Jo vetëm punëtorët e krahut, por edhe mjekët po e braktisin Maqedoninë e Veriut për një jetë më të mirë. Në 10 vitet e fundit ka pasur një ikje masive të mjekëve, pohon edhe vet ministri i shëndetësisë Bekim Sali.
“Për fat të keq në 10 vitet e fundit kishim ikje masive të mjekëve nga institucionet shëndetësore publike..”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Megjithatë ministri shton se së fundmi janë bërë investime të vazhdueshme dhe se ikja ka filluar të zbutet.
“Por në dy vitet e fundit ose vitin e fundit vërejmë një kthim ose një stagnim të kësaj dinamike të ikjes. Arsyeja primare është përmirësimi i kushteve financiare për punë në institucionet shëndetësore publike. Arsyeja e dytë është investimet në kontinuitet të cilat po i bëjmë dhe po i promovojmë publikisht”, pohoi Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Autoritet zyrtare në Maqedoninë e Veriut nuk posedojnë një numër të saktë të mjekëve që kanë ikur nga vendi. Por nga Oda e Mjekëve bëjnë të ditur se brenda 5 vjetëve, gjithsej 568 mjekë kanë kërkuar vërtetim se ndaj tyre nuk zhvillohet asnjë procedurë në gjykatën e mjekëve pranë Odës se mjekëve. Ky vërtetim u nevojitet të gjithë atyre që kërkojnë specializim jashtë vendit, por edhe atyre që largohen përfundimisht.