REPUBLIKA E MAQEDONISË SË VERIUT, TASHMË KA VENDIN E VET NË TRYEZËN E VENDEVE TË NATO-S

REPUBLIKA E MAQEDONISË SË VERIUT, TASHMË KA VENDIN E VET NË TRYEZËN E VENDEVE TË NATO-S

Republika e Maqedonisë së Veriut, tashmë ka një vend në tryezën e takimeve të 29 vendeve anëtare të NATO-s. këtë vend vendi jonë e ka fituar pas 6 shkurtit kur 29 vende nënshkruan Protokollin me Republikën e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e kësaj të fundit në Aleancë, si vendi i tridhjetë.

29 ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s e nënshkruan Protokollin, i cili i lejon zyrtarëve të Shkupit të marrin pjesë në çdo seancë dhe organizim të Aleancës Veriatlantike në Bruksel, por ende pa të drejtë vote. Vetëm 8 ditë më vonë Maqedonisë së Veriut, iu rezervua edhe një ulëse në këtë tryezë. Më 14 shkurt Maqedonia për herë të parë mori pjesë aktive në takimin ministror si aleate e Aleancës. Në ditën e dytë të takimit ministror në Bruksel është folur për misionet ushtarake të Aleancës duke e përfshirë edhe Kosovën si edhe për bashkëpunimin në Bashkimin Evropian.

NATO, në krye me SHBA-në më shumë herë shprehu brengosje serioze nga vullneti i disa vendeve anëtare të BE-së për të krijuar ushtri evropiane dhe ta përforcojë mbrojtjen evropiane në mënyrë të pavarur. Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg edhe një herë në fillim të këtij takimi përkujtoi se i përshëndet të gjitha angazhimet evropiane për rritjen e mbrojtjes evropiane, por se ajo duhet ta plotësojë NATO-n dhe jo të jetë konkurrente. “Komentuam për rëndësinë e bashkëpunimit midis NATO-s dhe BE-së, e cila të paktën në rastin tonë u tregua shumë e rëndësishme. Vitin e kaluar kthesa me Greqinë ishte para së gjithash angazhim vendor, tek ne edhe nga ana greke. Por pa mbështetjen e BE-së dhe veçanërisht vendimet kryesore të NATO-s, vështirë se do të mundej të ndodhte. Kështu si shtet jemi shembull i bashkëpunimit të mirë midis BE-së dhe NATO-s dhe nëse këto dy organizata arrijnë të flasin me mesazhet e njëjta edhe për çështje të tjera, efikasiteti i tyre do të jetë akoma më i madh”, deklaroi Shekerinska pas takimit. Kjo pjesë e Këshillit Veriatlantik u zhvillua në prani të përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federika Mogerini, e cila fjalimin e saj e filloi me urata për Marrëveshjen e Prespës duke e shfrytëzuar emrin e ri të shtetit. “Me padurim e pres raportimin formal për ndryshimin e emrit. Implementimi i Marrëveshjes së Prespës dhe ftesa për ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut janë me të vërtetë hapa historik”, deklaroi Mogerini para takimit bilateral me Shekerinskën.

AMBASADORËT E 29 VENDEVE I HAPËN DYERT PËR MAQEDONINË E VERIUT

Në prani të ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, përfaqësuesit e vendeve anëtare një nga një e nënshkruan protokollin, Ministri Nikolla Dimitrov mbajti fjalim para përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe sekretarit Jens Stoltenberg, ku theksoi se vendi është i përgatitur të ndërmerr përgjegjësitë që vijnë me anëtarësimin e plotë në Aleancë. “Ky ishte rrugëtim i gjatë. Maqedonia së shpejti do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut, kjo është çështje ditësh. Kemi dëshmuar se mund t’i zgjidhim problemet me të cilat jemi përballë. Kjo do të jep porosi në rajon ku ende ka pasiguri. Ne jemi të përgatitur, ne jemi këtu, do t’i ndërmarrim përgjegjësitë që vijnë nga anëtarësimi në NATO. Shpresoj për zbatim efikas të ratifikimit”, tha Dimitrov. Ndërsa sekretari Stoltenberg theksoi se nga ky moment përfaqësuesit e Maqedonisë do t’ju bashkohen në tavolinë vendeve tjera të NATO-s.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës ishte hapi i parë nga rruga që na solli deri këtu. Nuk ishte rrugë e lehtë, por arritëm këtu me përkushtim të vlerave demokratike dhe reforma për ndërtimin e institucioneve të forta. Ju kemi pritur të na bashkëngjitni në familjen tonë një kohë të gjatë. Me nënshkrimin e Protokollit fillon procesi i ratifikimit, për të cilin pres të kalojë lehtë. Nga sot përfaqësuesit tuaj do të na bashkëngjiten në këtë tavolinë. Do të sjellim vendime së bashku”, tha Stoltenberg.

