Përfundoi Këshilli Ministror i OSBE-së në Shkup - u arrit konsensus për kryesuesin e ardhshëm Maltën, por jo edhe për buxhetin

Malta do të jetë kryesuesja e ardhshme e Organizatës në vitin 2024, 57 vende anëtare unanimisht vendosën në margjinat e Takimit të 30-të Ministror të OSBE-së, që tri ditët e fundit u mbajt në Shkup. Të pranishmit morën gjithashtu vendim për zgjatjen e mandateve të njerëzve të parë të katër institucioneve të rëndësishme të kësaj Organizate. Ndër të tjera, një apel i është dërguar Federatës Ruse për të mundësuar konsensus për buxhetin e OSBE-së.

Në Samitin në Shkup u vendos që të vazhdohet mandati i Sekretares së Përgjithshme të OSBE-së, Helga Shmid, të Komisionerit të Lartë për Pakicat Kombëtare, Kairat Abdrakhmanov, si dhe të përfaqësueses së OSBE-së për lirinë e mediave, Teresa Ribeiro. Mateo Mekaçi u rizgjodh në krye të ODIHR.

OSBE-ja është e sigurt, ne e kemi shpëtuar organizatën – ky ka qenë mesazhi i ministrit të Punëve të Jashtme dhe ish-kryesuesit me OSBE-në, Bujar Osmani, në konferencën e fundit për shtyp në kuadër të Samitit.

Ai e uroi Maltën duke shprehur falënderim për marrjen e këtij misioni në kohë të sfidave.

"Nuk u bënë kompromise në lidhje me parimet dhe angazhimet e OSBE-së për zgjedhjen e Maltës si kryesuese e ardhshme me OSBE-në. Përfaqësuesi ynë i përhershëm në OSBE bëri një operacion jashtëzakonisht të suksesshëm për arritjen e marrëveshjes në nivel të ambasadorëve, e më pas edhe në nivelin politik të ministrave, tha Osmani, i cili konferencën e fundit për shtyp në kuadër të Samitit e mbajti me kryesuesin e ri, shefin e diplomacisë. të Maltës Jan Borg dhe Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Maria Shmid.

Kjo, sipas Osmanit, do të thotë frymëzim për të vazhduar më tej, për të kontribuar në dinamikën politike ndërkombëtare, por edhe në sfidat e brendshme që ka vendi.

"Qytetarët duhet të rikthejnë vetëbesimin tek institucionet e shtetit, të cilat sot arritën të shpëtojnë nga rrënimi organizatën më të komplikuar në botë.

Osmani deklaroi se përkundër të gjitha përpjekjeve për miratimin e buxhetit për organizatën, ai nuk është miratuar që nga viti 2021 për shkak të bllokadës nga Federata Ruse. Ai theksoi se është e rëndësishme të punohet për buxhetin për vitin 2023.

Osmani i bëri thirrje Federatës Ruse që të mundësojë konsensus për buxhetin, që të mos vuajnë pasoja operacionet në terren në Moldavi, Prishtinë, Sarajevë, Shkup e të tjera.

Sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Shmid, theksoi se OSBE-ja vazhdon të punojë pavarësisht rrethanave dhe mungesës së buxhetit.

"Mungesa e buxhetit për të cilin jemi të gjithë dakord është një problem i vërtetë, sepse kur buxheti nuk është miratur në fund të dhjetorit, sipas rregullores financiare, duhet të operojmë me shpenzime mujore të bazuara në buxhetin që është miratuar së fundi, në këtë rast është buxheti i vitit 2021, i cili nuk i përfshin rritjen e pagave dhe inflacionin", tha ajo.

Shmid theksoi se nevojitet harmonizim urgjent rreth buxhetit dhe tha se është krenare që arritën ta dyfishonin mbështetjen shtesë buxhetore, që, sip tha, është vetëm për punë programore.

Kryesesi i ri, Jan Borg, nga ana tjetër, beson se shprehja e besimit në Maltën është dëshmi e angazhimit të tyre të përbashkët për të vazhduar forcimin e organizatës dhe për të siguruar që pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat përballen, organizata do të vazhdojë të punojë.

Takimin ministror në Shkup këtë vit e shënoi pikërisht prania e diplomatëve të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Federatës Ruse, Entoni Blinken dhe Sergej Lavrov, por takim mes tyre nuk u zhvillua.

Blinken mori pjesë në darkën joformale më 29 nëntor, ndërsa më pas u nis për në Izrael, ndërsa kreu i diplomacisë ruse mori pjesë dje dhe një ditë më parë në takimin ministror.

Samiti në Shkup do të mbahet mend për faktin se liderët evropianë dënuan njëzëri agresionin rus kundër Ukrainës dhe shprehën mbështetje të fortë për popullin ukrainas. Këshillin ministror për shkak të pranisë së Lavrovit, e bojkoti Ministri u Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitri Kuleba, si dhe kolegët e tij nga Polonia dhe vendet baltike, por delegacione nga vendet, si dhe disa nga ambasadorët e tyre në OSBE, megjithatë ishin të pranishëm në takim.

