Në aeroportin e Shkupit ka arritur donacion nga Katari për ballafaqimin me Kovid-19

Në aeroportin e Shkupit sot arriti donacion nga Katari për ballafaqimin e vendit me Kovid-19. Donacionin e mirëpriti zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në rolin e Koordinatorit Kombëtar të ndihmës së jashtme në vend, në prani të Hamad Al-Mahmud, ushtrues i detyrës së ambasadorit të shtetit të Katarit në vend.

Zëvendëskryeministri Osmani në emër të Qeverisë dhe në emër të qytetarëve e falënderoi ushtruesin e detyrës së ambasadorit të Katarit në vend dhe popullin e Katarit për ndihmën e dhuruar për vendin tonë, kumtoi Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE).

“Bëhet fjalë për një sasi të madhe, mbi tetë ton pajisje mbrojtëse që përbëhen nga: gati 500,000 maska ​​kirurgjikale, rreth 90,000 maska ​​mjekësore dhe kirurgjike me tre shtresa, mbi 70,000 maska ​​mbrojtëse N95. Përveç maskave, paketa përmban edhe dhjetëra mijëra syze mbrojtëse, helmeta mbrojtëse, skafandra mbrojtëse, doreza mbrojtëse”, theksoi Osmani.

MK_747ec.jpg

Theksoi se bëhet fjalë për pajisje që na nevojiten, të cilat do t’i forcojnë seriozisht kapacitetet tona, veçanërisht në shëndetësinë dhe sistemin shëndetësor, të cilat sigurisht janë linja e parë e mbrojtjes kundër koronavirusit.

“Duke i siguruar këto dhurime nga miqtë tanë ndërkombëtarë, ne po sigurojmë edhe kursime serioze të buxhetit, i cili është gjithashtu shumë i rëndësishëm përballë sfidave ekonomike të pandemisë”, shtoi Osmani.

Në dorëzimin e dhurimit, u.d. ambasadori i shtetit të Katarit, Hamad Al Mahmod, theksoi se ndihma e sotme humanitare është sjellë përmes Fondit të Zhvillimit të Katarit dhe për mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në luftën kundër pandemisë Kovid-19, duke potencuar se vendi ynë gjithmonë mund të mbështetet në ndihmën dhe mbështetjen nga shteti i Katarit dhe shfaqi shpresë se kjo pandemi globale do të përfundojë së shpejti.