A thua vallë Johannes Hahn, do ta shpëtoj vendin nga kriza politike?
"Marrëveshja e Përzhinos është zbatuar vetëm në disa pika, por ka akoma pika të cilat duhet të përmbushen. Pikat të cilat nuk janë implementuar janë pastrimi i plotë i listës zgjedhore dhe arritjen e marrëveshjes për rregullativën ligjore që ka të bëjë me fushën e medieve. Të gjithë jemi dëshmitarë se kjo listë zgjedhore ka qindra mijëra votues fiktiv. Kjo listë është pasuruar në dëm të elektoratit shqiptarë"; Prof. Dr. Mersim Maksuti.
Politika në vend po kalon një nga periudhat më të vështira të tranzicionit të tejzgjatur, kurse propagandat e partive politike kemi filluar prej tani t'i shikojmë dhe t'i dëgjojmë nëpër sheshe dhe tribuna. Zgjedhjet planifikohen të mbahen brenda vitit, populli ka një pritje megalomane, kurse procesi zhvillohet në mënyrë të ngadaltë dhe në disa raste edhe me dështime të padëshiruara.
Gjatë procesit të zbatimit të marrëveshjes së Përzhinos, kohë pas kohe ishim dëshmitarë edhe të një pakënaqësie për shkak të gjërave që i përmbante kjo marrëveshje të cilën e nënshkruan 4 partitë më të mëdha në vend, duke shkuar deri në shkelje të Kushtetutës. Disa javë më parë, me dorëheqjen e kryeministri të qeverisë së deritanishme Nikolla Gruveski, u realizua edhe një pikë shumë e rëndësishme e marrëveshjes së Përzhinos, i cili ishte kusht dhe kërkesë e opozitës maqedonase LSDM. Mirëpo edhe pse Gruevski dha dorëheqjen me kusht që të jetë e vlefshme vetëm 100 ditë para zgjedhjeve, që sipas llogarive të tij zgjedhjet duhet të mbahen më 24 prill dhe me të cilën VMRO-DPMNE edhe zyrtarisht e filloi fushatën zgjedhore, nga ana tjetër LSDM nuk e pranon këtë datë dhe insiston që të merren vesh për një datë tjetër. Pas dorëheqjes së kryeministrit të “vjetër” që aktualisht është edhe kryetari i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski filluan edhe përleshjet verbale për kampanjën zgjedhore mes tij, opozitës dhe përfaqësuesit të BE-së. Gruevski kritikoi ndërkombëtarët dhe prokuroren speciale për punën e tyre. Menjëherë pas kësaj, prokurorja speciale Katica Janeva kërkoi truproje speciale sepse nuk ndjehej e sigurt. Ndërmjetësuesi Peter Van Houte në prononcimin për mediet doli me mesazh të qartë: ”Nuk kam ndonjë reagim, reagimi i vetëm rreth kësaj është gjithmonë kjo, “Nëse nuk të pëlqen porosia, vrite atë që ta dërgon”. Këto tensione kanë arritur kulmin pasi nuk ka një datë të caktuar për atë se kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në mos zbatimin e marrëveshjes së Përzhinos në tërësi partia opozitare maqedonase shprehet se nuk do të hyj në zgjedhje. Si shpëtimtarë i situatës së krijuar pritet të jetë euro-komisari Johannes Hahn i cili pritet të vijë në muajin Shkurt për ta mbajtur të gjallë marrëveshjen e Përzhinos, ose për ta varrosur atë. Për të gjitha këto detaje dhe se si do të vijoj më tej procesi, arritëm të bisedojmë me profesorin e drejtës Kushtetuese Prof. Dr. Mersim Maksutin, i cili të vetmen shpresë për tejkalimin nga kriza e sheh tek monitorimi më rigoroz i ndërkombëtarëve.
