Orav: Partitë sa më parë të dakordojnë vendim për krizën

Orav: Partitë sa më parë të dakordojnë vendim për krizën

Shefi i Delegacionit të BE-së në Maqedoni, Aivo Orav dhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së sot shprehën brengosje të thellë për situatën në Maqedoni për shkak të mospasjes së progresit në zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe e theksuan nevojën e gjetjes së zgjidhjes për krizën politike gjatë ditëve të ardhshme.

"Kaluan mbi një muaj pasi Parlamenti përsëri ka filluar seancat. Për fat të keq, nuk pamë progres në adresimin e krizës politike të thellë në të cilën ndodhet vendi. BE është e brengosur në mënyrë serioze për situatën", deklaroi ambasadori Orav.

Ai theksoi se ata janë të bashkuar që nevoja e lidershipit politik në vend të angazhohet në një dialog të hapur.

"Partitë duhet të arrijnë pëlqim për rrugën drejt implementimit të Marrëveshjes së Përzhinës prej vitit 2015 duke i përfshirë krijimin e kushteve për zgjedhje kredibile", tha ambasadori Orav.

Shefi i Delegacionit të BE-së u përqendrua edhe në qeverisjen e së drejtës në vend, e cila sipas tij, gjatë muajve të kaluar është ballafaquar me sfida të mëtejme duke e përfshirë edhe amnistimin e presidentit të shtetit. Ai theksoi se qeverisja e së drejtës është fundamentale për shoqërinë e fuqishme demokratike. Prandaj, me rëndësi kyçe është të implementohen prioritetet urgjente reformuese të propozuara nga Komisioni Evropian.

"Mbetemi të brengosur për sfidat me të cilat ballafaqohet në punën e vet prokurorja speciale. Ju bëjmë thirrje të gjitha trupeve dhe veçanërisht të gjitha palëve të cilat u pajtuan që të vendoset prokurore speciale që të ndalojnë me pengesat dhe në vend të kësaj në tërësi ta mbështesin punën e saj. Shtesë, të gjitha çështjet me të cilat ballafaqohet ky institucion gjithashtu duhet të adresohen si çështje prioritare", tha Orav.

Ai në fund nënvizoi se Marrëveshja e Përzhinës mbetet rruga e vetme për daljen e vendit nga kriza politike.

"Demokracia është duke u përforcuar përmes pjesëmarrjes së plotë në institucione që të sigurohet funksionimi i tyre demokratik dhe kontroll më i madh. Përkujtojmë se korniza e Përzhinës mbetet rruga e vetme për daljen e vendit nga kriza e përhershme. Besojmë se është në interes të këtij vendi dhe rrugës së saj euroatlantike që partitë politike kryesore të pajtohen për zgjidhje për dalje nga kriza në disa ditët ardhshme sesa në disa javët apo muajt e ardhshëm", porositi ambasadori Aivo Orav.