Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Dane Taleski, në vizitë pune në Ukrainë

Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Dane Taleski, në vizitë pune në Ukrainë

Ambasadorët e dhjetë vendeve anëtare të NATO-s, mes të cilëve edhe Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Dane Taleski, realizuan vizitë pune në Ukrainë. Qëllimi i vizitës ishte afirmimi i mbështetjes së fortë të Ukrainës në përballjen me sfidat e agresionit ushtarak rus.

Në kuadër të vizitës, krerët e delegacioneve të vendeve anëtare të NATO-s realizuan takime me Zëvendëskryeministren për Integrime Evropiane dhe Euro-Atlantike të Ukrainës, Olga Stefanishina, Shefin e Kabinetit të Presidentit të Ukrainës, Andrij Jermak, Zëvendës-Shefin e Kabinetit të Presidentit Ihor Zhovkva dhe me Oleksandr Polishçuk, Zëvendës Ministër i Mbrojtjes i Ukrainës.

Nga ana e nikoqirëve u theksua rëndësia e vizitës në një kohë kur Kievi dhe qytetet e tjera po përballen me një valë të re sulmesh me predha dhe drone ruse. Nikoqirët shprehën falënderime për solidaritetin dhe mbështetjen e madhe që marrin nga aleatët. Ata informuan për situatën aktuale në front, duke vënë theksin në avancimin e ushtarëve ukrainas në jug të vendit me qëllim të deokupimit të tokave ukrainase. Në takim u diskutua edhe për mundësitë për integrimin euroatlantik të Ukrainës. Njëherit, u theksua rëndësia e ndihmës së mëtejshme nga NATO, me theks të veçantë në Pakon Gjithëpërfshirëse për Ndihmë të Aleancës për Ukrainën.

Gjithashtu, krerët e delegacioneve të vendeve anëtare të NATO-s vizituan Hostomelin dhe Buçan, ku edhe një herë dërguan një mesazh të përbashkët solidariteti me popullin ukrainas, si dhe dënim të ashpër të krimeve ruse të luftës, duke bërë thirrje për ndërprerjen e veprimeve ushtarake dhe tërheqjen e plotë të forcave ushtarake ruse nga territori ukrainas.

 

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.