Garsia-Perez: Nuk është koha për lojëra partiake

Është detyrë e 120 deputetëve që të votojnë për ndryshimet kushtetuese, sepse tani rrugëtimi ynë në Bashkimin Europian varet vetëm prej nesh, u shpreh kryeministri Dimitiar Kovaçeski në konferencën e përbashkët me euro deputeten Iraçe Garsia Perez.

Si shembull përmendi vendet që deri në vitet e ‘90 kanë qenë pjesë e “Paktit të Varshavës”, e që sot janë pjesë e BE-së dhe kanë standard shumë më të mirë të jetesës dhe se si rrjedhojë, deputetët duhet të mendojnë për të ardhmen tonë europiane.

“Qytetarët tanë shkojnë që të punojnë në ato shtete. Ato shtete para se të bëhen anëtare të BE-së , kanë pasur standard jetësor më të ulët se ne dhe këtë të gjithë ne e dimë. Ndërsa sot qytetarët tanë punojnë në ato shtete. Atje kanë shkuar për paga më të mëdha dhe punë më të mira, ajo që atje ka paga më të mëdha dhe punë më të mirë është thjeshtë sepse kanë sjell vendimet e tyre dhe janë anëtarësuar në BE”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Eurodeputetja Iraçe Garsia Perez, njëkohësisht edhe kryetare e partisë Aleanca Progresive e Socialdemokratëve, partia e dytë më e madhe në Parlamentin Evropiane, tha se Maqedonia e Veriut i takon Bashkimit Europian dhe është pjesë ë familjes europiane, ndërsa theksoi se çështja e ndryshimeve kushtetuese është me interes kombëtar dhe duhet të lihen anash lojërat partiake.

“Në këtë çështje, opozita duhet të ketë pozicion dhe qëndrim të qartë. Nuk mund të jeni kundër gjithçka gjatë gjithë kohës. Duhet të keni alternativë, nëse nuk ndani të njëjtin qëndrim atëherë duhet të tregoni se cili është qëndrimi juaj. Nuk është koha tani për lojëra partiake, tani është koha që të kuptoni se interes shtetëror është të punohet në këtë çështje dhe jam e sigurt se kjo përgjegjësi do të jetë në duart të faktorëve të ndryshëm që kemi në këto momente”, tha Iraçe Garsia Perez, eurodeputete në PE.

Javën e kaluar kryeminsitri Kovaçevski thirri takim liderësh për t’u unifikuar rreth ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë dhe ecurinë e rrugës europiane, megjithatë takimi përfundoi pa qëndrim të përbashkët.