Arriti dërgesa e parë prej 12 respiratorëve donacion nga BE-ja për Klinikën Infektive dhe për SPQ “8 Shtatori”

Dymbëdhjetë makinat e para për frymëmarrje të asistuar – respiratorë dhe pajisje të tjera mbrojtëse personale, si pjesë e ndihmës së projektuar të Bashkimit Evropian prej katër milion eurosh për nevoja urgjente mjekësore të vendit arritën sot në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndihma u dorëzua nga shefi i delegacionit të BE-së në vend ambasadori Samuel Zbogar, i cili potencoi se kjo është paketa e parë e mbështetjes që Brukseli e paralajmëroi para disa javë më parë, ndërsa do të dorëzohet në Qendrën Klinike dhe Spitalin “Tetë Shtatori”.

“Të gjithë i dimë fotografitë tragjike që kemi parë në Milano dhe Lombardi, kur për shkak të mungesës së respiratorëve mjekët duhej të merrnin vendime të vështira. Në këtë pikëpamje, respiratorët kanë rëndësi kritike për pacientët më të prekur nga virusi. Është e vështirë për t’i blerë, sepse të gjithë kanë nevojë, por ne jemi të lumtur që, me ndihmën e UNOPS, kemi arritur t’i sjellim 12 tani, ndërsa më vonë do vijojnë edhe disa respiratorë. Këto janë respiratorët e parë që vendi i ka marrë nga fillimi i krizës. Me këtë, ne konfirmojmë, edhe një herë, se BE është me ju në këtë krizë”, tha Zbogar.

Vendet anëtare, shtoi ai, vazhdojnë të japin mbështetje përveç pajisjeve mjekësore, edhe përmes disa projekteve për të cilët është biseduar me Qeverinë që të ndihmojmë në ballafaqimin me pasojat ekonomike të krizës.

“Do të kontribuojmë 160 milionë euro në buxhetin e shtetit që të zgjidhur problemet fiskale dhe vendi të jetë në gjendje të sigurojë pagat, subvencionet dhe asistencën sociale në të ardhmen. Sot është një ditë e bukur, në të cilën BE-ja ju tregon se është me ju dhe është partneri juaj më i fuqishëm në luftën kundër kësaj sëmundje”, tha Ambasadori i BE-së Zhbogar.

Shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov potencoi se kjo dërgesë është pjesë nga ndihma e madhe që e marrim nga BE-ja.

“BE është padyshim donatori ynë më i madh në krizën e shkaktuar nga pandemia dhe kjo ndihmë e dukshme dhe konkrete të jep një ndjenjë uniteti, solidariteti dhe sigurie që së bashku do t’i japim fund kësaj krize. Ne jemi trajtuar pothuajse sikur të ishim vend anëtar i Unionit sa i përket përfshirjes në mekanizmat dhe fondet për trajtimin e pandemisë së virusit Kovid-19. Këtë e dëshmojmë jo vetëm donacioni i sotëm që vjen në kohën e duhur nga 12 respiratorë të rinj, 5,000 maska ​​mbrojtëse speciale për punonjësit e shëndetit, por edhe tërë ndihmën e paralajmëruar dhe të planifikuar evropiane deri më tani … Faleminderit BE për njohjen dhe mbështetjen e përpjekjeve tona për t’u ballafaquar me këtë sfidë dhe mirënjohje e përbashkët globale që na jep ndjenjë të përkatësisë të Ekipit të Evropës”, nënvizoi Dimitrov.

Zëvendësministri i Shëndetësisë Armend Arslani tha se ndihma në pajisjet mjekësore dhe mbrojtëse në fazën e parë prej 12 respiratorëve do të destinohet për Klinikën për Sëmundje Infektive dhe SPQ “8 Shtatori”, ku trajtohen rastet më të ndërlikuara të Kovid 19. Nihma përfshin maska 5.000 FFP2 që janë pjesë e mbrojtjes personale të punonjësve të shëndetit.

“Me këtë ndihmë ne po i përforcojmë kapacitetet e institucioneve shëndetësore publike me respiratorë. Aktualisht në dispozicion kemi 120 respiratorë, 90 prej të cilëve janë në Shkup. Ka përfunduar edhe blerja e respiratorëve shtesë nga ana e MSH dhe ne presim që ata të arrijnë”, shtoi Arslani.

Ndihma mjekësore urgjente prej katër milionë euro është pjesë e donacionit prej 66 milionë eurosh të BE-së për ballafaqimin e vendit me krizën e koronës – dhe përfshin edhe tre milionë euro ndihmë të drejtpërdrejtë për buxhetin e vendit, i cili do të transferohet në javët e ardhshme, nëntë milionë për NVM, 40 milionë shpërndarje të mjeteve të ndihmës për NVM dhe masa aktive të punësimit, alokim prej 10 milionë euro për nevoja të tjera urgjente dhe shëndetësore të mundshëm dhe që mund të paraqiten. Përveç këtij donacioni, tha ai, Delegacioni i BE-së, së bashku me partnerët e tjerë, është në proces të përgatitjes të procesit të rikahëzimit të mundshëm të fondeve nga projektet ekzistuese në masat urgjente për rimëkëmbje lidhur me krizën e Kovidit. BE, tha Dimitrov, ka aktivizuar edhe mekanizma të ndryshëm për të ndihmuar më tej në menaxhimin e krizës me Kovid 19 dhe përkujtoi se të mërkurën KE propozoi në PE dhe Këshillin e BE-së 160 milion euro të tjera ndihmë makro-financiare për buxhetin e vendit në formën e huave për menaxhimin me pasojat fiskale të krizës.

Respiratorët të cilët arritën sot në vend janë prodhuar në Korenë e Jugut, dhe sipas marrëveshjes së nënshkruar më 3 prill, mbetet përmes UNOPS të sigurohen edhe tetë makina të tjera të frymëmarrjes ose gjithsej 20. Si pjesë e ndihmës së Bashkimit Evropian, pajisjet mjekësore dhe mbrojtëse vazhdojnë të vijnë në pajtim me listën e konfirmuar të prioriteteve, më herët gjatë ditës së sotme informojnë nga SÇEi cili është koordinator i ndihmës së huaj për vendin.