Firmoset memorandum për korridoret 8 dhe 10D

Qeveria dhe kompania amerikane Bechtel Enka kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi, për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D në vendin tonë. Me këtë memorandum, kompania Bechtel Enka do të marrë përsipër të gjithë procedurat për ndërtimin e autostradave në korridoret 8 dhe 10, nga projektimi dhe deri në realizimin e plotë të ndërtimeve.

“Ky është model i ri, për herë të parë shfrytëzohet tek ne, dhe besojmë se do ti japë rezultatet më të shpejta dhe më optimale në ndërtimin e rrjetit rrugor. Në vend që të presim projektime me vite, e më pas të presim realizim, siç kemi shembuj tani, kjo procedurë më e thjeshtë është shumë më e shpejtë dhe jep rezultate më të shpejta. Ndërtimi i pjesëve të autostradave nga Tetova përmes Gostivarit dhe deri në Bukojçevë, nga Trebenishta përmes Strugës në Qafëthanë. Si dhe pjesën nga Prilepi në Manastir janë projekte me interes nacional”, deklaroi Bllagoja Boçvarski, Ministër i Transportit.

“Me këtë memorandum mirëkuptimi parashikohet ristrukturimi i infrastrukturës ekzistuese por edhe ndërtimi i të rejave. Korridori 8 është njëri nga 10 korridoret trans-evopiane të cilët janë menduar që të lehtësojnë shkëmbimin e mallrave dhe njerëzve midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në detin e Zi dhe Detin Kaspik dhe shteteve të Azisë Qendrore”, tha Artan Grubi, zv/kryeministër.