Xhaferi: Ndryshimet kushtetuese janë në interes të qytetarëve

Xhaferi: Ndryshimet kushtetuese janë në interes të qytetarëve

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi thotë se VMRO-DPMNE mund t’i bllokojë vetëm komisionet kuvendore që i drejton, por bllokadë të plotë të Kuvendit nuk mund të ketë! Parlamenti do të vazhdojë të punojë pa probleme për ato pika për të cilat ka parakushte sipas Rregullores, u shpreh Xhaferi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Sa u përket ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë, ndonëse edhe Xhaferi është pjesë e shumicës, për dallim nga kolegët e tij, ai si kryeparlamentar nuk tha nëse pret ose jo nëse ndonjë deputet i opozitës të votojë ndryshimet kushtetuese.

“Unë nuk do ta shihja ashtu, nëse pres ose jo. Pres që partitë politike, si përfaqësues të qytetarëve të reflektojnë për atë që është në interes të qytetarëve që i përfaqësojmë. Në atë kontekst kam pritshmëri, nuk bëj përllogaritje nëse dikush do të mund të sillet kështu apo ashtu në lidhje me atë që është e mirë e përgjithshme për shtetin dhe qytetarët”, tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Për qëndrimet e Xhaferit me reagim dolën nga opozitarja VMRO-DPMNE, të cilët shkruajnë se Xhaferi do të mbahet mend si despoti nga Forina dhe si kryeparlamentari që deri më tani ka bërë shkeljet më brutale të procedurave dhe ligjeve.

“Sa i përket ndryshimeve kushtetuese për të cilat flet Xhaferi, këto nuk janë obligime të shtetit ndaj BE-së, por obligime me të cilat është pajtuar klika kriminale LSD-BDI për të ruajtur kolltukët e tyre dhe në dëm të plotë të identitetit maqedonas, gjuhës, historisë dhe kulturës, përmes një shpërfytyrimi të plotë kombëtar dhe pranimit të kërkesave megalomane bullgare”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Përndryshe ditëve të fundit, qeveritarë të ndryshëm, përfshirë zëvendëskryeministrin e pare Artan Grubi kanë deklaruar se janë në kontakt me deputetë opozitarë dhe se presin që disa prej tyre, të cilët i quajti “krahu proeuropian” të mbështesin ndryshimet kushtetuese. Përndryshe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski së fundmi ka shkruar se “nuk kanë asgjë kundër cilitdo popull dhe të drejtave të tij në Maqedoni, por jemi kundër shantazheve nga Bullgaria”.

 

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.