Osmani për ambasadorin e ri Gir: Do të kemi diplomat me eksperiencë dhe aleat të sinqertë në rrugën drejt Brukselit

Po vini në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin tonë dhe për rrugën tonë drejt BE-së. Mbështetemi në përvojën tuaj dhe në përkrahjen tuaj të sinqertë në këtë rrugë, e cila do të paraqesë sukses historik të përbashkët që nga fillimi i mandatit tuaj”, theksoi Osmani, duke i uruar mirëseardhje të ngrohtë ambasadorit Gir në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në takimin e sotëm, në të cilin Osmani i pranoi kopjet e letrave kredenciale për emërimin e tij.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme komunikuan se Osmani shprehu kënaqësinë që me ambasadorin Gir, Maqedonia e Veriut fiton një diplomat me eksperiencë dhe aleat i cili në mënyrë profesionale dhe parimore, do të investojë në perspektivën evropiane të vendit, që është e një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin në prag të publikimit të Raportit vjetor dhe pakos për zgjerim të Komisionit, si dhe pritjet që vendi sërish të marrë vlerësime pozitive.

“Pas vendimit historik të muajit mars për fillim të negociatave, besojmë dhe presim që vendet anëtare, së shpejti, në kuadër të kryesimit gjerman me Këshillin e BE-së, do të bien dakord për Kornizën negociuese, dhe se deri në fund të vitit, do ta mbajmë Konferencën e parë ndërqeveritare, e cila do ta shënojë fillimin konkret të procesit negociues”, tha Osmani në takimin me Gir, i cili vjen në vendin e euroambasadorit të deritanishëm në vend Samuel Zhbogar, mandati i të cilit përfundon këtë muaj.

Osmani, theksuan nga MPJ e shfrytëzoi takimin me Ambasadorin e sapoemëruar që ta përcjell mirënjohjen e Qeverisë deri tek Komisioni Evropian për mbështetjen e siguruar në ballafaqimin me sfidat e krizës së KOVID 19, si dhe për solidaritetin e demonstruar gjatë kohës së pandemisë nga ana e Bashkimit Evropian.