“Nëse nuk pastrohet lista në një afat të mundshëm, këtu mund të shpresoj në një presion nga ndërkombëtarët konkretisht nga komisioni i BE-së dhe SHBA-të. Këto 30 ditë janë shumë të rëndësishme për vendin tonë, ku pritet të definohet ecuria e pastrimit të listës prej së cilës do të varen zgjedhjet se a do të mbahen më 24 Prill apo do të prolongohet kjo datë. Në këto rrethana nëse njerëzit kompetent nëpër institucionet keqpërdorin detyrën e tyre, fusin emra të cilët janë fiktiv, këto akte mbajnë përgjegjësi penale. Kodi elektoral edhe kodi penal për këtë parasheh dhe i ngarkon me përgjegjësi duke u mbështetur në ligjet të cilët janë në fuqi. Dorëheqjen e kryeministrit e shoh si një rezultat i një marrëveshjes politike të arritur në Përzhino, dhe si rezultat i përgjegjësisë së tij politike”, bëri të ditur ai. Ja se çfarë ishte mendimi i profesorit universitarë në lidhje me situatën e krijuar në vend dhe zgjidhjen për të dal nga kjo situatë.
Kuvendi i Maqedonisë nuk u shpërbë në pajtim me Kushtetutën
Duke nisur nga fakti se Republika e Maqedonisë gjendet në një krizë të thellë politike, institucionale në kuptimin e funksionimit demokratik të institucioneve më të rëndësishme siç janë: parlamenti, qeveria dhe institucionet tjera. Dorëheqjen e kryeministrit duhet ta shohim në radhë të parë si një rezultat i marrëveshjes së arritur në Përzhino. Kjo marrëveshje u nënshkrua në 2 Qershor të vitit të kaluar e cila u përforcua me disa rregulla shtesë me marrëveshjen e Korrikut. Dorëheqja e kryeministrit duhet parë në aspektin politik dhe juridik. Në aspektin politik si rezultat i krizës së thellë politike dhe i akuzës së rëndë që i bënte opozita mbi mos funksionimin e shtetit demokratik dhe mos funksionimin e shtetit juridik të këtij vendi. Kjo çonte në mos respektimin e opozitës , cenimin e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe mos funksionimin harmonik të institucioneve sipas kushtetutës dhe ligjit të pushtetit. Dorëheqja erdhi si marrëveshje ndërmjet partive parlamentare që kryeministri të jep dorëheqje 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme. Duhet të shikohet edhe fakti se si marrëveshja e Përzhinos, nuk arriti të realizohet në të gjitha pikat e saj e jo të shihet vetëm dorëheqja e kryeministrit. Si profesor i të drejtës kushtetuese dua të them se dorëheqja e Gruevskit edhe pse pak e vonuar dhe në kuptimin juridik është ruajtur si pikë politik për tu përmbushur marrëveshja e Përzhinos. Mirëpo edhe njëherë kushtetuta e këtij vendi u godit për arsye se parlamenti i Maqedonisë u shpërbë në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë.
Qeveria teknike duhet të jetë në funksion minimum 6 muaj dhe ta përgatisë terrenin për ta nxjerr shtetin nga kriza
Qeveria teknike si rregull në shtetet demokratike parlamentare vjen si rezultat i zhytjes së vendit në krizë të thellë politike dhe si rezultat i mosfunksionimit të institucioneve të shtetit. Mund të emërohet si qeveri teknike, kalimtare apo qeveri të ekspertëve. Kjo qeveri teknike do të ketë të vetmin mandat që ta stabilizoj vendin, ta nxjerr nga kriza politike si dhe të vendoset funksionimi i sistemit ligjor dhe i demokracisë. Presim që kjo qeveri të luaj rolin objektiv dhe konstruktiv. Mendimi im është se mandati i kësaj qeverie është i shkurtër në krahasim me vendet tjera parlamentare të cilat ballafaqohen me krizë të thellë politike mandati i kësaj qeverie është më i gjatë se 3 muaj. Në praktikën parlamentare qeveria teknike duhet së paku të jetë në funksion 6 muaj dhe të përgatisë terrenin që ta nxjerr shtetin nga kriza. Duhet të presim dhe të shohim se a do të mund të dalin përballë me përgjegjësinë dhe të shihet nëse ekziston vullnet i fuqishëm politik.... Jam tejet skeptik që qeveria do të arrijë gjatë këtij afati të mbyll misionin.
