Pendarovski – Holshtajn: Gjermania mbetet partner i besueshëm i Maqedonisë së Veriut

Gjermania ka qenë dhe do të mbetet partner i besueshëm i Maqedonisë së Veriut dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë me të gjitha forcat e disponueshme, tha ambasadorja e re gjermane në Shkup, Anke Gizela Holshtajn në dorëzimin e sotëm të letrave kredenciale presidentit Stevo Pendarovski në vila “Vodno”.

Ambasadorja Holshtajn, siç kumtoi Kabineti i shefit të shtetit, vlerësoi se Maqedonia e Veriut gjatë viteve të fundit ka realizuar hapa të rëndësishëm në rrugën drejtë integrimeve euroatlantike.

“Pranimi në NATO si anëtare e 30-të, marrëveshjet e rëndësishme me vendet fqinje Greqinë dhe Bullgarinë dhe më në fund drita e gjelbër për të filluar negociatat inkuadruese me Bashkimin Evropian që ju duhet të kishit marrë kohë më parë, janë suksese që unë i lejoj vetes t’ju përgëzoj nga zemra. Gjermania ishte partner juaj i besueshëm në atë kohë, duke ju mbështetur me të gjitha forcat. Më lejoni t’ju siguroj se do të qëndrojë kështu. Ju mund të konsideroni në këtë, që unë mund të kontribuoj si ambasadore gjermane personalisht, dhe do ta bëj këtë”, tha ambasadorja Holshtajn.

SH_bfa95.jpg

Presidenti Pendarovski, duke i dëshiruar mirëseardhje ambasadores së re gjermane, në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale tha se Republika e Maqedonisë të Veriut dhe Republika Federale e Gjermanisë po ndërtojnë vazhdimisht marrëdhënie miqësore dhe partneriteti, duke potencuar dialogun intensiv politik midis dy vendeve dhe duke potencuar faktin se Gjermania është partneri i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar i Maqedonisë së Veriut, me shkëmbim tregtar mbi katër miliardë euro në vit.

Presidenti e falënderoi për tërë ndihmën gjermane për vendin tonë në ballafaqim me pandeminë Kovid-19.