Ora policore për fundjavë nga ora 19 të shtunën deri ora 05 të martën, propozon Komisioni për sëmundje ngjitëse

Ora policore për fundjavën e zgjatur të nis nga e shtuna në ora 19:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, ditën e martë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sot theksoi se arsyeja mbi propozimin e Komisionit bazohet në mosrespektimin e masave nga ana e disa qytetarëve.

“Çka është esenca dhe pse kjo u propozua. Të gjitha këto raste që i kemi gjatë ditëve të kaluara në një përqindje të madhe bazohen në ngjarjet, tubime familjare që kanë ndodhur në ditët e kaluara. Për shkak të mosrespektimit të këtyre masave ne kemi raste të reja. Në këtë drejtim, vetëm një masë e këtillë rigoroze konsiderojmë se ka efektin e duhur”, ka thënë Filipçe.

Ai ja shtuar se të gjitha lirimet nga kufizimet që ishin paralajmëruar në fund të kësaj jave, i kanë lënë për në fillim të javës së ardhshme.

“Pra, pas fundjavës, këtu hyn edhe funksionimi i objekteve hotelerike, shkurtimi eventual i orës policore, për gjitha këto do të vendos Qeveria, së pari gjatë këtyre ditëve për fundjavën, ndërsa për gjitha këto masa pastaj nga e marta e tutje”, ka thënë ministri.