Kemi një interpretim jo të drejt të Kushtetutës
Kemi një situatë të re të krijuar në Republikën e Maqedonisë, me vendimet të cilat i morri parlamenti i vendit para disa ditëve ku brenda disa orëve morri 3 vendime të rëndësishme që në situata normale ato duhet të shkojnë prej 1 deri në 3 muaj. Dy nga vendimet që u ndërmorën ishin vendime që u përmbushën sipas marrëveshjes së Përzhinos, ndërsa njëri vendim i cili i miratuar sipas ligjit duheshe të miratohet një muaj më vonë. Rasti i parë kur parlamenti konfirmoi dorëheqjen e kryeministrit në mënyrë konstruktive iu përgjigj implementimit të marrëveshjes së Përzhinos. Hapi tjetër mendoj se ishte i ngutshëm dhe nuk është dashur ta hap këtë vendim pasi parlamenti u shpërbë. Ky akt ishte një akt antikushtetues, fillimisht mori vendim për shpërbërjen e parlamentit dhe pas asaj shkoj në zgjedhje të qeverisë së re. Në këtë rast parlamenti edhe teknikisht nuk i ndoqi hapat konstitucional të cilat duhet ti ndërmarrë. Kushtetuta e sheh shumë qartë se parlamenti i Maqedonisë mund të vet shpërbëhet 90 ditë përpara se ti skadojë mandati edhe atë kur kemi të bëjmë me zgjedhje të rregullta parlamentare. Mirëpo në këto raste parlamenti mund të shpërbëhet vetëm 60 ditë para se të skadon mandati. Në këtë rast kemi një interpretim jo të drejt të Kushtetutës për arsye se praktika parlamentare në vendeve të ndryshme nuk e lejon këtë. Ky rast është pa presedant që bie ndesh me praktikën në vendet tjera dhe kjo është arsyeja se parlamenti morri një veprim të ngutshëm. Situata të këtilla nuk njohim në praktikat parlamentare të vendeve me demokraci të zhvilluar.
Lista zgjedhore gjithmonë është përgatitur në dëm të elektoratit shqiptarë
Situata e re kur parlamenti u shpërbë në mënyrë të një anshme nga shumica e këtij vendi në kuptimin politik kjo ishte një veprim i ngutshëm për arsye se kjo garniturë qeverisëse kishte edhe 1 muaj kohë që ta shpërbëjë parlamentin. Opozita në këtë rast ka të drejtë që është deklaruar për mos pjesëmarrje në zgjedhje për arsye se duhet t’i referohemi realizimit të marrëveshjes së saj. Marrëveshja e Përzhinos është zbatuar vetëm në disa pika, por ka akoma pika të cilat duhet të përmbushen. Pikat të cilat nuk janë implementuar janë pastrimi i plotë i listës zgjedhore dhe arritjen e marrëveshjes për rregullat-ivën ligjore që ka të bëjë me fushën e medieve. Të gjithë jemi dëshmitarë se kjo listë zgjedhore ka qindra mijëra votues fiktiv.
Kjo listë është pasuruar në dëm të elektoratit shqiptarë. Këtë e kanë bërë të dy partitë maqedonase kur kanë qenë në pushtet për ta dëmtuar peshën e votës shqiptare. Me një fjalë kjo listë ka pasur karakter etnik. Tani erdhi koha që palët maqedonase ta fajësojnë njëra tjetrën. Pastrimi i listës zgjedhore do të jetë pika kyçe se opozita a do të merr pjesë në këto zgjedhje apo jo. Pushteti i ka plotësuar pikat të cilat i intereson pushtetit, por ato pika të cilat cenojnë interesat e tyre ku mund të goditet pushteti i kanë lënë pa implementuar. Mendoj se pa u plotësuar marrëveshja e Përzhinos në tërësi nuk besoj se opozita do të merr pjesë në zgjedhje dhe kjo do të sjell deri tek ajo se sa këto zgjedhje do të jenë të besueshme, kredi-bile.
