Mesiq: Maqedonia e Veriut e meriton anëtarësimin në NATO dhe BE

Mesiq: Maqedonia e Veriut e meriton anëtarësimin në NATO dhe BE

Ish-presidenti i Kroacisë Stjepan Mesiq, në një intervistë për AIM ka thënë se është në interes të Kroacisë që sa më parë të ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

 

“Besoj se këtë do ta bëjë Kroacia, pasi është në interes tonin që sa më parë të realizohet dëshira për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Por edhe në BE, pasi ky është vetëm hapi i parë për integrimet euroatlantike. Maqedonia e meriton, për shkak të gjitha atyre që ka bërë gjatë periudhës së kaluar”, tha Mesiq, përcjell Telegrafi Maqedoni nga AIM.

 Ai potencoi se marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë është hap historik për normalizim të përhershëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa për Marrëveshjen e Prespës e vlerësoi si më të rëndësishmen në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

I pyetur nëse debati që ekziston në BE “së pari reforma, më pas zgjerimi”, mund ta pengojë fillimin e negocimit me Bashkimin Evropian, ai tha se zgjerimi duhet patjetër të përshpejtohet.

“Unë dua të përshpejtohet anëtarësimi i gjithë Evropës juglindore në BE, pasi edhe Maqedonia edhe vendet tjera që nuk janë anëtarësuar, janë lodhur duke pritur”, tha Mesiq.

Ai komentoi edhe deklaratat e liderit të opozitës në Greqi Kiriakos Mitsotaki, se do të bllokojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, duke thënë se është edhe në interes të Greqisë që vendi jonë të anëtarësohet në BE.

Please publish modules in offcanvas position.