvojën tonë në të shkuarën. Kush nuk e di se, fjala vjen, kandidatët që regjistroheshin dikur në shkollën normale, paraprakisht i nënshtroheshin një kontrolli shumë rigoroz që bëhej nga ana e një komisioni profesional për kohën. Kështu, secili kandidat për shkollën e mësuesisë, duhej ta bindë komisionin se flet bukur dhe qartë (se nuk ka pengesa në të folur), se e ka përvetësuar bukurshkrimin, se ka talent për muzikë dhe për art figurativ, se është pa të meta psiko-fizike etj., etj. Kuptohet se kjo nuk bëhej me qëllime diskriminuese, prandaj mësuesit e normales (normalistët) kanë qenë më të mirët që kanë punuar ndonjëherë në shkollat fillore.

Në cilin shtet është provuar ky model?

Sistemi i kontrollit të punës në sferën e arsimit dhe jo vetëm është prezent kudo në botë. Ata që kanë shkolla më të mira, si Finlanda, bie fjala, që për ne është model vështirë i arritshëm, natyrisht që kanë më shumë kontroll mbi komponentët përbërës të arsimit. Krejt kjo varet prej interesimit që ka një shtet a një shoqëri për arsim të shëndoshë dhe në harmoni të përhershme me dinamikën bashkëkohore të jetës, me kërkesat e saj. Mjerisht, ne jemi vonuar tej mase me punën e reformimit të sistemit arsimor të vendit. Sa për informim, gjatë 25 viteve të fundit, në Maqedoni janë realizuar një mori projektesh arsimore, janë harxhuar miliona euro të derdhura nga donatorë të ndryshëm…, por e gjitha ka rezultuar e paefektshme. Mbetet shpresa se vitet që pasojnë do të jenë vite nismash të mirëfillta reformuese të sistemit të vjetëruar arsimor. Ndryshe do të rriten vakumet akoma më shumë dhe ne do të mbetemi përsijetë bishti i botës.