Komisioni Evropian ta marr situatën drejt për drejt në dorë
Republika e Maqedonisë është në një krizë të madhe politike dhe pozita tani u deklarua se ne e zgjedhim këtë krizë politike. Mirëpo këto veprime që i luajnë ato vendin e fusin në një krizë të re politike. Sfida kryesore mbetet pastrimi i listës zgjedhore dhe shpresat përsëri duhet të kërkohet te ndërkombëtarët, gjegjësisht deri te komisioni evropian ku përgjegjësia kryesore bie mbi komisarin Johannes Hahn. Shpresë e vetme për atë që kemi gjetur është se komisioni evropian duhet ta marr situatën drejt për drejt në dorë dhe të risë fuqishëm ndikim, presionin e tij politik mbi pushtetin në këtë vend dhe të përgatis një strategji të re politike me të cilën do të tejkalojmë krizën.
Presion politik, mbi institucionet e këtij vendi në veçanti ku do të ndihmohet KSHZ-ja dhe t’i ofrojnë të gjitha kapacitetet që vërtetë të mund të garantoj një proces të lirë zgjedhor. Kryetari i KSHZ-së u deklarua edhe vet se ky institucion është i pa aftë që brenda kësaj periudhe të bëjë pastrimin e listave zgjedhore, pra të fshihen të gjithë votuesit fiktiv. Atëherë KSHZ-së duhet t’i ofrohet ndihma institucionale. Të risin bashkëpunimin me institucionet tjera dhe të ndihmohet nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e punëve të Brendshme, Fondi Pensional Invalidor të cilat duhet t’i ofrojnë të gjitha të dhënat për të pastruar listën zgjedhore. Kjo situatë duhet të monitorohet shumë afër dhe sa me të vërtetë ka rritur që kjo listë të pastrohet. Mbikëqyrja e fuqishme e ODHIR-së, pastrimi i listës të monitorohet dhe t’i lihet e drejta opozitës të kontrolloj ecurinë e pastrimit të listës zgjedhore.
Të gjithë të dyshuarit të cilët kanë kryer vepra penale me të cilat parashikohet dënim mbi 5 vite drejtpërsdrejti mund të arrestohen
Prokuroria speciale si një nga pikat më të rëndësishme që prek realizimin dhe implementimin pa dyshim ka të bëjë me të gjithë bartësit e pushtetit të cilët dyshohen për abuzim dhe keqpërdorim të funksionit. Kjo paraqet sfidën më të madhe në realizimin e marrëveshjes së Përzhinos. Prokurorja speciale të nis procedura para mbajtjes së zgjedhjeve të 24 Prillit ose të ndonjë date tjetër. Ajo duhet të ndihet në funksion të stabilitetit të këtij vendit, në luftën ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit. Nëse godet aktorët të cilët kanë abuzuar me pushtetin para se të mbahen zgjedhjet atëherë prokurorja speciale mund të ketë efektin e vet në të kundërtën gjithçka do të jetë sipërfaqësore. Në qoftë se ndodh që prokuroria speciale të ngre si procedurë penale ndonjë rast pasi të shpërbëhet parlamenti nuk do të kishte efektin e duhur. Të gjithë të dyshuarit për krim, korrupsion, duhet të hetohen të ndiqen, dhe atëherë procedura kundrejt tyre nuk mund të ndërpritet, por do të vazhdojë. Ka një rregull e cila thotë që të gjithë të dyshuarit të cilët kanë kryer vepra penale që parashohin burgim mbi 5 vite, ato drejtpërdrejt mund të arrestohen.
