Virusi, Maqedonia në gjendje stabile

Virusi, Maqedonia në gjendje stabile

Lloji Omikron po përhapet jashtëzakonisht shpejt dhe deri më tani është shënuar në 77 shtete. Në Maqedoninë e Veriut ende nuk është regjistruar asnjë rast i llojit të ri dhe gjendja me koronavirus tani për tani është stabile.

Edhe në botë dhe në vendin tonë mbeten rekomandimet kryesore për mbrojtje dhe për vaksinim, megjithëse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka treguar se vaksinat mund të jenë më pak efektive kundër infeksioneve dhe transmetimeve të lidhura me variantin Omikron të koronavirusit, i cili ka një potencial më të madh për riinfektim. Për mbrojtjen nga soji i ri, OBSH-ja rekomandon që krahas vaksinimit të merren masa sanitare, si higjiena personale, mbajtja e maskave, ventilimi.

Lloji Omikron i koronavirusit pritet të bëhet dominant në BE deri në mesin e muajit janar, ka deklaruar kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.

Ajo ka shtuar se Unioni është i gatshëm të luftojë me këtë lloj me 66 për qind të popullatës së vaksinuar dhe është e bindur se BE-ja ka forcë dhe mjete të tejkalojë pandeminë.

Fon der Lajen ka shtuar se deri tani më shumë se 300 milionë evropianë (66,6 për qind e popullatës së BE-së) janë plotësisht të imunizuar kundër Kovid-19, ndërsa 62 milionë tashmë kanë pranuar dozë të përforcuar të vaksinës. Ajo ka thënë se KE-ja fillon me fushatën informative onlajn që të bindë njerëzit të vaksinohen.

Përfundimisht me ditën e djeshme, 14 dhjetori janë vaksinuar gjithsej 838.987 qytetarë, janë rivaksinuar 810.990 qytetarë dhe dozë të tretë kanë marrë 86.266 qytetarë. Janë aplikuar gjithsej 1.736.243 doza vaksina.

“Mbulimi me vaksinim me dy doza të popullatës së rritur është 48 për qind, ndërsa 57 për qind e qytetarëve mbi 40 vjeç janë rivaksinuar. Ata shtuan se 22 për qind e qytetarëve të vaksinuar mbi moshën 60 vjeçare kanë marrë dozë të tretë të vaksinës dhe mbulimi me një dozë vaksine te popullata e rritur është 50 për qind”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Qeveria në mbledhjen e fundit e ka miratuar informatën për furnizimin e vaksinave kundër KOVID-19 për vitin 2022, sipas së cilës është vërtetuar nevoja e furnizimit të 500.000 dozave të mRNA (mRNK) vaksina nga prodhuesi “Fajzer” ku do të përfshihen edhe doza pediatrike në sasi prej 1 për qind të numrit të përgjithshëm të fëmijëve në vend në moshë prej 5 deri 12 vjeç, ose rreth 10.000 doza.

Zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski, në konferencën e djeshme për shtyp ka deklaruar se vaksinimi i personave të mitur do të zhvillohet me praninë e domosdoshme të prindit ose kujdestarit. Vaksina për Kovid-19 do të ketë sasi të mjaftueshme dhe nuk do të ketë prioritete sipas moshës, sëmundje kronike ose strukturë kritike.

“Lidhur me 10 mijë dozat të kësaj vaksine pediatrike nga ‘Fajzer’ ato janë sasi iniciale që nuk do të thotë se nëse ka interes nuk do të furnizohen doza shtesë. Vaksinimi është me rëndësi që të tregohet se zhvillohet pa termin të caktuar. Pra, kusht i vetëm për vaksinim të personave të mitur është domosdoshmërish të vijnë me prind ose kujdestar dhe është me rëndësi qytetarët të dinë se edhe më këtë vendim vaksina për Kovid-19 do të ketë në sasi të mjaftueshme, se nuk ka prioritete sipas moshës, sëmundje kronike ose strukturës kritike”, ka thënë Arsovski.

Në 24 orët e fundit, janë regjistruar në vend 326 raste të reja me Kovid-19 dhe tetë persona kanë vdekur.

Numri i rasteve aktive është 5498, më së shumti në Shkup 2647, pasuar nga Manastiri me 447 dhe Prilepi me 363, dhe pa asnjë rast aktiv është vetëm Dibra.Deri më tani në vend janë bërë gjithsej 1.509.665 testime për Kovid-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid-19 në vendin tonë prej fillimit të epidemisë është 220.169, numri i pacientëve të shëruar është 206.903, i të vdekurve është 7.768.