Osmani: Gjuha dhe identiteti nuk u negociuan kurrë

Askush nuk negocion dhe nuk ka të drejtë të negociojë për identitetin dhe gjuhën maqedonase. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani edhe një herë e përsëriti këtë qëndrim para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme gjatë fjalimit të tij lidhur me negociatat me Bullgarinë.

Qeveritë e reja, edhe në Maqedoni, edhe në Bullgari, sipas Osmanit, krijojnë klima dhe politika të reja që kanë të bëjnë me të ardhmen, e jo me të kaluarën. Në këtë kontekst është edhe zgjidhja e çështjes me emrin e shkurtër të shtetit, tha Osmani. Ai bëri thirrje për ndërtim të pozicioneve të përbashkëta, pjekuri dhe besim të ndërsjellë, kurse akuzat se kontesti po zgjidhet pa e informuar opinionin publik, i quajti histeri. Thotë se nuk mund ta zbulojë tërësisht pakon 5+1, sepse ende është në fazë negocimi.

“Për ne çështja më e rëndësishme në këtë pako është pikërisht zbatimi i vendimit të Këshillit Evropian nga marsi i vitit 2020 përmes organizimit të konferencës së parë ndërqeveritare dhe pozicionit tonë kyç shtetëror – në vetë kornizën negociuese gjuha maqedonase të trajtohet si gjuhë zyrtare e BE-së pa ndonjë kualifikime shtesë të vendosura nga Republika e Bullgarisë. Por, kuptohet aty është çështja për parimin e vetëpërcaktimit në pajtueshmëri me rregullimet kushtetuese të vendeve, çështja për gjuhën e urrejtjes dhe rehabilitimin e viktimave nga komunizmi”, tha Osmani.

Nga opozitarja VMRO-DPMNE reaguan se fjalët e Osmanit janë sipërfaqësore, me shumë pak thellësi. Fakti se nuk doni të na njoftoni për pakon 5 plus 1 do të thotë se nuk u besoni deputetëve, tha Antonio Milloshoski, kryetar i komisionit për politikë të jashtme.

“Ju këtu tani bëni një precedent duke konfirmuar se ka dokument, se i njëjti është jo formal, se është version pune ndërsa e shkurtoni mundësinë që deputetët në atë version pune ta japin kontributin e tyre dhe mendoj se kjo është nënçmim i pjekurisë së deputetëve, gjë për të cilën flisni sot. Ka kushte që e tangojnë madje Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, që është themel i sovranitetit politik të një shteti”, tha Milloshoski.

Mos u lëvdoni me zgjidhjen e çështjes për emrin e shkurtër për shkak se ky emër nuk shënon shtet por territor, i tërhoqi vërejtje Gordana Siljanovska Davkova, Osmanit.

“Emri i shkurtër ndërlidhet me diçka tjetër. Nëse në të kaluarën kur do të thoshit Republika e Maqedonisë, kjo Republikë, do të thoshte shteti Maqedonia. Tani nuk është kështu. Se kur do të thoni Maqedonia e Veriut, zotëri, ky është territor pa përcaktim përpara tij. Siç thatë, të jemi shtet i pjekur, hah- vishnjë e kalbur. Shtetet e pjekura janë shtete të fuqishme”, u shpreh Siljanovska.

Prezantimi i zhvillimit të deritanishëm të negociatave mes Maqedonisë dhe Bullgarisë ndodh me kërkesë të kryetarit të Komisionit për politikë të jashtme, Antonio Milloshoski, vetëm disa ditë pasi u mbajt seanca e përbashkët ndërqeveritare në Sofje.