BDI-ja paralajmëron llogaridhënie për punën e bërë pas formimit të kryesisë së re, LSDM dhe PLD kundër koalicionit të gjerë qeverisës

BDI-ja paralajmëron llogaridhënie për punën e bërë pas formimit të kryesisë së re, LSDM dhe PLD kundër koalicionit të gjerë qeverisës

Partitë në pushtet LSDM dhe PLD janë kundër formimit të qeverisë së gjerë në të cilën do të hynin edhe partitë opozitare, propozim të cilin e dha deputeti Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike, e cila gjithashtu është pjesë e shumicës qeveritare.

Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski dje deklaroi se nuk ka nevojë për formimin e një koalicioni të gjerë dhe qeveri të ekspertëve, sepse kjo Qeveri ka legjitimitet dhe kapacitet politik, edhe politikisht edhe ekonomikisht, nga çdo aspekt të përballet me këto sfida të cilat janë para nesh.

“E pashë deklaratën e Pavle Trajanovit. Ai ndoshta ka qenë i motivuar nga ajo që kam thënë në Kuvend se të gjitha partitë politike, pavarësisht nëse janë në pushtet apo në opozitë, duhet të japin maksimumin e tyre në përballimin e krizës energjetike dhe ekonomike në të cilën ndodhet i gjithë kontinenti, tha Kovaçevski në konferencën për shtyp në Qeveri pas takimit me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.

Ai theksoi se kjo Qeveri që nga dita e parë ka punuar me sfida dhe shprehu besimin se do të arrijë ta kapërcejë edhe krizën aktuale.

“Nëse e kujtojmë 17 janarin, kur u votua kjo Qeveri, ju po më bëni të njëjtat pyetje, e kjo është nëse do të ketë ngrohje në qytetin e Shkupit, sepse e dini se më 14 janar praktikisht nuk ka pasur ngrohje. Shkupi. E njëjta gjë vlen edhe për furnizimin me energji elektrike. Ne arritëm të kapërcejmë një furnizim të pandërprerë me ushqime, sepse fqinjët tanë kishin vendosur ndalime për eksportin e ushqimeve, dhe disa nga produktet tona strategjike i furnizojmë nga fqinjësia, disa i eksportojmë në vendet e tjera fqinje dhe përmes kontakteve të drejtpërdrejta me presidentët e Serbisë, Shqipërisë dhe Greqisë ne ishim në gjendje të siguronim një rrjedhë të qetë të ushqimit. Të gjitha këto ishin sfida që ne i përballuam me sukses. Ne përballuam me sukses një tjetër kulm të virusit korona. Dhe mendoj se në gjashtë muajt e ardhshëm do të përballemi me krizën energjetike që është para nesh”, deklaroi Kovaçevski.

Monika Zajkova, deputete e PLD-së, mbrëmë në një intervistë televizive deklaroi se partia absolutisht është kundër formimit të koalicionit të gjerë dhe zgjedhjeve të parakohshme dhe nuk pajtohet me qëndrimin e Trajanovit nga Lidhja Demokratike.

“Nuk do të pajtohesha me këtë konstatim të Pavle Trajanovit, sepse, sipas asaj që e shoh në parlament, shumica është e qëndrueshme, ndërsa mund të shohim edhe se Qeveria punon fortë dhe i menaxhon sfidat me të cilat përballet. PLD është absolutisht kundër koalicioneve të këtilla të gjera”, deklaroi Zajkova për TV Sitel.Qeveria dje në Kuvend e dërgoi dorëheqjen e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski, i cili është edhe kryetar i PLD-së, por jo edhe propozimin për zgjedhjen e ministrit të ri të Vetëqeverisjes Lokale. Sipas informacioneve të Partisë Liberal-Demokratike, për këtë vend ministror do të propozohet Risto Penov.Pritet që zgjedhja e re të jetë konfirmim nëse shumica është e qëndrueshme ose jo, pas ngjarjeve në Bashkimin Demokratik për Integrim pasi deputetët Izet Mexhiti dhe Merita Kolçi Koxhaxhiku u nënshkruan në kërkesat të cilat ishin dorëzuar në parti dhe për çka dje kjo parti mbajti mbledhje në Reçicë të Vogël. Sipas disa informacioneve në publik atyre mund t’iu bashkëngjitet edhe deputeti i pavarur i cili u largua nga Besa, Kastriot Rexhepi.Mbledhja e kryetarit të partisë Ali Ahmeti me të a.q. grupin e zjarrit i cili kërkon reforma në parti përfundoi dje pas gjashtë orëve, ndërsa në një deklaratë për mediat ai paralajmëroi se debati në parti do të vazhdojë, si dhe se për dhjetë ditë do të ketë Kuvend Qendror në të cilin do të zgjidhet kryesia e re.