Maqedonia tash ka 29 aleatë

Pas nënshkrimit të Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, sallën e Selisë së NATO-s e kapluan duartrokitje të shumta dhe urime drejt ministrit Dimitrov, ku më pas u mbajt konferencë për media e përbashkët e ministrit Dimitrov dhe sekretarit Stoltenberg.

Sekretari Stoltenberg tha se Maqedonia duke qenë pjesë e misionit të NATO-s në Afganistan, ka treguar se mund të realizojë reforma. Ai gjithashtu tregoi se Qeveria e Maqedonisë ka premtuar se do të ndajë 2 për qind nga prodhimi bruto-vendor deri në vitin 2024. “Ata treguan se mund të kontribuojnë në mbrojtjen tonë të përbashkët, sepse shteti tashmë ka marrë pjesë në misionin e NATO-s. Ne kemi ushtruar bashkërisht me ata, ata kanë marrë pjesë në misionin tonë në Afganistan, dhe kanë treguar se mund të realizojnë reforma. Ata kanë premtuar dhe janë përkushtuar në modernizimin e mëtutjeshëm për fuqizim të forcave ushtarake të tyre. Të ardhurat e tyre në mbrojtje janë rritur, dhe ka obligim Qeveria që 2 për qind e buxhetit deri në vitin 2024 do të shkojë në mbrojtje”, tha Stoltenberg.

Nikola Dimitrov b6e18

Dimitrov: Maqedonia nuk është e vetme

“Presim që të gjitha shtetet ta ratifikojnë marrëveshjen. E rëndësishme është se tash ne nuk jemi vetëm, por krah për krah bashkë me aleatët tanë. Me NATO-n do të bëhet bota më e qetë, stabile dhe do të përkushtohemi në misionet tona në NATO, do të sigurojmë gjithçka që Ballkani të jetë më stabil dhe më i avancuat”, tha Dimitrov.

Shefi i zyrës së NATO-s në Maqedoni, Jankoviq: Do t’ju mbështesim deri në anëtarësim të plotfuqishëm

Në Qendrën Mediale të Qeverisë së Maqedonisë është ndjekur procesi i nënshkrimit të Protokollit dhe konferencës së medias Stoltenberg – Dimitrov edhe nga përfaqësuesit e zyrës së NATO-s në Maqedoni. Në fjalimin e nderit, shefi i zyrës së NATO-s në Maqedoni, Zoran Jankoviq ka shprehur urimet për përfundimin e procesit, me çka premtoi mbështetje deri në arritjen e cakut, kur Maqedonia të bëhet pjesë e Aleancës. “Këtu sigurisht mbetet edhe Programi i reformave të cilin duhet ta ndiqni. Presim që shteti juaj të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s. Ashtu siç tha edhe sekretari gjeneral, ju do të ftoheni të merrni pjesë në të gjitha mbledhjet e Aleancës”. Pas nënshkrimit të Protokollit në Bruksel, i njëjti duhet të ratifikohet edhe në secilin shtet anëtar të NATO-s, pas së cilës vijon edhe faza e anëtarësimit të plotfuqishëm të Maqedonisë në NATO, ku Maqedonia bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.

Parlamenti grek miratoi Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Parlamenti grek sonte me 153 vota “për”, 140 “kundër” dhe një i përmbajtur , miratoi Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Greqia është vendi i pare i NATO-s që miratoi Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Pas miratimit në Parlament, Greqia do të duhet të njoftojë zyrtarisht Maqedoninë se ka miratuar Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Me këtë hyn në fuqi Marrëveshja e Prespës. Pas ratifikimit të Protokollit nga Parlamenti grek, fillon edhe përdorimi zyrtar i emrit Republika e Maqedonisë së Veriut.

Parlamenti shqiptar miraton protokollin anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO

Parlamenti shqiptar miratoi me vota unanime protokollin anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Atlantikun e Veriut, NATO. Përfundimi i votimit u prit me duartrokitje. I pranishëm në seancë kreu i parlamentit Talat Xhaferri tha se me këtë rast Shqipëria rikonfirmoi mbështetjen e saj ndaj fqinjit lindor.

Parlamentet e vendeve të NATO-s vazhdojnë ratifikimin e Protokollit

Aktualisht, parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s po bëjnë ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Të mërkuren atë e ratifikoi Parlamenti i Bullgarisë. Greqia ishte vendi i parë që e ratifikoi atë dhe pas saj vijuan Sllovenia dhe Shqipëria. Pasi të gjitha parlamentet e 29 vendeve anëtare ta ratifikojnë protokollin, Maqedonia e Veriut do të bëhet vend anëtar me të drejta të plota në Aleancë. Për momentin, Shkupi merr pjesë përmes ministrave përkatës në takimet dhe Këshillat e rregullta të NATO-s, por pa të drejtë vote.

Please publish modules in offcanvas position.