Osmani: Ekziston një propozim dokument për zgjidhjen e mosmarrëveshjes

Osmani: Ekziston një propozim dokument për zgjidhjen e mosmarrëveshjes

Ekziston një propozim dokument për zgjidhjen e kontestit që është i pranueshëm për Shkupin, por presim përgjigjen e Sofjes, shkruan Alsat.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani thotë se kjo do të ishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse, për të gjitha dallimet mes dy palëve. 

“Ka pasur përparim në të menduarit se si të tejkalohet kjo çështje, në aspektin se si, çfarë dhe kur…por nuk mund të them se për një dokument ka pëlqimin e plotë qeveria bullgare, në mënyrë që t’i njoftoj menjëherë deputetët dhe ta prezantoj dokumentin”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Osmani u përgjigj se aktualisht diskutohet që Bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës, respektivisht nëse kjo kërkesë e Sofjes do të përfshihet në kornizën e negociatave dhe në cilën fazë të procesit.

Presidenti bullgar Rumen Radev, nuk pret që të hiqet vetoja dhe shprehu besimin se qeveria nuk do ta shkelë Deklaratën bullgare.

“Ka deklarata nga zyrtarë të qeverisë se do të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura, të cilat shprehin qëndrimin tonë kombëtar për këtë çështje”, tha Rumen Radev – President i Bullgarisë.

Osmani ka komentuar edhe njoftimin e Shqipërisw se do të kërkojë shkëputje nga pakoja e integrimeve evropiane me Maqedoninë, nëse vendi mbetet i bllokuar në qershor.

“Shqipëria ka të drejtë ta ngrejë zërin, të thotë ‘Kam plotësuar të gjitha kriteret, kam bërë reformën më të vështirë në sistemin gjyqësor, pse të jem peng i dosjes së një vendi tjetër’. Megjithatë, jam i vetëdijshëm se edhe Shqipëria ndan mendimin se nuk i konveon ajo në plan afatgjatë”, u shpreh Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Të shtunën, kryeministri bullgar Kiril Petkov do të jetë në Manastir.