“Sot patëm një bisedë me bashkëpunëtorë shumëvjeçarë, me të cilët kam qenë i përfshirë në shumë procese të rëndësishme, në shumë suksese. Ne folëm dhe në thelb debati është kthyer brenda partisë. Më 15 tetor do të mbahet Kuvendi Qendror ku do të diskutohet për situatën politike, por edhe do të zgjidhet kryesia e re dhe po të njëjtën ditë kryesia e re do të kthehet në selinë e BDI-së ku ndër të tjera do të bisedohet për situatën politike dhe do të ketë raport nga përbërja qeveritare e BDI-së”, deklaroi Ahmeti në konferencën për shtyp i shoqëruar nga Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Izet Mexhiti, Sadulla Duraku dhe Nevzat Bejta.

Në pyetjen e një gazetari nëse është “shuar zjarri” i të a.q. grupi i zjarrit, Ahmeti tha se “nuk ka pasur zjarr” dhe debati partiak do të vazhdojë.

“Në bazë të analizave do të vazhdojmë me debatet. Nuk ka zjarr, nuk ka flakë, karakteristikë e BDI-së është se asnjëherë nuk është bërë përpjekje për të shuar mendimin e ndryshëm, për ta shtypur atë apo për të bërë luftë kundër mendimit të ndryshëm, përkundrazi, duke e respektuar atë kemi ardhur në vendimet e drejta. Pra nuk ka zjarr dhe nuk do të ketë”, deklaroi Ahmeti.

Deputeti Izet Mexhiti, njëri nga të a.q. Grupi i zjarrit tha në pyetjen e një gazetari se ishte i kënaqur, ndërsa për zëvendësimin e kërkuar të zëvendëskryeministrit Artan Grubi tha se debati për kërkesat e tyre do të vazhdojë.

“Debati do të kthehet në BDI, organet do të vendosin se çfarë do të bëjnë me kërkesat tona”, theksoi Izet Mexhiti.

Edhe krahas pretendimeve se shumica parlamentare është e qëndrueshme Besa opozitare konsideron se për momentin nuk ka një gjë të tillë. Duke e komentuar situatën në Kuvend në një deklaratë për MIA-n Fadil Zendeli, deputet nga kjo parti tha se partitë në pushtet nuk kanë shumicë në Parlament dhe se ajo që po ndodh në BDI me “grupin e zjarrit” është çështje e brendshme e partisë.

“Nuk kanë shumicë. Mendoj se pushteti në njëfarë mënyre ia hedh fajin VMRO-DPMNE-së opozitare dhe partive të tjera të opozitës. BDI na përzien edhe neve, por në thelb problemi është në vetë shumicën e cila në Kuvend nuk ka kapacitet dhe nuk ka numra gjegjësisht shumicë që t’i realizojë politikat e saja”, tha Zendeli.

Ai nuk deshi ta komentojë situatën në BDI duke thënë se bëhet fjalë për çështje të brendshme të BDI-së, si dhe se deputetët të cilët janë nënshkrues të kërkesave të “grupit të zjarrit” askund publikisht nuk kanë thënë se duan të veprojnë të pavarur ose se janë kundër politikave të partisë.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, konsideron se nuk ka kushte për shumicë të re në Kuvend, por sipas tij, duhet të mendohet për koalicion të gjerë në të cilin të gjitha partitë parlamentare do të të përfshihen.

“Mendoj se tani nuk ka kushte për shumicë të re parlamentare dhe as që flet askush për këtë. Ajo temë ka kaluar dhe tani ndoshta jemi më afër hapjes së pyetjes nëse duhet të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare apo t’i shkojmë deri në fund mandatit. Në një situatë të tillë, sugjerimi im është, para së gjithash, të mendohet për një koalicion të gjerë, në të cilin do të përfshihen të gjitha partitë parlamentare dhe mendoj se në këtë mënyrë do të përfshihen të gjitha kapacitetet e mundshme në shtet për tejkalimin e sfidave me të cilat përballet tani vendi jonë”, tha Trajanov për emisionin “360” në televizionin Alsat.

Me koalicion të gjerë, thotë Trajanov, do të thotë se në të duhet të hyjnë edhe VMRO-DPMNE dhe partitë e tjera opozitare.

 

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.