590 policë të rinj që do t’i shërbejnë vendit dhe do ta mbrojnë jetën dhe pronën e bashkëqytetarëve të tyre u promovuan në Qendrën për Trajnime të MPB-së në Idrizovë. Në këtë ngjarje morën pjesë Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe përfaqësues të kreut diplomatik në vend. Pendarovski tha se ka besim te kandidatët se janë profesionistë të përkushtuar dhe se do t’i kryejnë detyrat e tyre me përgjegjësi të plotë.
“Prej sot siguria e të gjithë komunitetit do të jetë në duart tuaja, ruajtja e paqes në vend dhe jetës së qetë të qytetarëve do të jetë në duart tuaja. Pavarësisht përkatësisë gjinore, etnike apo fetare, ju mbani të njëjtën uniformë, jeni pjesë e të njëjtit institucion dhe bashkërisht do të luftoni kundër armikut të përbashkët të vendit tonë të përbashkët – e ai është krimi”, tha Stevo Pendarovski, president.
Ministri i Brendshëm, duke rikujtuar për protestat e fundit të dhunshme, theksoi rëndësinë e profesionit të policisë për sigurinë e institucioneve, qytetarëve dhe vendit.
“Zyrtarët policorë që ishin në mbrojtje të institucioneve shtetërore, mes të cilëve fatkeqësisht kishte edhe të lënduar, më së miri dëshmuan qëndrueshmërinë, gatishmërinë, guximin dhe sakrificën e tyre për mbrojtjen e shtetit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve”, pohoi Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Jashtme.
Spasovski theksoi se funksionimi i suksesshëm i sistemit të sigurisë është bazë për funksionimin e shtetit të së drejtës. Ndryshe, nga gjithsej 625 kandidatë të paraqitur, trajnimin me sukses e kaluan 590 kandidatë, prej të cilëve 487 meshkuj dhe 103 femra me sukses mesatar prej 523 pikësh nga gjithsej 600. Në ceremoni u ndanë edhe pllaka për 18 kandidatët më të mirë të kësaj gjenerate, ndërsa për kandidat më të mirë nga gjenerata 2021/2022 u shpall Stefan Mitanoski, i cili mori një pllakë solemne nga President i shtetit.