Kuvendi duhet të vendosë a do të mbahen maskat gjithkund dhe për masat e tjera

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut  pritet të mbahet seanca plenare, ku në rend dite janë edhe ndryshimet në ligjin për mbrojtje shëndetësore të popullatës nga sëmundje infektive me të cilat do të mundësohet zbatim më efikas i inspektimeve me qytetarët e padisiplinuar i personat juridik (objektet hotelierike).

Ndryshimet e ligjit papraprakisht ishin paralajmëruar që të jenë në seancën e 20 tetorit, por kjo pikë u hoq nga rendi i ditës, sepse VMRO-DPMNE kërkoi kohë t’i shqyrtojë. Me ndryshimet e reja, mbajtja e maskës do të jetë e domosdoshme në ambiente të hapura, ndalohet grupimi në ambiente të hapura pas orës 22 dhe lejohen vetëm 4 mysafirë nëpër shtëpi.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dje ka alarmuar se situata me virusin korona është serioze dhe kritike dhe pret nga deputetët që të tregojnë përgjegjësi dhe t’i kalojnë me urgjencë ndryshimet e ligjit.

“Situata me virusin është jashtëzakonisht serioze dhe kritike, presioni ndaj spitaleve dhe kuadrit medicinal është shumë i madh”, ka thënë Filipçe.

Kujtojmë se, VMRO-DPMNE ka kërkuar që të formohet një komision i ri për për menaxhimin me pandeminë, që do ta zgjedhte Kuvendi.