Hajndëll sërisht në Shkup në takim me nënshkruesit e Marrëveshjes së Përzhinës

Hajndëll sërisht në Shkup në takim me nënshkruesit e Marrëveshjes së Përzhinës

I dërguari special i Gjermanisë për Maqedoninë Johanes Hajndëll sot sërish vjen në Shkup në takime me nënshkruesit e Marrëveshjes së Përzhinës.

Kjo do të jetë vizita e katërt e Hajndëll në Shkup nga fillimi i majit të sivjetshëm kur u emërua i dërguar special i ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmaer me mandat që të ndihmojë në tejkalimin e krizës politike në Maqedoni.

Gjatë takimit të tij të fundit më 8 qershor, Hajndëll tha se ka dalje nga kriza politike në Maqedoni, ndërsa ai është ndalur në Marrëveshjen e Përzhinës, e cila është e demosdoshme që të riafirmohet dhe rivitalizohet, pa u zvarritur.

"Lajmi i mirë është se ka dalje nga kriza, ndërsa ajo është marrëveshja e Përzhinës, të cilët parime e vendosin rrugën në drejtim të demokracisë, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik. Lajmi i keq është se ky proces po zvarritet, kriza vazhdon t'i shkaktojë dëm vendit dhe, sinqerisht, koha po kalon. Për këtë arsye mesazhi im ishte se nevojitet të riafirmohet dhe revitalizohet marrëveshja e Përzhinës si kornizë valide dhe obliguese për procesin reformues i cili pason", theksoi Hajndëll.

Atëherë ai përmendi tre gjëra që duhet të zbatohen pa anulim. Fillimisht, partitë duhet të arrijnë pajtueshmëri për datën e zgjedhjeve dhe ta bëjnë atë që nevojitet që të përmbushen kushtet për zgjedhje të lira dhe korrekte. E dyta, prokurorit special duhet t'i mundësohet që ta përmbushë mandantin e tij pa kurrfarë obstruksionesh dhe lirshëm. Dhe e treta, partitë duhet të dakordohen pa kurrfarë prolongimi për implementimin e prioriteteve reformuese urgjente dhe t'i adresojnë mangësitë e theksuara në Raportin e Pribesë.

Kjo, sipas atij mund të arrihet dhe realizohet nëse të gjithë liderët politikë i vendosin në rend të parë interesat e vendit dhe ta bëjnë atë që është e domosdoshme që shteti të shkojë përpara.