Me instalimin e parimit të Badenterit të drejtat e etnikumeve do të mbroheshin më mirë
Me marrëveshjen e Përzhinos, parashihen ndryshime në përbërjen dhe kompetencat e KSHZ-së. 3 anëtarë të KSHZ-së zgjidhen nga pozita, 3 nga opozita dhe risia në këtë rast është se 3 anëtarët e ri vijnë nga radhët e ekspertëve. Vërejtje e cila ka të bëj me një kompetencë të re është që KSHZ-ja nuk arriti të bëhet në bazë të Badenterit, pra të parandalohet ndonjë padrejtësi që të vij në shprehje të votës së ndonjë etnikumi në vend. Ky majorizimi nuk u ndalu me rregullativën dhe ndryshimet e reja elektorale që të ndërhynë në rastin e kompetencave të KSHZ-së dhe në vend të këtij princi u instalua principi me konsensus. Mendoj se nuk u ofrua zgjidhja e drejtë për arsye se konsensusi nuk e zëvendëson Badenterin. Nëse ndonjë anëtarë i KSHZ-së mendon se një vendim është në dëm të palës tjetër e dëmton votën e ndonjë etnikumi dhe ndonjë anëtarë mund të kërkoj që ky vendim të merret me konsensus. Nëse nuk e merr votimin me konsensus atëherë do të pritet vendimi i Gjykatës Administrative në vend. Principi i konsensusit nuk parasheh garanci për mbrojtjen e ndonjë etnikumi.
Partitë politike shqiptare nuk ishin konstruktive në marrëveshjet
Për fat të keq roli i partive politike shqiptare nuk ka qenë konstruktiv sa është dashur. Konsolidimi i demokracisë, funksionimi i shtetit juridik nuk duhet shikuar vetëm nën prizmin e pushtetit pozitë - opozitë vetëm të partive politike maqedonase. Subjektet tona politike duhet ta japin rolin e tyre konstruktiv në ndërtimin dhe stabilizimin e institucioneve demokratike të këtij shteti. Kjo disi ishte një përballje mes partive maqedonase, por edhe partitë tona disi u tërhoqën, dhe kjo ishte një veprim jo i duhur dhe në këtë kuptim nuk dua të bëj dallimin e partisë në pushtet dhe asaj në opozitë. Këto do t’i shoh si një paket dhe të dy bartin përgjegjësi për atë se nuk dhanë më të mirën që kanë mundur të nxjerrin për shqiptarët. Po që se konsolidohet demokracia kemi institucione funksionale. Fituesit më të mëdhenj nëse kemi pastrim të mirë filltë të listës zgjedhore do të jemi ne shqiptarët dhe me këtë pres që numri i deputetëve shqiptarë pas pastrimit të listës zgjedhore të rritet. Sundimi i një etnikumi mbi etni-kumet tjera në një vend mund të vij në shprehje nëpërmjet shumë mekanizmave.
Nuk dua ta paramendoj një skenarë që në zgjedhjet të mos merr pjesë opozita
Nëse opozita Maqedonase nuk merr pjesë në këto zgjedhje, atëherë zgjedhjet do të ishin jo demokratike dhe jo kredibile. Një vend nuk mund të jetë demokratik nëse në zgjedhje nuk merr pjesë opozita. Karakteri i një regjimi a është demokratik varet edhe nga opozita e fortë e cila e mbron vlerën dhe shtyllën e demokracisë dhe këto zgjedhje nuk duhet shikuar jashtë këtij vendi, dhe nëse kemi zgjedhje atëherë ato zgjedhje nuk do jenë kredi-bile dhe ato zgjedhje nuk do ta zgjedhin krizën e këtij vendi. Institucionet nuk do të jenë legjitime, kredi-bile, demokratike dhe do të hapej një faqe e zymtë e këtij vendi.
Dorëheqja e Kryeministrit 100 ditë para zgjedhjeve nuk mendoj se do të zbatohet në secilin cikël zgjedhor
Gruevski është i interesuar të dështojnë zgjedhjet se vetëm me dështimin e zgjedhjeve zgjatet pushteti. Dorëheqja e kryeministrit 100 ditë para se të skadon mandati i parlamentit është një zgjidhje ligjore. Kjo nuk përbën zgjidhje që qeveria patjetër duhet të jap dorëheqje në çdo mandat të qeverisjes së saj të ardhshme kjo u zbatua vetëm në raste speciale të krizës në të cilën gjendemi. Interpretimet e tjera të cilat janë bërë se kjo zgjidhje do të vlej edhe në mandatet tjera të dorëheqjes së qeverive të ardhshme më tepër i shikoj si interpretime me prapavijë politike se sa që kanë bazë kushtetuese.