Pendarovski shpalli gjendje të re të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej 14 ditëve

Presidenti Stevo Pendarovski sot shpalli gjendje të re të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej 14 ditëve, për shkak të krizës me Kovid-19. Si shkak për këtë i përmendi zbatimin e masave ekonomiko-sociale.

Pendarovski pas seancës së Këshillit të Sigurimit, potencoi se lidhur me vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme, është konsultuar me më shumë ekspertë. Ai pas seancës tha se Këshilli i Sigurimit ka konkluduar se institucionet kompetente punojnë në mënyrë të koordinuar dhe se situata është përmirësuar dhe është evidente se si shtet mirë po ballafaqohemi me koronakrizën.

“Pas konsultimeve më të gjëra që këto ditë i kanë pasur me më shumë ekspertë dhe këshilltarët në Kabinet, e në bazë të asaj që është propozuar në seancë, vendosa të shpall gjendje të re të jashtëzakonshme, në kohëzgjatje prej vetëm 14 ditëve, në vend se të kërkuarat 30 ditë. Duke i marrë parasysh trendet pozitive të qetësimit të pandemisë, vlerësoj se 14 ditë janë mjaftë. Shkak për vendimin e tillë është implementimi i masave ekonomiko-sociale për zbutjen e pasojave të pandemisë, të cilat tani ndjehen për shkak të faktit se një numër i madh i ndërmarrjeve nuk kanë punuar dhe ende nuk punojnë”, elaboroi presidenti i shtetit.

Pendarovski shtoi se ka qenë i informuar se nga fundi i muajit duhet të lidhim aranzhman me BERZH me vlerë prej 160 milionë eurove.

Lidhur me informatat se Qeveria këtë gjendje të jashtëzakonshme mund ta shfrytëzojë si blerje të votuesve, shefi i shtetit tha se të paktën lidhur me aranzhmanin me BERZH, kjo nuk është e mundur.

“Këto mjete janë ashpër të dedikuara dhe janë për përkrahje të ekonomisë. Dhe nëse dikush ka dhe qëllim të tillë, ato mjete nuk mund të dedikohen për blerje të votuesve”, tha mes tjerash Pendarovski.

Shefi i shtetit theksoi se kohëzgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme prej 14 ditëve, nuk ka kurrfarë korelacioni me datën e zgjedhjeve. Kjo është temë tjetër, e cila, siç tha, do të diskutohet në takimin e ardhshëm të liderëve, javën e ardhshme.

Duke u përqëndruar në, siç tha, reagimet e shumta të qytetarëve ndaj masave për ballafaqim me koronavirusin, e janë për shembull të lidhura me kufizimin e lëvizjes, mbylljen e shkollave dhe kopshteve për fëmijë, ose me subjektet ekonomike, Pendarovski theksoi se ato në asnjë mënyrë nuk lidhen me deklarimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Ndryshe thënë, madje edhe në gjendje të jashtëzakonshme, ato mund të hiqen”, tha Pendarovski.

MK 8c9b9

Me këtë rast, presidenti i shtetit, kërkoi nga Qeveria të mendojë për zvogëlimin gradual të kufizimeve të lëvizjes të qytetarëve dhe lidhur me punën e subjekteve ekonomike.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit, morën pjesë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kryeministri Oliver Spasovski, ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Jashtme, Naqe Çulev dhe Nikolla Dimitrov, profesorët Trajan Gocevski, Veton Latifi dhe Nenad Markoviq, si dhe kryetari i Komisionit për sëmundje infektive, dr. Zharko Karaxhovski.

Gjendja e dytë e jashtëzakonshme 30-ditore, për shkak të pandemisë me koronavirusin, përfundon nesër, ndërsa është shpallur më 17 prill.