Ambasadori i Ukrainës në OSBE, Evgenij Cimbaluk, në fjalimin e tij në Samitin e 30-të Ministror, ​​shprehu mirënjohjen e tij për të gjitha vendet për mbështetjen e Ukrainës në luftën për liri kundër Rusisë, me të cilën, siç tha ai, kontribuojnë edhe në mbrojtjen e së ardhmes së OSBE-së.

Cimbaljuk, simbolikisht në fjalimin e tij para delegatëve, tregoi edhe pesë kokrra të djegura nga Rusia me një dron iranian, duke shpjeguar se Rusia deri më tani ka shkatërruar qindra mijëra tonë drithë ku siç theksoi, "la shumë familje në mbarë botën pa ushqim".

"Bota ka nevojë për një vaksinë kundër përpjekjeve për të përdorur ushqimin si armë", theksoi Cimbaluk.

Në dy vitet e fundit, sipas Cimbalukk, OSBE-ja ka treguar se është më e dobishme kur injoron shantazhet nga Rusia dhe kur me të flet nga një pozicion i unitetit dhe i së drejtës morale.

"Përndryshe, Rusia do të kërkojë gjithnjë e më shumë lëshime. Është e qartë se ne nuk mund të ndërtojmë të ardhmen e OSBE-së, me një vend që rrëmben të ardhmen tonë dhe fëmijët tanë", tha Cimbaluk.

Gjatë fjalimit të të kreut të diplomacisë ruse, disa nga pjesëmarrësit e Samitit u larguan nga salla.

Lavrov në fjalimin e gjatë në Këshillin ministror deklaroi se ajo që po ndodh aktualisht në Organizatë nuk është mënyra e duhur për të trajtuar çështjet e sigurisë evropiane. Ai theksoi para pjesëmarrësve të Këshillit të Ministrave se kryeqytetet perëndimore po veprojnë në atë mënyrë që të minojnë punën e OSBE-së.

"Ndarjet e kontinentit minojnë sigurinë e krijuar nga OSBE-ja dhe idenë e virtytshme mbi të cilën mbështetet procesi i Helsinkit", tha Lavrov.

Ai deklaroi se tradicionalisht këto takime përfundojnë me mesazhe pozitive dhe inkurajuese, por sipas tij aktualisht nuk ka vend për optimizëm. Sipas ministrit rus të Punëve të Jashtme, OSBE-ja është shndërruar në një organizatë që i shërben interesave të NATO-s dhe BE-së dhe lind pyetja nëse është i mençur rigjallërimi i saj.

Sipas Lavrovit, zhvillimet aktuale vënë në pikëpyetje funksionimin e OSBE-së si forum për zgjidhje objektive të problemeve globale dhe cenojnë parimin e të drejtave të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Xhejms O'Brajan, në fjalimin e tij theksoi se duhet t'i drejtojmë kritikë serioze secilit që ka për qëllim ta bllokojë funksionimin e Organizatës për siguri dhe bashkëpunim në Evropë, sepse ai do të ishte kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj vlerave dhe angazhimeve themelore të saj, por edhe ndaj jetëve të miliona njerlzve të cilët tentojnë t'i gëzojnë të drejtat themelore të njeriut,

Bllokada ose mosrespektimi i parimeve të Organizatës, siç tha ai, është një kërcënim i drejtpërdrejtë për vlerat e saj themelore, për të cilat ajo qëndron që nga viti 1975.

Ai mbetet i mendimit me kolegët e tij se ofensiva ruse kundër Ukrainës është një kërcënim i drejtpërdrejtë për lirinë e popullatës civile, për të drejtën ndërkombëtare, si dhe për parimet e kësaj Organizate.

Përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së në OSBE, ambasadori Majkëll Karpenter, në ditën e fundit të Samitit konfirmoi qëndrimet e të gjitha vendeve anëtare, përkatësisht se Rusia mbetet e izoluar në kuadër të OSBE-së.

"Fokusi i të gjithë neve ishte tek agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës. Ne e diskutojmë këtë agresion të tmerrshëm çdo javë në Këshillin e Përhershëm të Organizatës. Rusia mbetet e izoluar brenda Organizatës. Nuk ka asnjë anëtar tjetër të Organizatës që e mbështet këtë agresion ushtarak ose që përpiqet ta mbrojë atë", theksoi Karpenter.

Në margjinat e takimit u nënshkrua edhe një deklaratë e përbashkët për luftën kundër korrupsionit, si dhe për sigurinë e gazetareve.

Konkretisht, ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi nënshkruan një deklaratë të përbashkët për të luftuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe për të lehtësuar përpjekjet për kthimin e pronave.

Dje, në ditën e fundit të Samitit në Shkup, gjithsej 46 nga 57 vendet anëtare të OSBE-së ranë dakord për një deklaratë të përbashkët për sigurinë e gazetareve, ku thuhet se prioritet do të ketë çështja kryesore e sigurisë së gazetareve në internet dhe në skenën ndërkombëtare, dhe në kontekstet përkatëse kombëtare.

Takimin më 30 nëntor në Shkup e hapi kryeministri Dimitar Kovaçevski me një porosi se vizioni i OSBE-së si platformë për siguri bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse është testuar seriozisht në realitet, ndërsa më drejtpërdrejt është ndjerë nga qytetarët ukrainas.

Në Këshillin Ministror marrin pjesë rreth 1000 delegatë nga 57 vende anëtare të Organizatës dhe vende partnere.

 

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.